LAJMI I FUNDIT:

Në takim me Escobarin dhe Lajçakun, Lista Serbe me kërkesa e ankesa

Në takim me Escobarin dhe Lajçakun, Lista Serbe me kërkesa e ankesa

I dërguari i  Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel  Escobar dhe Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, kanë takuar sot përfaqësuesit e Listës Serbe me të cilët kanë biseduar për procesin e dialogut, me fokus të veçantë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në takimin me dy emisarët, atë të SHBA dhe BE, përfaqësuesit e Listës Serbe, kanë parashtruar shumë kërkesa dhe kanë bërë shumë ankesa.


Në komunikatën e lëshuar nga ky takim, thuhet se përfaqësuesit e Listës Serbe vunë në dukje obligimet e palës kosovare nga dialogu i Brukselit, sidomos sa i përket formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq theksoi se Marrëveshja e Brukselit është e qartë dhe se populli serb kundërshton qëllimet e Prishtinës për të minimizuar obligimet e tyre lidhur me juridiksionin e Asociacionit të Komunave serbe, por edhe detyrimeve të tjera nga marrëveshja e arritur, siç janë çështjet në fushën e drejtësisë, energjisë, diplomave dhe realizimin e vizitave të zyrtarëve [të Serbisë] tek serbët në Kosovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Telegrafi.

Më tej thuhet se në takim përfaqësuesit politikë serbë kërkuan që sa më shpejt të forcohet siguria e serbëve, pronat e tyre si dhe pronat e Kishës Ortodokse Serbe.

“Në të njëjtën kohë, bashkësisë ndërkombëtare i është kërkuar të bëjë përpjekje dhe të parandalojë lëvizjet e njëanshme të Prishtinës, me të cilat rrezikojnë sigurinë, paqen dhe bashkëjetesën në këto hapësira”, thuhet në komunikatë.

Escobar dhe Lajçak janë takuar të martën, veç e veç, me kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Liderët e partive opozitare në Kosovë, gjatë një takimi që kanë zhvilluar të martën me Escobarin dhe Lajçakun, kanë thënë se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë, duhet të bëhet duke mos cenuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe të përmbyllet me njohjen e ndërsjellë.

Më 31 janar, Escobar dhe Lajçak nisën vizitën e tyre në Kosovë, duke u takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti.

Gjatë një konference për media, Escobar tha se SHBA-ja përkrah plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.

Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.

“Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t’ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.

Ndërkaq, Lajçak tha se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë “ngushtë” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për vizionin e së ardhmes.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencën e përbashkët për media me Escobarin dhe Lajçakun, me 31 dhjetor, ka thënë se është i gatshëm t’iu përgjigjet kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve të Kosovës, përfshirë atyre serbë.

“Do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Çka tha diplomati slloven Zhbogar në OKB që u irritua Vuçiqi?

Lajme
Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Kërkesat e shumta për dokumente personale, MPB zgjat orarin për ofrimin e shërbimeve - do të punohet edhe të shtunave

Lajme
Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Organizatori i protestave anti-Vuçiq në Beograd, Manojloviq: Unë jam gjallë falë besës së shqiptarit

Lajme
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
Kalo në kategori