Dua Lipa fotografohet duke u kthyer në shtëpinë e saj në Londër, pas një jave të lodhshme në Javën e Modës në Paris

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, është kthyer në Londër të martën pas një serie pushimesh të mbushura me luks dhe aventura ndërkombëtare.
29-vjeçarja u pa duke rrezatuar stil dhe elegancë, teksa kishte veshur një fustan të shkurtër të zi që nxirrte në pah këmbët e saj të tonifikuara, i kombinuar me çizme me taka që i shtonin disa centimetra në lartësi.
Në duar mbante një çantë të zezë të qepur në formë katrore, ndërsa me vete kishte edhe një valixhe dhe një çantë dore tjetër, shkruan DailyMail.
Pas përfundimit të pjesës britanike të turneut të saj në stadiumin “Wembley” muajin e kaluar, Dua po shijon një periudhë pushimi dhe relaksi.
Së fundmi, ajo mori pjesë në Javën e Modës në Paris, ku ishte një ndër yjet kryesore në sfilatën Haute Couture për sezonin Vjeshtë/Dimër 2025/2026 të shtëpisë Schiaparelli, të mbajtur në Petit Palais.
Për këtë ngjarje, ajo kishte veshur një fustan të bardhë të zbukuruar me detaje ekstravagante, me prerje të guximshme dhe supe të theksuara – një paraqitje që tërhoqi vëmendjen e të gjithëve.
Ky udhëtim në Paris erdhi pas një pushimi vajzash në Mallorca me motrën e saj Rina dhe shoqet e ngushta. Dua ndau me ndjekësit e saj në Instagram një mori fotosh me bikini nga bregdeti, ku shihet duke u argëtuar dhe duke marrë rreze dielli me miket e saj.
Postimin e kishte shoqëruar me mbishkrimin në spanjisht: "Deià con mis hermanaaaas", që do të thotë "Deià me motrat e mia".
Vetëm pak ditë para kësaj, ajo kishte udhëtuar në Bregun e Amalfisë në Itali, ku kaloi disa ditë romantike me të fejuarin e saj të ri, Callum Turner, 35 vjeç.
Çifti u fotografua duke shkëmbyer përqafime dhe momente intime, ndërsa Dua ndau edhe imazhe nga një fluturim me helikopter në këtë vend piktoresk, si dhe një foto të Callum përballë pamjeve mahnitëse të bregdetit italian.
Në një intervistë për British Vogue, Dua konfirmoi se është zyrtarisht e fejuar: "Po, jemi të fejuar. Është diçka shumë emocionuese. Vendimi për të u rritur bashkë, për të ndarë jetën dhe për të qenë shokë të ngushtë përgjithmonë – është një ndjenjë vërtet e veçantë".
Gjatë bisedës, ajo foli edhe për planet familjare, duke pranuar se ende është në dilemë se si do të përshtatet roli i saj si nënë me karrierën muzikore.
"Do të doja të kem fëmijë një ditë", – tha ajo.
"Por është një pyetje që më mundon shpesh – kur do të ishte koha e duhur, si do të funksiononte me turnetë dhe sa shumë kohë do të më duhej të ndaloja.
E di që kjo do të ndodhë kur të jetë e shkruar. E dua shumë idenë e të pasurit fëmijë, por mendoj se të rritësh një fëmijë kërkon shumë më tepër sesa thjesht dashuria për ta".
Sa i përket martesës, Dua shpreson ta përfundojë turneun, ndërsa Callum projektet e tij filmike, përpara se të martohen.
Çifti u lidh për herë të parë në janar të vitit 2024, ndërsa fejesa besohet të ketë ndodhur gjatë festave të fundvitit.
Sipas saj, ata kanë pasur disa “momente Sliding Doors”, ku kanë qenë në të njëjtin vend, në të njëjtën kohë, pa e ditur, derisa janë prezantuar për herë të parë në restorantin River Café në Londër.
Një vit më vonë, gjatë një darke me mikun e saj Mustafa the Poet në Los Angeles, Callum papritur ishte shfaqur aty – dhe gjithçka ndryshoi që nga ajo natë. /Telegrafi/


































































