LAJMI I FUNDIT:

E pandalshme Sigal Prishtina, nënshtron Pejën në Karagaçi

E pandalshme Sigal Prishtina, nënshtron Pejën në Karagaçi
(Foto: Facebook/KB Prishtina)

Sigal Prishtina ka regjistruar fitoren e 16-të në Superligën e Kosovës në basketboll nga po aq ndeshje të zhvilluara. Kryeqytetasit kësaj radhe e mposhtën Pejën me rezultat 111-85.

Në palestrën e sporteve “Karagaçi” u zhvillua derbi i skuadrave rivale, ndërsa përfundoi me triumfin e ekipit mysafir.


Që nga fillimi i sfidës, vizitorët luajtën më mirë duke e mbyllur dhjetëminutëshin e parë me shtatë pikë epërsi (21:28).

Shumë më bindës ishte triumfi i Prishtinës në çerekun e dytë (13:24) për të shkuar në pushim me avantazh të lartë (34-52).

(Foto: Facebook/KB Prishtina)

Në fraksionin e tretë, vendasit u përpoqën të ktheheshin në lojë, por sërish shënuan dy pikë më pak se kundërshtari (26:28).

Loja më e mirë e mysafirëve u mbyll duke e fituar edhe çerekun e fundit të këtij takimi (25:31) dhe fitorja e përgjithshme ishte me 26 pikë epërsi.

Sigal Prishtina është lider i pakontestueshëm në tabelë me 32 pikë të arkëtuara nga 16 fitore nga po aq ndeshje.

Peja është e pesta në tabelë me 21 pikë, nga pesë fitore dhe 11 humbje. /Telegrafi/