LAJMI I FUNDIT:

“E paemra” me emër të madh

“E paemra” me emër të madh
Shtatorja e Mervete Maksutajt, e vendosur në oborrin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, në 23 vjetorin e rënies së saj (4 dhjetor 2021)

Lajmi për vrasjen e Mervete Maksutajt në spitalin e Pejës do të ketë jehonë të dhembshme në Kosovë atë 4 dhjetor të vitit 1998. Meqë vrasja ndodhi në një zonë që s’e kishte përfshirë lufta, mendohej se ajo ishte edhe një nga viktimat e shumta të pafajshme në Kosovë. Por, Mervetja e dinte saktësisht se ç‘kërkonte atë ditë në spitalin e Pejës …

Nga: Dush Gashi (shkrim i publikuar në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, në dhjetor të vitit 1999)


Më 4 dhjetor të vitit 1998, ndonëse këtë vit Kosova kishte hyrë “mirë” në luftë dhe opinioni ishte “mësuar” me lajmet e shpeshta për vrasjet, edhe asosh më barbare, një lajm i dhembshëm megjithatë do ta trondisë Kosovën: një vajzë do të vritet nga policia serbe në spitalin e Pejës. Meqë kjo anë ende nuk ishte përfshirë nga lufta, mendohej se është ajo edhe një viktimë e pafajshme, të cilën propaganda serbe pastaj do t’ia mveshë epitetet e njohura për shqiptarët. Por, Mervete Maksutaj, ndonëse jo edhe shokët e saj të luftës, e dinte saktësisht se ç‘kërkonte atë ditë në spitalin e Pejës. Këtë do ta marrë vesh shpejt edhe opinioni kosovar, ndonëse vetë ngjarja, siç ndodh shpesh me ngjarje të tilla, e përshkonte një tis mjegulle, si në baladat e moçme shqiptare…

Por, edhe jeta e Mervetes, edhe akti i saj heroik e vetëflijues ngjajnë me baladat shqiptare… Pjesëmarrëse e luftës për çlirim që sa muaj më parë e atë ditë në një aksion për ta shpëtuar një shok lufte, ajo kishte edhe një motiv personal për luftë kundër serbëve: të merrte hak për të vëllanë e vrarë.

DRAMAT KISHIN DALË NGA SKENA

E lindur 20 vjet më parë në fshatin Orroberdë të komunës së Istogut, Mervetja do të kalojë fëmijëri e rini të vështirë, me dhembje e trauma. Në moshën nëntëvjeçare mbetet pa të ëmën, kështu që për të e fëmijët tjerë do të përkujdeset Hidajetja, motra e madhe. Vetëm katër vjet më vonë, në vend se t’i gëzohet kthimit të vëllait, Enverit, nga ushtria, ajo do të pësojë edhe një goditje tepër të rëndë: i vëllai do të kthehet në arkivol. Ishte kjo kohë kur vrasjet e të rinjve shqiptarë në ushtrinë jugosllave ishin të shpeshta, kurse shpjegimet për to tepër cinike. Kjo tragjedi do të lërë vrragë të pashlyera në shpirtin e vajzës 14-vjeçare. Vajza e bëshme, e qetë dhe e dashur, çfarë e përshkruan të ketë qenë edhe sot motra e saj e madhe, mbyllet në vetvete dhe, që në atë moshë, mendon për hakmarrje.

“Nuk qante pranë arkivolit të të vëllait, e puthte dhe i thoshte: ‘Unë jam ajo që do ta marr hakun ty dhe djemve të tjerë shqiptarë që serbët i vrasin vetëm pse janë shqiptarë’”, do të dëshmojë Hida, infermiere në qendrën për rehabilitim “Ilixha” në Bajë.

Atlete e shkëlqyer, e cila për disa vjet radhazi do të mbajë vendin e parë në Kosovë në vrapim, Mervetes nuk i mungonte as talenti për aktrim dhe luajti në disa shfaqje me Nazmi Muzliajn, edhe ai i rënë dëshmor.

Dramat e tragjeditë e mëdha në Kosovë edhe njëherë kishin dalë jashtë teatrit.

Për luftën ajo fliste edhe më herët, por një motër e saj, e martuar në Ratish të Deçanit, e cila kishte ikur nga zona e zjarrit, bënte që lufta të ndjehej më shumë edhe në Orroberdë, deri atëherë relativisht të qetë.

“O njerëz, kjo luftë nuk po bëhet në tjetër shtet. Duhet të shkojmë edhe ne”, thoshte shpesh Mervetja, përkujton motra Hida.

Kurrë nuk ishte paraqitur në polici për të marrë letërnjoftim. “S’e dua letërnjoftimin që ma japin serbët”, thoshte.

Pastaj, në përsiatjet e saj për pjesëmarrje në luftë, mungesa e letërnjoftimit do t’i shfaqet si mundësi e trishtë që të pësojë si “një kufomë e paidentifikuar”.

“Do të vdes e paemër”, thoshte Mervetja.

Niseshin grupe edhe nga kjo anë, po asaj s’i tregonin. Po atë s’mund ta ndalte kush.

“Një ditë bëri gati një valixhe dhe, ndonëse nuk e tha, ne e dinim fare mirë se ku po shkonte. Po s’provuam ta ndalnim. E dinim se është punë e kotë”, thotë Hida.

Bashkëluftëtarja e saj, Hyrie Veliu-Jeta, e cila edhe jep të dhëna të jetëshkrimit luftarak të Mervetes, do të thotë se ajo ka udhëtuar këmbë nga Istogu për t’iu bashkangjitur radhëve të UÇK-së në Jabllanicë. Në radhët e UÇK-së u inkuadrua më 11 korrik 1998, ku filloi përgatitjet e para për luftë në kuadër të njësitit “Vashat me kordele të kuqe”, i cili më vonë do të hyjë në përbërje të Brigadës 132 “Myrtë Zeneli”. Ajo dëshironte që pas përgatitjeve të kthehej në vendlindje, mirëpo rrethanat e luftës dhe ofensivat e njëpasnjëshme të gushtit dhe të shtatorit ia pamundësuan kthimin për një kohë.

NJË HERË VDISET…

“Katër muaj s’kemi ditur gjë për të”, thotë Hida.

Po sipas Hyrie Veliut-Jetës, Mervetja mori pjesë aktive në luftën e Jabllanicës gjatë ofensivës së parë serbe, e cila u ndërmor më 2 gusht 1998 si dhe në atë të 8 shtatorit. Ajo nuk pranoi të heqë pushkën nga krahu, por krah për krah me shokë e shoqe çau rrethimin e hekurt në Broliq, për të vazhduar më pas veprimtarinë e vet në Jabllanicë, ku me javë të tëra me shokët e saj qëndroi në istikame ballë për ballë me armiqtë serbë, të cilët ato ditë kishin zënë pozicionet rreth e qark Dushkajës. Mori pjesë në disa aksione, në të cilat armiku pësoi humbje.

Më 2 nëntor 1998, vendosi të kthehet e të veprojë në anën e Istogut, në Brigadën 133 “Ardian Krasniqi”, në formim e sipër.

Prania e saj në këtë brigadë ua ngriti moralin shumë të rinjve istogas, ndaj shumë prej tyre iu bashkuan radhëve të UÇK-së.

E vendosur për luftë, Mervetja, mbase duke e ditur se do shkojë deri në fund, apo sikur ta kishte parandjerë vdekjen, ajo edhe sikur do ta paralajmërojë atë me një letër, të cilën pas ngjarjeve në Broliq do t’ia dërgojë së motrës: “Parandjej se së shpejti do të vdes, por frikësohem shumë se do të vdes pa i realizuar synimet e mia dhe të shokëve të mi. Gjithashtu, parandjej se do të vdes me mallin për vëllezërit dhe motrat e mia. Dëshiroj një vdekje të lehtë, por të madhe, sepse një herë vdiset; po parandjej se vdekja ime do të jetë e tmerrshme, ashtu siç ishte edhe vetë jeta ime”, shkruante ajo.

Naim Xhuraj, tash shef i Shtabit të Brigadës 333 të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Istog, në periudhën e ilegalitetit, ndonëse atëherë nuk ishin formalizuar raportet mes ushtarakëve të ardhshëm, ishte epror i Mervetes dhe e ka njohur atë për së afërmi.

“Ishte pothuaj femra e vetme nga kjo anë, e cila në vitin 1998, bashkë me ca vullnetarë nga trekëndëshi Pejë-Klinë-Istog iu ka bashkangjitur radhëve të UÇK-së në zonën e Dukagjinit, në të cilën kishte filluar lufta”, thotë ai.

Bashkë me Muhamet Demajn, në atë kohë komandant i Njësisë Speciale të Brigadës 333, Besnik Shalën, Agim Elshanin e Azem Veselin, Naimi, me direktivë të Ramushit (Haradinajt), nga pjesa ku kishte luftë kishte kaluar këtej Bistricës dhe kishte filluar themelimin e celulave të para, apo, siç shprehet, “mbledhjes së fijeve” të njerëzve që janë të gatshëm t’i bashkëngjiten luftës.

Në atë kohë Mervetja ka shërbyer në Jabllanicë të Gjakovës dhe ka dëgjuar se këtej po lëvizin gjërat, prandaj ka kërkuar transfer, i cili i është lejuar prej komandant Ramushit. Atë kohë këtej s’ka pasur aktivitete legale.

“Kam njohur edhe femra të tjera në luftë, por Mervetja më ka lënë përshtypjen e një femre të rrallë. S’fliste po të mos e pyesje gjë e edhe kur e pyesje përgjigjej shkurt”.

E matur për gjithçka, shokët e saj mbase do ta mbajnë mend vetëm njëherë të ketë shpërthyer në të qeshur të papërmbajtur, kur një shok i saj tullac e kishte vënë në kokë një paruke femrash”, kujton Naimi.

T’IA KËRSASIM DIKUND!

“Por, për dallim prej shokëve, qetësinë e përballonte më së vështiri. I dëshironte aksionet dhe shpesh më thoshte: Naim, s’jemi duke bërë kurrgjë. T’ia kërcasim dikund! E ardhur nga një zonë, ku përplasjet me policinë ishin thuaja të përditshme, puna që ne e bënim i dukej se ‘nuk po shihet’. Po koha ishte e tillë që duhej punuar tepër shumë e të shihej tepër pak, prandaj gjithmonë kërkonte aksione. Fatkeqësisht, s’na ka rënë që të jemi bashkë në ndonjë aksion”, thotë Naimi.

Koordinatorë për themelimin e një brigade këtej, Naimi me shokët e Merveten, gjatë aktivitetit ilegal më së shumti do të qëndrojnë në fshatrat Ruhot e Radavc, pastaj në Ozdrim, kurse, në një periudhë prej dy javësh, me sa i kujtohet, “për disa detyra të caktuara”, janë ndarë në tri grupe, pas kryerjes së të cilave prapë bashkohen në Ruhot. “Jemi ndarë me short dhe mua më ra të jem me Merveten”, evokon Naimi.

Ato ditë plagoset një shok, Naim Lushi nga Qyshku i Pejës. Shokët e tij kishin bërë përpjekje që Naimin ta operojnë jashtë spitalit, sepse e dinin se spitali është nën kontroll të policisë serbe. Kishin kontaktuar me ca mjekë të cilët kishin vlerësuar se plaga e Naimit është e rëndë dhe se ai vetëm në spital do të mund të shërohej. Ata kishin premtuar se do të përpiqen të gjejnë një shkak tjetër të plagëve të tij, e jo plumbat nga lufta. Por, kjo s’kishte mundur të fshihej më, pas radiografisë. Megjithatë, Naimi kishte mbetur për shërim në spital, i kishte kaluar me sukses operacionet, por tash e “shoqëronte” edhe roja policore serbe.

Shokët e mendonin një aksion për ta nxjerrë nga spitali dhe, përkundër rojës, ia kishin dalë ta dërgonin brenda një femër, në mënyrë që të koordinoheshin veprimet. Mirëpo, për aksionin për nxjerrjen e Naimit nuk kishin biseduar fare ditën kur Mervetja do ta fillojë atë. E dinin se nevojitet një aksion shumë i koordinuar dhe se duhej të vepruar në bashkëpunim me personelin e spitalit. Pa dijen e shokëve, Mervetja, bashkë me Besnik Shalën ishin marrë vesh që ata ta ndërmarrin këtë aksion.

“Ishim në Ruhot dhe Mervetja dukej ca e shqetësuar atë ditë, hynte dilte, prandaj e pyeta se ç‘e mundonte. Më tha se e ka ndërmend të shkonte deri në Pejë me Besnikun dhe se po e mundonte mungesa e një revoleje. Ia dhashë një timen 7.65 milimetërshe, kurse në xhepa kishte pasur granata dore. Nuk e dinim destinimin e tyre”, thotë Naimi.

Do të jetë ky aksioni i fundit i Mervetes.

I rrëfyer nga Besnik Shala, bashkëpjesëmarrës i drejtpërdrejtë, aksioni nuk kishte filluar mbarë që në start.

Kanë shkuar në repartin poshtë, ku janë ambulancat specialistike dhe policia i ka vërejtur si të dyshimtë. Që t’i shmangen dyshimit janë nisur në drejtim të Spitalit të Përgjithshëm, lart. Atë ditë spitali thuaja se ishte i bllokuar nga forcat policore. Rojat ua kërkojnë letërnjoftimet dhe urdhërojnë “nxirrni gjithçka keni në xhepa.”

Mervetja e Gazi dihej se ç‘mbanin në xhepa.

DITARI ENIGMATIK

Gazi (Besniku) e nxjerr granatën e dorës, ia heq siguresën, por siguresa nuk i del e tëra, njëri tel i këputet. Edhe Mervetja e nxjerr revolen. Një polic, që rrinte te dera, fillon të shtjerë. Përplasen fizikisht. Besniku e kap për pushke, ia merr armën nga dora dhe gjatë tërë kohës sa vazhdonte gara për kallashnikovin kishte të shtëna të pakontrolluara. Gazi e Mervetja tashmë ishin identifikuar fare se kush janë. Fillojnë tërheqjen.

Në vrap e sipër, Gazi, derisa përpiqej ta mbronte me të shtëna nga automatiku, e këshillon Merveten: Ec në drejtim të dispanserisë, ik me cik-cake. Ajo vrapon në drejtim të parkut të spitalit, por drejt. Nga prapa e qëllon një plumb në kokë dhe përplaset në tokë. Goditja ishte vdekjeprurëse.

Gazi, me shumë mundime ia ka dalë të tërhiqet dhe diku pas mesnate është kthyer tek shokët, në Ruhot.

“Kishim dëgjuar për aksionin, por kishim menduar se janë vrarë të dytë”, thotë Naim Xhuraj.

“Kemi qenë duke punuar në planin për nxjerrjen e Naimit. Por, Mervetja sigurisht se e kishte biseduar me Gazin, duke menduar se do t’ia arrijnë ta nxjerrin pa ndihmën e ndokujt tjetër. Dinim se duhet një plan i përsosur dhe po shihet se janë ngutur. Por, Mervetja i donte aksionet”, thotë z. Xhuraj.

“Një vajzë e pjekur, pas një fëmijërie e jete të mundimshme, e rritur pa nënë e me sfida të ndryshme, pastaj t’i bashkëngjitej luftës, që për femra njëmend ishte e vështirë, unë nuk e di nga e gjente atë forcë”, do të shprehet me pikëllim Naimi.

“Akti i Mervetes, të nisesh me një revole duke e pasur të qartë se me çka do të përballohesh, janë njerëz të rrallë, të cilët hyjnë duke e ditur se gjasat për kthim janë zero … nuk gjej shprehje ta përshkruaj këtë trimëri”, thotë ai.

“Për këtë pjesë ende ishte e pabesueshme se ka ushtri, kështu që për herë të parë edhe ne jemi paraqitur publikisht në varrimin e saj, Besniku, Muhamet Demaj, Azem Veseli, Luljeta Berisha (Arta), edhe unë.”

Mervetja kishte mbajtur ditar para lufte dhe këtë shprehi të saj e kishte vazhduar edhe gjatë luftës. Por, enigmatike, siç ishte për së gjalli, ajo do të lërë enigma edhe pas vdekjes: ditari i saj i luftës është i shifruar, kurse kodin e deshifrimit, me gjasë, ajo e ka marrë me vete në varr.

E, me gjasë, droja se do të mbesë e paemër kishte qenë e vërtetë. Pas vrasjes, në qafë ia kanë gjetur një medaljon me emrin e mbiemrin e shkruar dhe akronimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, nuk kishte dro se do të vdiste e paemër. Ajo kishte bërë emër të madh. /Telegrafi/