LAJMI I FUNDIT:

Iniciativat e rëndësishme në Ballkanin Perëndimore që udhëhiqen nga dy shqiptarë

Iniciativat e rëndësishme në Ballkanin Perëndimore që udhëhiqen nga dy shqiptarë

Dy iniciativa në Ballkanin Perëndimore nga fillimi i janarit të këtij viti, janë duke u udhëhequr nga dy shqiptarë. Njëri është nga Republika e Kosovës dhe tjetra është një grua nga Republika e Shqipërisë.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu nga fillimi i këtij viti, udhëheqë me Sekretariatin e Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimore me seli në Trieste të Italisë.


Kurse ish-ministrja e Integrimeve Evropiane të Shqipërisë, Majlinda Bregu ka marrë detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Safet Gërxhaliu udhëheqës i Sekretariatit të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimore me seli në Trieste të Italisë

Safet Gërxhaliu në një prononcim për Telegrafin ka folur për misionin dhe qëllimet e këtij sekretariati.

Ai ka treguar se ky Sekretariat i Odave Ekonomike ka për qëllim fuqizimin dhe promovimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke synuar rritjen e punësimit dhe të investimeve në këto vende.

“Është e vërtetë se një sekretariat i tillë i Odave Ekonomike ka rëndësi të madhe ekonomike, politiko-strategjike dhe mundësi për promovimin e Kosovës dhe ndermarrësisë si dhe të proceseve integruese. Qëllimi është ekonomia dhe bashkëpunimi ekonomike rajonal, dialogu si dhe për t’i eliminuar barrierat dhe të përmirësohet imazhi i Ballkanit Perëndimor, sepse në të kaluarën vendet e rajonit janë njohur si vende të krizave”, tha ai.

Gërxhaliu po ashtu ka treguar se Sekretariati i Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor do ta kenë fokus edhe rritjen e investimeve të huaja. “Rritja e investimeve, hapja e vendeve të reja të punës si dhe zhvillimi ekonomik mund të jenë garanci për stabilitet politik sociale”, tha ai.

Po ashtu sipas ish-kryetarit të OEK-ut, Safet Gërxhaliu, fokus do të jetë edhe edukimi, digjitalizimi, rrjetëzimi i bizneseve në rajon dhe rritja e parametrave të tjera ekonomike.

Në këtë Sekretariat të Odave Ekonomike të Ballkanit Perëndimor i dalë nga procesi i Berlinit, bëjnë pjesë, Kosova, Shqipëria, Serbia Maqedonia dhe Bosnja e Hercegovina.

Ndërkaq, më 4 janar ish-deputetja e PD-së, Majlinda Bregu ka marrë detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, pas emërimit të saj nga ministrat e jashtëm të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore.

Majlinda Bregu Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal

Sekretarja Bregu do të vijojë punën me të gjithë aktorët për avancimin e klimës politike të dialogut, pajtimit, tolerancës dhe hapjes ndaj bashkëpunimit, si parakushte kyçe për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit të Europës Jug-Lindore dhe qytetarëve të saj.

Majlinda Bregu zëvendëson në këtë pozicion Goran Svilanoviqin nga Serbia, i cili e mbajti këtë detyrë për dy mandate të njëpasnjëshme nga viti 2013 deri në vitin 2018.

“Jam e bindur se së bashku, nën drejtimin politik të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP) dhe mbështetjen e Bashkimit Europian, duke përfshirë median, shoqërinë civile, së bashku do të përpiqemi të bëjmë zgjedhje të mençura, që nxisin e mbështesin dialogun me të gjitha grupet në shoqëri”, ka thënë sekretarja Majlinda Bergu, shkruan Telegrafi.

Ajo është shprehur e bindur se ritmi i zhvillimit rajonal do të ndikojë në ritmin e integrimeve të këtyre vendeve. /Telegrafi/