Dyshja e Barcelonës i përgjigjen Perezit, pasi ky i fundit deklaroi se Real Madridit i janë vjedhur titujt

Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka shkaktuar reagime të shumta pas deklaratave të tij të forta në një konferencë të mbajtur ditë më parë.
Perez pretendoi se Realit i janë “vjedhur” 18 pikë nga gjyqtarët gjatë këtij sezoni në La Liga, ndërsa hodhi akuza edhe në drejtim të Barcelonës, duke thënë se katalanasit kanë “vjedhur” disa tituj kampionati.
Pas këtyre deklaratave, ka reaguar edhe portieri i Barcelonës, Joan Garcia, i cili i cilësoi të pavërteta fjalët e presidentit madrilen.

“Kushdo që e ka parë La Ligan, çdo ndeshje, e di që këto fjalë nuk janë të vërteta. Jemi të qetë dhe të lumtur me Kupën që na u dha pas El Clasicos”, ka thënë 25-vjeçari, shkruan të martën “MundoDeportivo”.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe mesfushori i Barcelonës, Fermín López, i cili e konsideron të pamundur që të vihen në dyshim sukseset e klubit duke pasur parasysh emrat që kanë luajtur ndër vite te katalanasit.

“Ajo që ka thënë Florentino Perez nuk mund të jetë e vërtetë sepse kanë luajtur Lionel Messi, Andres Iniesta dhe Xavi Hernandez. Është e pamundur që Barcelona t’i ketë vjedhur titujt e ligës”, kishte deklaruar Lopez. /Telegrafi/

















































