LAJMI I FUNDIT:

Dy ditët e emisarëve në Kosovë, Lajçak i kënaqur: Opozita me mirëkuptim për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Dy ditët e emisarëve në Kosovë, Lajçak i kënaqur: Opozita me mirëkuptim për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë (të martën), emisari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se është ndarë i kënaqur nga takimet me partitë opozitare në Prishtinë, që i pati bashkë me të dërguarin e ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Emisarët nga SHBA dhe BE vizitën në Kosovë të martën e kanë vazhduar me takime me përfaqësues të partive opozitare dhe të Listës Serbe.


Lidhur me takimet e së martës emisari i BE-së, Miroslav Lajçak ka bërë një postim në rrjetit social Twitter

“Sot, emisari amerikan dhe unë, kemi takuar partitë politike opozitare në Kosovë. Me kënaqësi dëgjova mirëkuptimin e tyre për rëndësinë dhe mbështetjen ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve”, ka shkruar Lajçak, shkruan Telegrafi.

Përfaqësuesit e partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thanë se në takim me diplomatët perëndimorë kanë shprehur mbështetje për dialogun si mekanizëm që siguron njohjen e ndërsjellë, pa e cenuar, sipas tyre, sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi njoftoi se me Escobar e Lajçak kanë diskutuar për zhvillimet politike në Kosovë dhe për rolin e PDK-së karshi këtyre zhvillimeve si udhëheqëse e opozitës në vend.

“PDK mbështetë dialogun si mekanizëm për arritjen e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron njohjen e ndërsjellë, pa cenuar sovranitetin shtetëror, integritetin territorial dhe rendin kushtetues”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke folur për takimin me emisarin amerikan dhe atë të BE-së, tha se i ka njoftuar ata për qëndrimet e LDK-së karshi situatës politike, me theks të veçantë për procesin e dialogut.

Ai bëri të ditur edhe njëherë që LDK-ja mbështet procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve – duke respektuar integritetin territorial, sovranitetin dhe rendin kushtetues te Kosovës.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, pas takimit me Escobar dhe Lajçak, ka thënë se ka ripërsëritur përkushtimin e Kosovës për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, shkruan Telegrafi.

Në takimin me dy emisarët, atë të SHBA dhe BE, përfaqësuesit e Listës Serbe, kanë parashtruar shumë kërkesa dhe kanë bërë shumë ankesa.

Në komunikatën e Listës Serbe, thuhet se përfaqësuesit e Listës Serbe kanë vënë në dukje obligimet e palës kosovare nga dialogu i Brukselit, sidomos sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq theksoi se Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton qëllimet e Prishtinës për të minimizuar obligimet e tyre lidhur me juridiksionin e Asociacionit të Komunave serbe, por edhe detyrimeve të tjera nga marrëveshja e arritur, siç janë çështjet në fushën e drejtësisë, energjisë, diplomave dhe realizimin e vizitave të zyrtarëve [të Serbisë] tek serbët në Kosovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Lajçak, në ditën e dytë të vizitës në Prishtinë, është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile.

Ai me këtë rast ka thënë se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm në promovimin e pajtimit ndërmjet komuniteteve.

“I kënaqur që takohem me përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë. Ata kanë një rol të rëndësishëm në komunikimin e përfitimeve të normalizimit për qytetarët, promovimin e pajtimit dhe ndërtimin e urave ndërmjet komuniteteve”, ka shkruar diplomati sllovak në Twitter.

Escobar dhe Lajçak të hënën (31 janar) nisën vizitën e tyre në Kosovë, duke u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Gjatë një konference për media, Escobar tha se SHBA-ja përkrah plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t’ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

Ndërkaq, Lajçak tha se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë “ngushtë” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për vizionin e së ardhmes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media me Escobarin dhe Lajçakun, me 31 dhjetor, ka thënë se është i gatshëm t’iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë atyre serbë.

“Do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara”, ishte shprehur Kurti.

Lajçak dhe Escobar para përfundimit të vizitës në Kosovë sot do të mbajnë një konferencë për shtyp përmes platformës online “Zoom”. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Sondazhi i IRI: Kosova e sheh Serbinë si kërcënim, ndërsa Serbia i konsideron SHBA-të

Sondazhi i IRI: Kosova e sheh Serbinë si kërcënim, ndërsa Serbia i konsideron SHBA-të

Lajme
Çfarë thuhet në aktakuzën e vitit 2021 ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Pejë?

Çfarë thuhet në aktakuzën e vitit 2021 ndaj të dyshuarit për vrasjen e gruas në Pejë?

Drejtësi
Komiteti i KiE-së ia rrëzon amendamentet Serbisë që anëtarësimi i Kosovës të lidhet me Asociacionin

Komiteti i KiE-së ia rrëzon amendamentet Serbisë që anëtarësimi i Kosovës të lidhet me Asociacionin

Lajme
“Pasnesër do t'i mbushte 43 vjet, ai që e deshi shumë ia mori jetën” – familjarja tregon për raportin që kishte me bashkëshortin e ndjera që u vra sot në Pejë

“Pasnesër do t'i mbushte 43 vjet, ai që e deshi shumë ia mori jetën” – familjarja tregon për raportin që kishte me bashkëshortin e ndjera që u vra sot në Pejë

Lajme
Specialja shenjëstron tre raste të reja - të përfshirë 30 persona, konfiskon mijëra euro, vetura e telefona

Specialja shenjëstron tre raste të reja - të përfshirë 30 persona, konfiskon mijëra euro, vetura e telefona

Drejtësi
Benjamina Kariq: Për herë të parë, zyrtarisht vendosen lidhjet mes Sarajevës dhe Prishtinës

Benjamina Kariq: Për herë të parë, zyrtarisht vendosen lidhjet mes Sarajevës dhe Prishtinës

Politikë
Kalo në kategori