LAJMI I FUNDIT:

Duka në Bologna, takohet me trajnerin e mundshëm të ri të Kombëtares

Duka në Bologna, takohet me trajnerin e mundshëm të ri të Kombëtares

Armand Duka është mjeshtër “i maskimit” dhe i pëlqen që të luajë me shumë emra trajnerësh për të ardhmen e stolit kuqezi.

Enigmatik në disa raste, i vërtetë në të tjera, por duhet të gjesh fillin që i lidh në mes.


Shkarkimi i Christian Panuçit ishte i detyruar dhe sot, ish-mbrojtësi i Romës, vazhdon të paguhet nga federata, që nuk ka mundësinë ekonomike për të afruar emra “big” në stol dhe aq më tepër personazhe që kanë fituar titullin në Itali, si Alberto Zaçheroni (Milan).

Në fillim Roberto Donadoni, më pas Zaccheroni, por duke lënë mënjanë se të dy nuk ulen nga pretendimet ekonomike që prekin pak a shumë 500-600 mijë euro në vit.

Edoardo Reja. (Foto: Dino Panato/Getty Images/Guliver)

Atëherë? Një inskenim i presidentit, për të trazuar ujërat dhe vazhduar punën e përzgjedhjes, që u bë që natën e humbjes me Turqinë, në “Loro Boriçi”.

Në Bologna, ku kreu i FSHF-së ka qenë për arsye pune, sipas asaj që shkruan “Radio Kiss Kiss”, Duka ka takuar Eduardo Rejën, ish-trajnerin e Napolit dhe Atalantas, për të perfeksionuar detajet e fundit ekonomike.

Oferta është mbi tavolinë dhe Reja duhet vetëm të thotë “po”: bëhet fjalë për të njëjtën rrogë që përfitonte Panucci, pra thuajse 250 mijë euro në vit, pa pagën për stafin. Coluçi pritet të jetë ndihmësi i Rejës.