Dinamo City e ilir Dajës është sërish fituese e Kupës së Shqipërisë, pasi triumfoi 3-2 ndaj Egnatias në “Arenën Kombëtare”, duke e mbrojtur trofeun për të dytin vit radhazi.

Finalja e luajtur në kryeqytet nisi me ritëm të lartë dhe u ndikua shpejt nga një episod vendimtar, pasi Egnatia mbeti me 10 lojtarë që në minutën e 10-të, pasi Bakayoko u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të rëndë ndaj portierit Teqja. Ky i fundit u detyrua të linte fushën me ambulancë.


Dinamovitët përfituan nga epërsia numerike dhe kaluan në avantazh në minutën e 23-të me Malomo Ayodeji, ndërsa vetëm gjashtë minuta më pas, David Bregu dyfishoi shifrat, duke e çuar rezultatin në 2-0.

Në pjesën e dytë u rikthye baraspesha numerike në fushë, pasi Malomo u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë për vonesa loje dhe la Dinamon me 10 lojtarë.

Egnatia u rikthye në lojë në minutën e 81-të, kur Nikola Buric ngushtoi diferencën në 2-1.

Megjithatë, reagimi i Dinamos ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 84-t, Ibrahim Mustapha shënoi golin e tretë, duke i dhënë një goditje të fortë rrogozhinasve.

Në minutat shtesë, Daniel Adjessa realizoi për 3-2, por koha nuk mjaftoi për një përmbysje dhe Dinamo e mbylli finalen fituese.

Me këtë sukses, Dinamo konfirmon dominimin në këtë kompeticion dhe mbetet kampione në fuqi e Kupës së Shqipërisë, duke e fituar trofeun për të dytin sezon radhazi. /Telegrafi/

telegrafi sport app