Ndërsa Granit Xhaka vazhdon karrierën e tij në Angli, vëllai i tij, Taulanti, ka nisur një kapitull të ri në Bazel – këtë herë si trajner. Ish-mesfushori i njohur i FC Basel tani drejton FC Dardania Basel, klub amator që garon në Grupin 2 të Ligës së katërtë zvicerane.

Gazeta “20 Minuten” ka vizituar Taulantin në një mbrëmje të ftohtë e me shi, në kompleksin sportiv Bachgraben, për të parë nga afër stilin e tij të ri të jetës.


Pavarësisht motit të zymtë, entuziazmi i Xhakës nuk mungon. “Më pëlqen shumë kjo punë. Jam shumë i kënaqur” – thotë ai me buzëqeshje, ndërsa qëndron në vijën anësore, i mbështjellë me një xhaketë kundër shiut dhe erës. Futbolli amator është shumë larg luksit të arenave të mëdha ku ka luajtur dikur, por 34-vjeçari duket se po e shijon çdo moment të këtij roli të ri.

Taulant Xhaka, tani si trajner

Në anën tjetër të fushës që i ngjan më shumë një livadhi sesa një terreni profesionist, ndodhet presidenti i klubit, Tahir Çitaku.

Ai rrëfen për “20 Minuten” se si erdhi bashkëpunimi me Taulantin: “Pak para përfundimit të sezonit të kaluar shkarkuam trajnerin e vjetër dhe unë telefonova një mik të vjetër, Ragip Xhakën – babain e Taulantit dhe Granitit. Ai erdhi menjëherë nga Kosova, dhe pak më vonë u bashkua edhe Taulanti me familjen e tij. E gjithë marrëveshja zgjati pesë minuta. Ai më tha vetëm një fjalë në shqip – ‘Besa’. Dhe kështu filloi gjithçka”.

Rezultatet nuk kanë munguar. FC Dardania po ecën për mrekulli nën drejtimin e Xhakës. Me tetë ndeshje, tetë fitore, 42 gola të shënuar dhe vetëm tetë të pranuar, bilanci është i përsosur.

Presidenti i klubit, Tahir Çitaku

“Jam shumë i lumtur me mënyrën si po zhvillohet skuadra. Mund të jem i zhurmshëm në dhomën e zhveshjes, por në fushë përpiqem të jem i qetë. Këta djem janë amatorë, nuk ka nevojë të bërtasësh”, shprehet trajneri me humor.

Në ndeshjen kundër FC Bachletten 2020, Dardania fitoi bindshëm 5-1. Në tribunë, për ta ndjekur mikun e tij, ishte edhe Renato Steffen, lojtari i Luganos dhe i përfaqësueses së Zvicrës, aktualisht i lënduar.

“Me Taulantin duam të arrijmë ngjitje të shumta. Objektivi është Liga e Dytë Ndërrajonale dhe, nëse gjithçka shkon mirë, edhe Liga e Parë Klasike” – thotë presidenti Çitaku me ambicie të qarta.

Sa për vetë Taulantin, ai duket më i lumtur se kurrë, pasi ka kohë për familjen dhe miqtë, por edhe ndonjë birrë.

Trajneri i Dardanisë, Taulant Xhaka dhe trajneri i Bachletten, Pablo Iselin

“Pas kaq shumë vitesh në futbollin profesionist, tani kam kohë për familjen dhe miqtë. Ndoshta pi edhe ndonjë birrë pas ndeshjeve – gjë që si profesionist nuk e lejoja dot. Tani është thjesht e mrekullueshme,” – thotë Taulanti duke qeshur.

Ai ka treguar se ende nuk e ka vizituar Granitin në Angli prej që ka kaluar te Sunderland.

“Nuk e kam vizituar ende në Sunderland, por do ta bëj shumë shpejt”, premton Taulanti. /Telegrafi/