LAJMI I FUNDIT:

E gjetur 45 vjet më parë, bazilika e Shën Mhillit humbet mes ndërtimeve pa leje

E gjetur 45 vjet më parë, bazilika e Shën Mhillit humbet mes ndërtimeve pa leje

Nga: Gëzim Kabashi

Të gjesh se ku ndodhet Bazilika e Arapajt është njëlloj sikur të kërkosh gjilpërën në kashtë.


Nga tabela treguese me shigjetë në unazën e Shkozetit, deri në rrënojat e njohura mesjetare, distanca nuk i kalon 500 metra, por dëndurisë së vilave 3-4 katëshe që e rrethojnë i shtohet edhe mungesa e informacionit të banorëve.

Pesë apo gjashtë prej tyre iu përgjigjën duke ngritur shpatullat pyetjes sonë për vendndodhjen e bazilikës.

Një shitëse e pikës ushqimore na tha se ishim pak a shumë në rrugë të mbarë.

“Këtu vijnë gjithnjë e më pak vizitorë, prandaj nuk e di njeri se ku ndodhet”, shprehet Enkeleda Topuzi, ndërsa shton se pas halleve të tërmetit dhe të pandemisë, as të huajve dhe as shqiptarëve nuk u bie ndërmend të shkojnë atje.

“Jeni shumë pranë,” theksoi ajo, duke treguar me dorë drejt një rrugice.

Faqja e Bashkisë së Durrësit i fton turistët në 10-15 monumente arkeologjike të qytetit antik, mes të cilave bën pjesë edhe objekti i shekullit të VI-të në Arapaj, por mikpritja këtu thuajse nuk ekziston.

Nga qendra e qytetit ndodhemi gjashtë kilometra larg, ndërsa nga vija bregdetare e plazhit më të madh të vendit jo më shumë se 800 metra.

Një rrethim dosido me kolona betoni që përdoren rëndom në vresht dhe një portë si zgarë hekuri gjysmë e hapur, e ndajnë sipërfaqen prej 1820 metra katrorë të rrënojave nga rrethimi i plotë dhe i shumëfishtë që i kanë bërë ndërtesat.

Kur monumenti u zbulua në vitin 1974, territori mbi kodrën e Shën Mëhillit ishte pjesë e një trualli bujqësor në Kooperativën e Rrashbullit.

Pasi bazilika paleokristiane, siç njihet në literaturën shkencore, u shpall monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1987, zona u transformua me shpejtësi marramendëse në një lagje të rrëmujshme me shtëpi që nuk ngjasojnë aspak me njëra tjetrën.

Nga ballkoni i një banese, një grua e moshuar bërtet me të madhe kur sheh aparatin tim fotografik, ndërsa një djalosh nga poshtë përpiqet ta qetësojë gruan, e bashkë me të edhe mua.

“Nuk ka hallin e bazilikës ajo, i duket sikur vijnë inspektorët e legalizimeve”, më thotë Arsen Serjani, duke shtyrë portën e hapur metalike të sheshit.

Një tufë me pula shëtisin të pashqetësuara mes fragmenteve të mureve mesjetarë që duken mbi sipërfaqen e blertë herë pas here, por nuk është e vështirë të kuptohet se nuk mungojnë as vizitat e bagëtive.

Në tabelën e dëmtuar në hyrje marrim informacionin e parë për monumentin, që veç vlerave arkeologjike bart edhe një ngjarje historike shumë të veçantë.

Sipas historianëve bazilika u dogj në 18 tetor të vitit 1081, gjatë betejës ndërmjet Robert Guiskardit dhe trupave bizantine të udhëhequra prej perandorit Aleks Komnenit.

Shenjat e betejës gjenden ende aty rrotull, herë me gozhdët e djegura, herë me patkonj kuajsh të përcëlluar nga flakët.

Jemi kthyer thuajse një mijë vjet përpara, por historia e këtij monumenti nis edhe më parë, kur godina e kultit u ndërtua në periudhën e perandorit Justinian.

Guidën mes fragmenteve që kanë mbetur të përgjysmuar nga rrebeshet e kohës e bën Arseni, i cili bashkë me dashurinë që ka për monumentin dëshmon se e ka lidhur fëmijërinë e tij me këtë fushë nga ku mbijnë kolona, kapitele dhe mure mesjetarë.

“Jam rritur këtu”, rrëfen Arseni, “Kemi luajtur futboll, por edhe e kemi ruajtur bazilikën”. Ai ndjehet keq kur na tregon pisllëkun dhe mbeturinat që shihen në qoshet e monumentit.

Djaloshi ka përfunduar studimet në degë ekonomike dhe e kupton se mungesa e vizitorëve ndikon negativisht edhe në jetesën e familjeve pranë.

Të huajt nuk vijnë prej kohësh në lagjen që ka bazilikën në mes. Premtimi për një rrugë dinjitoze nga superstrada deri në hyrje të monumentit është zëvendësuar me shtimin e shtëpive që i kanë marrë frymën veprave artistike mesjetare.

“Nuk i sjellim turistët, pasi duhet të hysh në këmbë mes për mes lagjes”, thotë Albana Gojani, e cila punon që prej gjashtë vitesh si guidë. “Fatkeqësisht edhe mozaiku me motive baritore në mes të saj qëndron vazhdimisht i mbyllur”.

Sipas saj, mozaikët që janë mbuluar prej vitesh me rërë për tu ruajtur jo vetëm në Arapaj, por edhe në Lin, apo në Butrint, i zhgënjejnë jo pak vizitorët e huaj, të cilët informohen para se të vijnë në Shqipëri. Ata i njohin detajet e monumenteve, por nuk arrijnë t’i shohin ato plotësisht.

“Mozaiku me sipërfaqe 54 metra katrorë që u gjet në aneksin jugor të bazilikës është një mrekulli e vërtetë”, tregon Emiljan Metaj, mjaft i pasionuar me monumentet arkeologjike.

Ai ka arritur ta fotografojë monumentin dhe veçanërisht mozaikun në një nga ditët kur ishte i hapur dhe e quan veten me fat.

“Ka ndodhur shumë vite më parë,” dëshmon Emiljani.

Sipas tij, në atë kohë edhe Bazilika kishte një kujdestar, i cili merrej me gjithçka brenda territorit të monumentit. Tashmë ka edhe një vështirësi tjetër. Që prej gjashtë muajsh drejtoria rajonale e Kulturës Kombëtare ka ndryshuar emërtesën dhe nga Durrësi është transferuar me seli në Tiranë.

Kjo do ta vështirësojë më tej mirëmbajtjen e monumentit, i cili ka humbur jo pak deri tani nga rëndësia e tij. Edhe instalimi i një kapele mbrojtëse prej druri për mozaikun që ndodhet thuajse në qendër të monumentit nuk ka shërbyer dot për të rifituar vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.

“Mozaiku i bazilikës së Shën Mëhillit është një vepër e ekzekutuar mjeshtërisht nga atelietë e njohura të qytetit të Durrësit,” tregojnë bashkëshortët Sali dhe Hava Hidri, të cilët e zbuluan monumentin në vitin 1974.

Në të shihen dy emblema, njëra prej të cilave bart mesazhin e dashurisë dhe është një himn për respektin prindëror dhe familjen kristiane. Në lokalin që ndodhet shumë pranë monumentit nuk e kemi vështirë të shquajmë etiketat e shisheve të verës që mbajnë emrin “Shën Mhill”, një verë e kuqe me shije mjaft të mirë.

Kantina që prodhon ka shfrytëzuar skenat e mozaikut si imazh të verës, e cila rikthen lavdinë mijëvjeçare të Bazilikës majë kodrës, lavdi të cilën sot nuk dimë ta rrëfejmë siç e meriton. /Reporter/

Në trend Kultura

Më shumë
Murati më 1998: Duhet të përfundojë tmerri në Kosovë

Murati më 1998: Duhet të përfundojë tmerri në Kosovë

Kulture
Poezia më e vjetër e dashurisë

Poezia më e vjetër e dashurisë

Kulture
Ëndrra amerikane: Ndërthurja e utopisë me distopinë

Ëndrra amerikane: Ndërthurja e utopisë me distopinë

Fotografia
Agallarët e kuq e kanë kallur Shqipërinë në zgjedhën e Rusisë dhe të Serbisë

Agallarët e kuq e kanë kallur Shqipërinë në zgjedhën e Rusisë dhe të Serbisë

Kulture
Kultura dhe globalizmi

Kultura dhe globalizmi

Historia e shqiptares Laskarina Bubulina, Heroinës Kombëtare të Greqisë!

Historia e shqiptares Laskarina Bubulina, Heroinës Kombëtare të Greqisë!

Kalo në kategori