LAJMI I FUNDIT:

Dy fjalë përfundimtare për Bregoviqin

Dy fjalë përfundimtare për Bregoviqin

Mbaron një histori dashurie me dikë dhe nuk jeni në gjendje ta shihni, ta takoni apo të flisni me ish partnerin/en për një kohë të gjatë derisa fundi i historisë të jetë gëlltitur nga të dy.

Debatoni rëndë me një mik/e dhe ka shumë raste që nuk i flisni më dhe marrëdhënia mbyllet pa kthim.


Një fqinj ju thotë diçka të pamenduar mirë dhe e përshëndetni ftohtë për një kohë të gjatë.

Drejtori ju heq padrejtësisht nga puna dhe nuk ia harroni kurrë dhe për ju është një armik i përjetshëm, të cilit nuk doni t’ia dëgjoni as emrin se ju kujtohet koha e vështirë e papunësisë dhe e drejta e shkelur padrejtësisht.

Të gjitha situatat e lartpërmendura nuk mbartin asnjë kufomë dhe ju prapë nuk ia dilni dot ta hidhni prapa krahëve të shkuarën

Në situatat e përmendura më lart njeriu vazhdon të jetojë dhe nuk është i detyruar të kujtojë vajzën e tij të përdhunuar në grup nga serbët, motrën pa varr, foshnjën që ulërinte në mes të natës nga uria, karvanin e qindra njerëzish që dëboheshin nga toka e tyre dhe mijëra jetë të humbura në hi.

Le të rikthemi tek thelbi i këtij artikulli. Goran Bregoviq ftohet të këndojë në Korçë. Për një çast, do të kaloj unë në anën e njerëzve që e servirin Goranin si të papërfshirë në çështjen Serbi-Kosovë dhe thjesht një artist.

Një artist i mirëfilltë nuk mund të jetë shpirtërisht i ndarë nga ngjarjet që ndodhin në vendin e tij. Nuk mund të thotë: Unë merrem veçse me art dhe kaq.

Ne nuk jemi përgjegjës për një komb, por kemi një kombësi individuale. Kombësia individuale shërben për t’u distancuar nga një marrëzi kombëtare.

Një shembull të tillë e ka dhënë një regjisor serb, Çedomir Petroviq, ku në një artikull ka pohuar se serbët kanë vepruar njësoj si nazistët me shqiptarët.

Ai përshkruan pamjet tragjike ku 1500 kufoma grash, burrash e fëmijësh digjeshin në furra. Përshkruan pamjet e tmerrshme ku qindra kufoma kosovarësh dilnin të ngrirë nga frigoriferët për t’u varrosur kush e di se ku.

Ai distancohet nga ky gjenocid dhe beson se Serbia duhet të kërkojë ndjesë dhe serbët duhet të reflektojnë që të mos shihen si simbol i shkatërrimit, plaçkitjes dhe vjedhjes.

Unë nuk e njoh këtë regjisor, por ama di që ai ka zbatuar më së miri konceptin e kombësisë individuale që do të thotë: Askush nuk është përgjegjës për vendin ku lind, për familjen ku rritet dhe për mbiemrin që mban pasi është një fat i paracaktuar, ama kur arrin në një moshë madhore mund të reflektojë dhe të distancohet me pjekuri dhe dinjitet nga një gjenocid.

Në optikën time ky është artisti i mirëfilltë.

Në rastin e Goran Bregoviqit, nuk shohim një distancim të tillë publik dhe ftesa e tij në këtë çast kaq kritik dhe të nxehtë mes Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, është një provokim i shëmtuar dhe një vrasje e dytë e shpirtrave për të cilët drejtësia ende nuk është vënë në vend.

Serbia vazhdon me kokëfortësi vrastare mos ta njohë Kosovën dhe me kokëfortësi akoma më vrastare nuk kërkon ndjesë.

Në të gjithë këtë katrahurë dhe dhimbje njerëzore na shfaqet Gorani që thjesht do të këndojë dhe ne na kërkohet ta shohim thjesht si artist.

Kosovarëve duhet t’u themi se ne e mirëpresim thjesht për tingujt e tij dhe ata duhet të na mirëkuptojnë.

Gorani mund të shihet thjesht si artist në çdo tokë, veçse në një tokë që flet shqip jo. Ka një përgjegjësi të dyfishtë për sa kohë ka vendosur të këndojë në këtë tokë dhe në këtë çast.

Ky koncert nuk është normal dhe pikërisht se më duket anormal, po zbatoj edhe unë dhe të gjithë të tjerët që e kanë kundërshtuar ardhjen e Bregoviqit në Tiranë, konceptin e kombësisë individuale.

Ne thjesht po distancohemi nga Edi Rama sikundër regjisori serb distancohet nga Vuçiqi.

Nuk e zhbëjmë dot Edi Ramën dhe veprimet e tij, por mund të distancohemi prej tyre me anë të fjalës.

Post Scriptum: Zhvillimi i atij koncerti është fyerje për dhimbjen e Kosovës. Kosova nuk e meriton këtë fyerje.