LAJMI I FUNDIT:

Diktatura pa humor ose mungesa e barsoletave shqiptare mbi socializmin

Diktatura pa humor ose mungesa e barsoletave shqiptare mbi socializmin
Ilustrim

Nga: Shannon Woodcock

Abstrakt. Në këtë artikull shqyrtohet mungesa e barsoletave në Shqipërinë post-socialiste në lidhje me regjimin socialist dhe liderët e tij. Ndryshe nga vende të tjera post-komuniste, si Rumania, ku barsoleta të tilla janë të shumta dhe tregohen shpesh, në Shqipëri ka një mungesë të theksuar të barsoletave mbi periudhën e socializmit. Edhe ato barsoleta të pakta që ekzistojnë, më shumë sesa socializmin dhe liderët e tij, vënë në lojë vetë qytetarët dhe popullin si viktima të regjimit. Në këtë artikull eksplorohen disa nga arsyet se përse barsoleta mbi regjimin munguan në Shqipërinë socialiste. Disa nga këto arsye kanë të bëjnë me ashpërsinë e diktaturës komuniste në Shqipëri, të tjera me specifikat e shoqërisë së mbyllur dhe pak të urbanizuar shqiptare gjatë socializmit. Por, një nga arsyet themelore që theksohet në këtë artikull është fakti se shumë më tepër sesa në vende si Rumania, në Shqipëri regjimi komunist dhe diktatori Enver Hoxha ishin pjesë e projektit kombformues. Komunizmi dhe kombformimi shqiptar ishin pjesë e të njëjtit projekt, çka shpjegon edhe identifikimin intensiv të popullatës me regjimin dhe mungesën relative të barsoletave mbi regjimin dhe liderët e tij gjatë apo pas periudhës socialiste.

Hyrje

Shqiptarët më njohën me vendin e tyre nëpërmjet barsoletave. Gjatë dy viteve që jetova dhe punova në Shqipëri, në vitet 2003-2005, më tregonin barsoleta për të portretizuar stereotipat rajonalë, bënin shaka me ndryshimet mes fshatit dhe qytetit dhe ironizonin mënyrat se si besimtarët myslimanë, katolikë dhe ortodoksë kishin jetuar në paqe së bashku. Ajo që nuk dëgjova në Shqipëri ishin barsoletat për periudhën socialiste ose për socializmin në përgjithësi. Kishte barsoleta për politikanët bashkëkohorë, por në asnjërën prej tyre nuk përmendej Enver Hoxha, diktatori që u shfaq në mënyrë të frikshme për 40 vjet me radhë me anë të regjimit të tij të izolimit, mungesave të herëpashershme në ushqime dhe punës së rëndë. Mungesa absolute e barsoletave politike për socializmin shqiptar në bisedat, kujtimet dhe shkrimet akademike postsocialiste është një fakt shumë befasues në krahasim me vende të tjera postsocialiste evropiane, të tilla si Rumania, ku barsoletat nga periudha socialiste ishin të shpeshta dhe tregoheshin qëkur Çaushesku ishte gjallë dhe vazhdojnë të qarkullojnë akoma sot në rrethe të ndryshme formale dhe informale.

Si është e mundur që Rumania dhe Shqipëria, dy vende që shpesh identifikohen së bashku si diktaturat komuniste më të ashpra, kanë kultura postsocialiste kaq të ndryshme në tregimin e barsoletave? Ashtu siç shkruan Donna Goldstein, humori ka një ndikim të rëndësishëm në analizën sociale, “sepse ai tregon ambiguitetin, kontradiktën, paradoksin dhe paqëndrueshmërinë, ndërkohë që nxit interpretime të shumta për botën”.[1] Në Rumani barsoletat në lidhje me periudhën socialiste tregojnë se si e kaluara e afërt funksionon në të tashmen postsocialiste dhe evropiane, ndërsa për Shqipërinë është e qartë mungesa e barsoletave për socializmin, çka më nxiti që të zbuloj se si kuptohej dhe kujtohej e kaluara diktatoriale aty.

Në këtë studim do përpiqem të gjej sasinë, përmbajtjen dhe hapësirat e barsoletave të treguara për socializmin shqiptar që ekzistoi përpara vitit 1992 dhe rrugëve me anë të të cilave socializmi është i përjashtuar nga diskutimi publik edhe tani pas (afërsisht) 15 vjetësh nga hapja e kufijve.[2] Gjatë bërjes së këtij kërkimi, kam gjurmuar trajtat e humorit politik në forumet në internet të tilla si listimet shqiptare dhe faqet e chat-it, si dhe e kam plotësuar këtë me intervista formale dhe informale me kolegë dhe miq shqiptarë në Shqipëri dhe me një sondazh me diasporën shqiptare.[3] Shakatë për politikën në formën e një strukture anekdote janë një formë e veçantë e humorit, që mblidhet dhe studiohet në mënyrë relativisht të lehtë, megjithëse kjo gjë nuk është bërë aspak në studimet akademike për Shqipërinë. Gjithsesi, barsoletat janë thjesht një përfaqësim i kufizuar i humorit të një periudhe të dhënë. Ndërsa, ky studim analizon barsoletat politike të stilizuara për diktatorët dhe socializmin, ai nuk merret me natyrën e humorit në programet televizive dhe gazetat e sanksionuara nga shteti, të cilat në kontekstin shqiptar ndiqnin linjën shtetërore.[4] Barsoletat politike në Evropën socialiste kalonin kufijtë, përktheheshin, përmirësoheshin, botoheshin në libra dhe në internet pas vitit 1989, dhe madje edhe përshtateshin përsëri për personazhet e rinj në pushtet. Në Rumani barsoletat kundër regjimit socialist kishin të bënin kryesisht me radhët e gjata të ushqimeve dhe me transportin publik dhe akoma tregohen me kënaqësi për të gjithë shtresat e shoqërisë.[5] Në kundërshtim me këtë, kam gjetur shumë pak barsoleta politike për periudhën e Enver Hoxhës dhe me origjinë nga kjo periudhë, ndonëse ka barsoleta pafund për politikën e pas vitit 1992.[6]

Në kundërshtim me Rumaninë, në Shqipëri ka shumë pak gjëra të shkruara për historinë, e tanishme ose më të hershme, të tregimit të barsoletave.[7] Megjithatë, tradita e tregimit të barsoletave në ritualet formale të komunitetit si dasmat apo kafenetë është mjaft e përhapur, dhe tani kanë filluar të qarkullojnë barsoleta që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore, pra tregimi i barsoletave është një ngjarje sociale popullore. Për shembull ndarjet më të mëdha të identiteteve rajonale shqiptare janë artikuluar dhe janë bërë subjekt i shumë barsoletave, të tilla si më poshtë:

Tre gra janë duke pritur në maternitet për të lindur. Doktori shkon te gruaja nga Korça dhe i kërkon që të këndojë një këngë të bukur. Ajo këndon dhe menjëherë del fëmija. Më pas ai shkon tek gruaja nga Shkodra dhe i kërkon asaj që të tregojë një barsoletë. Ajo tregon barsoletën dhe menjëherë del fëmija. Ai shkon dhe tek gruaja e tretë që është nga Vlora dhe ajo këndon, pastaj tregon një barsoletë, por fëmija nuk lëviz. I nervozuar doktori bërtet: “Mallkuar qofsh ti dhe nëna që të ka bërë” dhe pikërisht në këtë moment del fëmija.[8]

Sipas stereotipave rajonalë, jugorët këndojnë, vlonjatët (labët) zihen, ndërsa tregimi i barsoletave është një stereotip më vete për kryeqytetin e veriut, Shkodrën. Këto ishin stereotipat shqiptarë përpara periudhës socialiste, të cilat u konsoliduan nëpërmjet tregimit të barsoletave në periudhën socialiste, dhe sot mbeten një nga rrugët kryesore të organizimit të identitetit shqiptar.

“Tregojmë barsoleta që bëjnë për të qeshur, jo barsoleta me Enver Hoxhën”

Meqenëse Shqipëria shpesh konsiderohet si një rast i veçantë, nuk është për t’u habitur që një nga diktaturat më të izoluara dhe më të ashpra siç ishte ajo e Enver Hoxhës është e papajtueshme me humorin, por nga ana tjetër, Shqipëria është i vetmi vend ndër ish- shoqëritë socialiste evropiane që i mungonin rrethet e barsoletave politike, të cilat talleshin me udhëheqësin dhe “shoqërinë e re” që ai kërkonte të krijonte.[9] Enver Hoxha e sundoi Shqipërinë nga viti 1946 deri me vdekjen e tij në 1985. Sipas historianit Isa Blumi, Hoxha zhvilloi një shtet socialist, i cili u bazua në strukturat sociale familjare dhe rajonale ekzistuese, një diktaturë e klaneve toskë të jugut kundër klaneve gegë të veriut.[10]

Kanalet tradicionale të organizimit social u shndërruan në kanale të kontrollit shtetëror, duke përdorur mekanizma të kontrollit shoqëror, si rëndësia e familjes mbi atë të individit apo vlera si besa, nderi dhe farefisi. Në shoqërinë tradicionale shqiptare turpërimi i vetvetes sjell turpërimin e gjithë familjes dhe kështu nën juridiksionin socialist, shkeljet e presupozuara të një individi sollën persekutimin e zgjeruar të familjes së tij/saj, që shpesh shoqërohej me shpërnguljen në një vend tjetër ose me burgosjen e tyre.[11] Shqipëria është një vend malor dhe me një popullsi të vogël, e cila numëronte vetëm 1.13 milionë banorë në vitin 1946 dhe 3.11 milionë banorë në vitin 1992.[12] Individët ishin të kufizuar si nga lidhjet familjare ashtu edhe nga lëvizshmëria e ulët sociale dhe fizike, e cila ishte e mundur vetëm brenda një shteti të mbyllur dhe të vogël nën socializëm. Industrializimi dhe urbanizimi i pakët nuk siguruan as anonimitetin dhe as mundësinë për mobilitet social, aq sa ishte e mundur në rastin e Rumanisë. Hoxha i ndërpreu lidhjet me Jugosllavinë, Rusinë dhe në vazhdim edhe me Kinën, vazhdoi të mbante gjendjen e luftës me Greqinë dhe militarizoi rëndë vendin, duke krijuar një gjendje të vazhdueshme frike, sipas së cilës Shqipëria si komb ishte gjithmonë në rrezik. Ashtu siç deklaronte dhe pasuesi i Hoxhës, Ramiz Alia, Hoxha u bë udhëheqës “atëherë kur Shqipëria ishte në udhëkryq të historisë, kur vetë ekzistenca e popullit dhe kombit shqiptar ishte vënë në dyshim… ai shihte si një nevojë të madhe krijimin e një partie komuniste, si një pikë kyçe për të shpëtuar atdheun dhe për të ndriçuar popullin”.[13]

Në nenin 55 të Kodit Penal, të titulluar “Propaganda dhe Agjitacioni me karakter Fashist, Antidemokratik, Fetar, Luftë-nxitës dhe Antisocialist”, një individ mund të dënohej minimumi me tetë vjet burg, ose maksimumi, në kohë lufte, me 25 vjet burg ose me vdekje, në qoftë se bënte një koment ose tregonte një anekdotë, e cila interpretohej si kundër socializmit. Sipas një kërkimi të Agim Mustës, aktivisti më prolifik për njohjen e krimeve të kryera në Shqipërinë socialiste ndërmjet viteve 1945 dhe 1992, ka pasur 5487 ekzekutime politike, 19 250 njerëz të internuar ose të shpërngulur brenda vendit dhe 11 536 familje të përjashtuara jashtë kufijve.[14] Duke pasur parasysh që popullsia shqiptare ishte më pak se tre milionë banorë, këto shifra tregojnë dimensionin e lartë të persekutimit politik. Një nga filmat e paktë që përshkruan brutalitetin e regjimit socialist është Vdekja e Kalit, realizuar në vitin 1995.[15] Në këtë film, protagonisti burgoset vetëm sepse në kundërshtim me dëshirën e shefit, nuk vrau një kalë, çka çoi drejt vdekjes gruan e tij pas një aborti të paligjshëm dhe familja u internua në një kamp pune të detyruar.[16] Ndërsa familja e tij po internohej natën, fqinjët që shikojnë nga dritaret spekulojnë arsyet pse familja e të dënuarit po pëson këtë fat dhe dikush pëshpërit se ndoshta ai ka treguar ndonjë barsoletë në punë. Në fakt, njerëzit besonin se në Shqipëri mund të arrestoheshe jo vetëm po të ankoheshe apo talleshe me realitetin e ashpër të mungesës së ushqime dhe lirisë (si agjitacion dhe propagandë kundër socializmit). Besohej gjerësisht se edhe tregimi i barsoletave ishte një pretekst i mirë për persekutim politik.

Gegët e veriut persekutoheshin në mënyrë të vazhdueshme nga regjimi socialist që kontrollohej kryesisht nga toskët, që i konsideronin gegët si më pak të zhvilluar, të zhytur në kulturën tradicionale dhe ligjet kanunore dhe më besimtarë (si katolikë) sesa jugorët myslimanë.[17] Stereotipi që ishte krijuar për shkodranët si tregues barsoletash u gërshetua me stereotipin e gegëve si armiqtë më të mundshëm të regjimit. Dhe është interesante për t’u përmendur që megjithëse shumë nga ata që më treguan barsoleta politike, ndonëse në moshë të mesme dhe të rritur në Tiranë, shpesh theksonin se origjina e këtyre barsoletave ishte nga Shkodra, duke zhvendosur në këtë qytet jo vetëm skenarët e barsoletave, por edhe aktin anti-komunist të tregimit të barsoletave. Një mikeshë nga Tirana, duke iu përgjigjur kërkesës time për barsoleta, më dërgoi me postë elektronike një anekdotë politike që zhvillohej në Shkodër dhe më tha që nuk e kuptonte se pse miqtë e saj shkodranë nuk ia kishin treguar akoma këtë anekdotën.[18] Kur unë i bëra këtë pyetje miqve të saj shkodranë, njëri nga ata m’u përgjigj se “ne tregojmë barsoleta që bëjnë për të qeshur, jo barsoleta me Enver Hoxhën”.[19]

Për t’u mbrojtur nga një pushtim i mundshëm nga trupat ushtarake amerikane dhe ruse, fabrikat shqiptare prodhuan 180 000 bunkerë çimentoje deri në vitin 1985, pa përmendur miliona shtylla betoni dymetroshe me majë hekuri kundër parashutistëve që mund të hidheshin nga qielli.[20] Fabrikat e nëndheshme prodhonin armë. Fatos Lubonja, filozofi që u burgos për “propagandë dhe agjitacion” ndërmjet viteve 1974 dhe 1991, tregon se “në regjimin totalitar të izoluar të Hoxhës, shqiptarët u mëkuan të besojnë që ata ishin “kërthiza e botës”, një parajsë në mes fuqive të tjera “djallëzore”.[21] Për shembull, Lubonja kujton që kur ai ishte një i burgosur politik dhe lajmet e filtruara nga regjimi flisnin për takimin e parë midis presidentit Bush dhe Gorbaçovit, qytetarët besonin që dy udhëheqësit botërorë ishin takuar vetëm e vetëm që të vendosnin se çfarë të bënin me Shqipërinë. “Që të dyja, si tërheqja e vëmendjes botërore ashtu dhe shfaqja e paranojës për ambiciet e botës së jashtme, ishin tiparet thelbësore të socializmit ideologjik”.[22] Kjo paranojë e vazhdueshme ndaj pushtimit ndërkombëtar u përdor për të justifikuar kontrollin e “disidencës” së brendshme për të mirën e “kombit”. Vizioni i një kombi shqiptar të pavarur ishte një qëllim që e kishte për zemër vetë “populli shqiptar”, duke përfshirë dhe ata që ishin në burg, dhe Hoxha perceptohej kështu si një udhëheqës që kishte për zemër vetëm interesat e “kombit”, megjithëse kërcënimi ndaj këtij vizioni të përbashkët ishte një terror i sajuar.

Në Rumani, anonimiteti i popullatave dhe qyteteve të mëdha siguroi njëfarë lirie për tregimin e barsoletave, u krijua një grup alternativ dhe paralel identiteti kundër regjimit, gjë që natyra shumë e strukturuar dhe e vogël e shoqërisë shqiptare nuk e lejoi. Shpërngulja e vazhdueshme e familjeve shqiptare brenda Shqipërisë konsolidoi akoma më shumë mosbesimin ndaj të panjohurve, aq sa vetë njerëzit u mbyllën përballë atyre që shteti i quante “armiq të popullit”. Radhët e gjata të ushqimeve dhe transporti publik i mbipopulluar nuk ishin vende të përshtatshme për barsoleta kundër partisë në Shqipëri sikurse në Rumani. Në Rumani nuk kishte shumë gjasa që agjentët sekretë (securitate) të qëndronin gjithë natën në radhë dhe tregimi i një anekdote për të matur të qeshurën e tjetrit ishte edhe një provë se kujt mund t’i besoje.[23] Ndërsa në Shqipëri, përveç atyre që banonin te “blloku”, të gjithë të tjerët duhej të qëndronin në radhë të gjata, duke përfshirë dhe sigurimsat. Një i intervistuar, kur po e pyesja se në cilin vend mund të tregoheshin barsoleta, u përgjigj se “mund të tregoheshin barsoleta gjatë ndeshjeve të sportit, por duke pasur shumë frikë, mund të thuheshin vetëm gjëra të tilla si: “jam duke ngrënë bukë me gjalpë”, ose “nuk kam bukë” dhe mënyra se si thuheshin këto mund të nxiste ose jo dyshime për propagandë”.[24]

Diktatori si mbrojtës dhe “njeriu i ri” i uritur

Në sytë e njerëzve Enver Hoxha nuk ishte thjesht një diktator, por gjithashtu një udhëheqës që punoi për të realizuar qëllimin e përbashkët, mbijetesën e kombit shqiptar. Një nga tabutë e literaturës postsocialiste janë ndjenjat e dyfishta që të shtypurit kanë për diktatorët/mbrojtësit e kombit të tyre. Si historiane, më intereson heshtja dhe qetësia e shqiptarëve për të kaluarën socialiste, veçanërisht kur e krahasoj me Rumaninë. Ndërsa rumunët luftuan nëpër rrugë dhe filmuan ekzekutimin e Çausheskut që e ritransmetuan gjatë gjithë vitit 1989 (dhe në çdo Krishtlindje këtej e tutje), shqiptarët mbajtën zi për vdekjen e Enver Hoxhës në vitin 1985 dhe toleruan vazhdimin e qeverisjes së hekurt të Ramiz Alisë deri në vitin 1992. Ajo që më habiti ishte mënyra se si në vitin 2003 Ramiz Alia akoma shfaqej nëpër kafenetë publike dhe familja e Hoxhës ishte subjekt interesi nëpër gazeta. Në Rumani, gazetat intelektuale të tilla si Dilema kanë prodhuar së fundi botime, të cilat i përkasin temës së barsoletave të periudhës socialiste dhe blog-et nostalgjike për periudhën socialiste prodhohen me shumicë nga individë që kanë qenë fëmijë në vitin 1989, si dhe nga nacionalistët rumunë.[25] Ndërsa në Shqipëri nostalgjia për të kaluarën socialiste është e kufizuar tek një grup të moshuarish ose tek një fraksion i vogël i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilët janë të pranishëm në një faqe në internet që administrohet nga Italia.[26] Kur dikush në një chat list shqiptare tregon një anekdotë me temë nga e kaluara, ajo ose injorohet ose prodhon reagimin e një përdoruesi tjetër të forumit, i cili menjëherë deklaron që komentet mbi komunizmin/ burgun/ persekutimin nga shteti nuk janë për të qeshur. Pra, duket se faktet nga e kaluara socialiste nuk konsiderohen një çështje me të cilën mund të bëhet humor dhe madje ndonjëherë trajtohen me mjaft trishtim.

Barsoletat e pakta politike që munda të gjej duke iu lutur të intervistuarve gjatë intervistave kanë një tipar të përbashkët në atë që përbën humorin brenda tyre; dhe kjo nuk është sjellja qesharake e diktatorit, por varfërimi i vazhdueshëm i shqiptarëve nën sundimin e Hoxhës. Në studimin e tij për humorin, Bergson-i thekson që kontrasti midis njeriut dhe makinës shpesh është komik, dhe në këto barsoleta shqiptare trupi njerëzor tradhton “njeriun e ri” ideologjik të socializmit me anë të urisë që ai shfaq.[27] Një anekdotë e vërtetë që shfaqet në një faqe të njohur në internet vë në lojë një parullë të partisë “edhe bar do të hamë dhe armiqve nuk do t’i shtrimë dorën”.

Një fshatare e varfër i thotë të shoqit: “Familja jote po vdes nga uria, shko në Tiranë dhe kërkoi udhëheqësve tanë të na ndihmojnë. Kështu, fshatari zbret në Tiranë, troket në derën e parë që ia hap Mehmet Shehu, krahu i djathtë i Hoxhës. “Shoku Shehu”, thotë fshatari, “familja ime po vdes urie dhe unë më mirë do të haja bar sesa t’i shtrija dorën armikut …” Shehu i thotë: “Ke bërë gjënë e duhur”. I jep 100 lekë dhe mbyll derën. Duke kujtuar porosinë e gruas së tij, fshatari shkon në shtëpinë e Enver Hoxhës dhe troket. Kur Enveri përgjigjet, fshatari i thotë: “Xhaxhi Enver, familja ime po vdes nga uria dhe më mirë do haja bar sesa t’i shtrija dorën armikut për ndihmë”. Enveri i përgjigjet: “Shok, ti ke bërë gjënë më të duhur. Fillo të hash në këtë anë të oborrit dhe në qoftë se je akoma i uritur mund të vazhdosh edhe mbrapa tij”.[28]

Një anekdotë e ngjashme me këtë të fundit m’u tregua nga një mik në Tiranë, i cili më këshilloi që barsoletat t’ua kërkoja shkodranëve:

Një ditë Z. Xhemal Dymylja, kryetari i Bashkisë së Shkodrës, pa një tufë me njerëz që po hanin bar përreth statujës së Tre Heronjve në sheshin qendror të qytetit. Në atë moment ai filloi t’i bërtiste atyre “Çfarë po bëni?! Shoku Mehmet do vijë të na vizitojë javën tjetër dhe ju po hani barin! Tani ejani merrni 100 lekë dhe ikni tutje!” Një javë më vonë vjen Shehu dhe sheh njerëz që ishin ulur me duar dhe me gjunjë duke ngrënë bar në fund të statujës dhe edhe iu tha: “Shokë! Javën tjetër këtu vjen Enver Hoxha! Ejani merrni 500 lekë dhe ikni tutje!” Një javë më vonë një makinë e zezë ndalon në shesh dhe prej andej zbret Enver Hoxha. Ai sheh që ka disa njerëz që po hajnë bar në bazën e statujës, ecën drejt tyre dhe u thotë: “Mos e hani tani të gjithë, kemi një dimër të gjatë përpara!”[29]

Në të gjitha barsoletat, protagonisti njerëzor shqiptar mbetet një socialist i mirë, që ndjek fjalë për fjalë udhëzimet socialiste, duke parapëlqyer më mirë të hajë bar sesa t’i shtrijë dorën armikut për ndihmë, ndërsa nga ana tjetër, është përkushtimi i Enver Hoxhës për të njëjtën doktrinë për të cilën ai është gati të sakrifikojë qytetarin socialist shqiptar më shumë sesa ta mbështesë atë. Populli shqiptar do të parapëlqente më shumë të hante bar sesa t’i kërkonte ndihmë ndokujt (d.m.th. armikut). Aspekti humoristik i anekdotës është supozimi i Hoxhës që trupi mund të ndryshojë në mënyrë që t’i përshtatet ideologjisë, në vend që të jetë sistemi ideologjik i aftë për të lehtësuar nevojat themelore njerëzore për ushqim; papërputhshmëria e utopisë ideologjike me realitetin fizik.

Këtë anekdotë ia tregova një grupi shkodranësh në një takim social në Sidnej, të cilët reaguan me një të qeshur të mbytur – ata nuk e kishin dëgjuar anekdotën më parë – dhe më pas një burrë bëri një koment: “Po, ata me të vërtetë donin të na vrisnin”[30] Është interesante për t’u theksuar që barsoletat ishin të njohura dhe në bastionet e partisë, ku veprimi i tyre zhvendoset gjithmonë në Shkodër, e cila shërben si Tjetri politik dhe kulturor, me një reputacion të steriotipiziuar si vendi i barsoletave dhe i rezistencës ndaj shtetit. Nuk mendoj që këtu kemi të bëjmë me ndonjë konspiracion politik, por thjesht me mënyrën se si Shkodrani shërben si Tjetri (barsoletaxhiu), ku projektohet dhe zhvendoset ndjenja anti-sistem e atij/asaj që tregon barsoletën.

Ndryshe nga Rumania, ku barsoletat në lidhje me socializmin ishin kanali i parë i informacionit për regjimin e kaluar, shpesh në Shqipëri m’u desh të pyesja direkt se si jetohej në vitet 1980. Në kontekstin e një bisede që pata me nënën e një kolegu për radhët e qumështit që fillonin në orën tre të mëngjesit, tregova shakanë e mëposhtme, që është mjaft e njohur në Rumani:

Një burrë kishte qëndruar në radhë për tre orë rresht pa lëvizur dhe ai papritur thotë: “Më ka ardhur në majë të hundës! Do shkoj të vras Çausheskun!” Lë një shishe në vendin e tij dhe largohet. Kur kthehet gjashtë orë më vonë, të gjithë e pyesin “Hë?! E vrave?”. Ai thotë: “Jo, radha ishte shumë e gjatë, por lashë një shishe për të ruajtur radhën dhe atje!”

Askush nuk qeshi dhe gruaja shqiptare që kishte qenë nëpër radha më tha që nuk ishte për të qeshur, sepse askush nuk kishte ëndërruar të vriste Hoxhën. Në të vërtetë, kur interviston shqiptarë që kanë qenë fëmijë në kohën e vdekjes së Hoxhës, ata përpiqen të më bëjnë përshtypje duke kujtuar varrimin, një atmosferë trishtimi dhe frike. Kjo ishte ndryshe nga eksperienca me rumunët, që pavarësisht se ishin shumë të rinj për të kuptuar qartësisht se çfarë kishte ndodhur, u ish thënë se ky ishte një ndryshim për mirë ose ndienin lehtësim dhe inat përreth tyre. Fatos Lubonja shkruan që njerëzit u gjallëruan pas vdekjes së Hoxhës, por në mënyrë të heshtur, madje dhe në shtëpinë e tyre, pas kaq shumë kohe në heshtje.[31]

Pal Vata – një rast i studimor i mobilizimit të përkohshëm të humorit

Në vazhdim të këtij studimi, pyeta më shumë se njëqind miq dhe kolegë në qoftë se ata kujtonin ndonjë anekdotë politike në Shqipëri dhe një seri me pyetje të tjera për mënyrën se si tregoheshin barsoletat, ose nëse kishin pasur frikë t’i tregonin ato. Një mik më dërgoi me postë elektronike një indikacion të paqartë nga babai i tij, që i kish thënë: “Të gjeja Pal Vatën”. Kur i pyesja shqiptarët mbi 45 vjeç se kush ishte Pal Vata, përgjigja ishte një pauzë, pastaj një e qeshur dhe pastaj disa barsoleta. Megjithëse tregoheshin vazhdimisht vetëm katër barsoleta, ishte e qartë që në një periudhë të caktuar, barsoletat e Pal Vatës ishin të përhapura në të gjitha rajonet e Shqipërisë. Në të vërtetë kishte nuanca humori që në përmbajtje ishin politike, por ato nuk ishin grimca humoristike në stilin e barsoletave politike të llojit të vendeve të tjera socialiste evropiane, ato në fakt ishin cikle barsoletash spontane dhe autoktone.

Në këto grimca humoristike, Pali ishte një anëtar partie. Atij i pëlqente të mburrej duke i dhënë biçikletës për të shkuar në takimet e partisë, kishte një bark të madh ndërkohë që të tjerët ishin të uritur dhe nuk dinte asgjë për seksin apo për gratë. Një seri barsoletash për Pal Vatën e shfaq atë duke kontrolluar një projekt ndërtimi dhe megjithëse nuk di se si do të jetë produkti, në fund ai jep urdhra. Në këtë mënyrë Pali është protagonisti tipik budalla, i cili përfaqësonte plasaritjet më të mëdha të sistemit socialist me trajta të dukshme.

Prejardhja e këtyre grimcave humoristike, çuditërisht kujtohet nga të gjithë dhe nuk konsiderohet një histori për të qeshur. Kur një shqiptar 20-vjeçar që jeton në Australi pyeti të ëmën nëse Pal Vata ekzistonte me të vërtetë, ajo u bë serioze në fytyrë dhe i shpjegoi që Pal Vata ishte një “njeri i shkretë”, vajza e të cilit ishte “vrarë nga partia” (në një aksident në hekurudhë) dhe ata e bënë Palin hero të popullit për “sakrificën” e tij.[32] Pal Vata i vërtetë ishte bërë shumë i kërkuar dhe mendimi i tij kërkohej nëpër gazeta dhe ftohej nëpër kongrese dhe takime dhe nga të tjerët konsiderohej si një i metë që impresonohej nga i njëjti shtet që i kishte shkatërruar familjen dhe sipas kësaj logjike dhe nderin e tij. Sigurisht, ajo që i bën këto grimca humoristike për të qeshur është se ato shfaqin kotësinë dhe budallallëkun e procedurave dhe anëtarëve të partisë. Megjithatë dhe përdorimi specifik i Pal Vatës prodhon një kontekst unik në të cilin anëtari i partisë, ndonëse ironizohet, nuk është i keq në mënyrë të vullnetshme, përkundrazi ai të shkakton keqardhje si një administrator i pandërgjegjshëm i së keqes, pasi familja dhe nderi i tij janë shkatërruar nga një sistem çnjerëzor. Duke biseduar me diasporën shqiptare postsocialiste në Sidnej për Pal Vatën, arritëm të zëvendësonim të qeshurën në barsoleta me shpjegime serioze për “turpin” e historisë së vërtetë, gjë e cila tregon që e qeshura mbi socializmin është e kufizuar dhe e mobilizuar nga konjuktura shumë të veçanta në kohë dhe në hapësirë.[33]

Teorizimi i hapësirës familjare në socializëm

Zbatimi i parullës së famshme të Hoxhës që “nuk mund të lejojmë barërat e këqija të rriten, por duhen shkulur nga rrënjët”, nënkuptonte që në qoftë se një individ hetohej, burgosej ose madje vetëm dyshohej nga strukturat shtetërore, e tërë familja e tij gjithashtu duhej t’i nënshtrohej të sipërshënuarave ose të persekutohej.[34] Shumë familje u përpoqën që të siguronin shpëtimin e tyre duke pasur të paktën një anëtar të familjes në parti, të cilëve shpesh iu kërkohej të mbikëqyrnin anëtarët e tjerë. Mbi të gjitha, ishte jetësore të garantohej familja dhe të shprehej mbështetja ndaj regjimit për të evituar persekutimin apo nevojën për të persekutuar të tjerët. Strukturat sociale mbi të cilat Hoxha ndërtoi regjimin e tij u zhvilluan dhe u konsoliduan për gjysmë shekulli gjatë socializmit dhe mbetën në vend me rënien e tij, edhe sepse udhëheqësit shqiptarë mundësuan një tranzicion paqësor drejt një hapje demokratike. Anëtarët e një familje apo komuniteti që ishin në Partinë Socialiste mbetën të afërm dhe miq, duke i ruajtur marrëdhëniet midis tyre edhe pas vitit 1992. Anëtarët e aparatit të dikurshëm të partisë u bënë aktorë prominent në strukturat e shoqërisë civile dhe të qeverisë, ashtu siç ndodhi dhe në vendet e tjera ish-socialiste. Megjithëse pas vitit 1992 në Shqipëri ka pasur disa raste kompensimi për krimet e së kaluarës, shumë pak nga ish-të persekutuarit kanë marrë shpërblimin e burgut dhe nuk ka një rrugë institucionale nëpërmjet së cilës mund të vendoset drejtësia ose dëmshpërblimi.

Ajo që të befason në rastin e Shqipërisë është se mungojnë diskurse që pretendojnë se “populli” është një viktimë e pafajshme, që u mashtrua nga forca të huaja (të jashtme) apo ligjërime të vetëfajësimit për faktin që nuk u denoncua ajo që “po ndodhte nën socializëm”, siç ndodh rëndom në Rumani. Kur pyeta një grua, e cila kishte qenë mësuese shkolle, se si ndihej për të kaluarën, ajo më tha që “ndiheshim të frikësuar se të huajt me të vërtetë mund të vinin këtu, nuk dinim asgjë për botën e jashtme, nuk mund të bënim asgjë tjetër”.[35] Në qoftë se e krahasojmë me Rumaninë, ku mbizotërojnë diskurset e viktimizimit dhe ankesave, ajo që është e habitshme për diskursin shqiptar që merret si shembull këtu, është se nuk ka ndonjë reagim ose turp të vokalizuar të individëve të veçantë, por ekziston vetëm një shpjegim i përbashkët që gjërat në atë kohë ishin ashtu siç ishin, dhe që ajo ishte një kohë e keqe. Kjo nuk do të thotë që njerëzit kanë harruar përgjegjësitë për krime të caktuara, por që ata janë të ndërgjegjshëm se të njëjtët individë dhe të njëjtat familje përbëjnë dhe sot matricën sociale.[36] Përveç kësaj, ekziston një rezistencë popullore për mos heqjen e bunkerëve ushtarakë, të shëmtuar dhe të kudondodhur në zona publike, si dhe një tendencë unike për të ruajtur vëllimet e librave të Enver Hoxhës, sepse këto janë kujtimet fizike të asaj që shqiptarët kanë vuajtur, në mënyrë që të dilnin si një komb-shtet i pavarur. Nuk mendoj që këto mënyra të lidhjes me shenjat [dalluese] të së kaluarës shërbejnë në të tashmen për justifikuar krimet e së kaluarës, por ndoshta përbëjnë një diskurs që është unik në Evropë dhe pranon se ekzistenca kombëtare shqiptare dhe Enver Hoxha ishin dy çështje të lidhura ngushtë në këndvështrimin e përditshëm të njerëzve të asaj kohe. Po si mund t’i kuptojmë këto dy identitete e ndryshme, ku kemi nga njëra anë rumunët, të cilët vazhdojnë të tregojnë të njëjtat barsoleta që tregonin edhe nën socializëm, dhe nga ana tjetër shqiptarët, që edhe në postsocializëm rrallë e përmendin dhe e përqeshin Hoxhën?

Renata Saleci ka teorizuar mbi mënyrën se si shteti socialist bazohej në qytetarin socialist, i cili publikisht bindej ndërsa në mënyrë private kritikonte regjimin, dhe sipas vetë asaj, kjo dyanshmëri donte të thoshte që qytetarët ishin të ndërgjegjshëm që kishin dështuar për t’u bërë si socialistë “të mirë” ashtu edhe disidentë “të mirë”.[37] Duke lëvizur midis këtyre dy fushave që ecnin paralelisht, nga njëra anë ajo e parullave të fushës publike dhe e autokritikës, nga ana tjetër fusha alternative e barsoletave, që ishte edhe arena e sharjeve dhe shakave kundër regjimit, qytetari shqiptar zgjodhi heshtjen, i ndërgjegjshëm se vetë ajo/ai mund të ishte i denoncuari i radhës. Përveç kësaj, kënaqësia në tregimin e barsoletave anti-regjim qëndron në ndjenjën e komunitetit që krijohet në raport me thundrën shtypëse të shtetit, që monitoronte sjelljen e qytetarit në emër të idealit të utopisë socialiste. Në Rumaninë postsocialiste tregimi i barsoletave është kënaqësi, sepse kujton një identitet të fortë të përbashkët, i cili u ndërtua si një opozitë kundër dhe brenda survejimit të shtetit të mëparshëm socialist.

Në Shqipëri, një arenë e tillë alternative identiteti të përbashkët deri në vitin 1990 nuk mundi të ekzistonte. Udhëheqësit dhe burokratët socialistë i bënë më të dukshme ndarjet tradicionale familjare dhe rajonale nëpërmjet institucioneve të shtetit dhe lëvizjes së kontrolluar të njerëzve. Popullsia e vogël bëri që anonimiteti dhe ndarja klasore të ishte e pamundur, dhe koncepti i shtetit etnokombëtar, i cili hyri formalisht vetëm në vitin 1912, u ndërtua më gjerësisht vetëm gjatë regjimit socialist; nuk kishte një diskurs të fuqishëm ose një histori moderne të institucionalizuar të “popullit shqiptar”, që ekzistonte para krijimit të shtetit të Hoxhës ose jashtë kufijve të shtetit të tij.[38] Në këtë mënyrë, çdo ditë e më shumë populli shqiptar u mbyll brenda kufijve të shtetit, për të treguar një identitet etnokombëtar shqiptar të pavarur.

Fatos Lubonja, në një shkrim të vitit 1994 të titulluar “Privatësia (Privacy) në regjimin totalitar”, argumenton që shqiptarëve nën regjimin e Hoxhës, jo vetëm që i mungonte hapësira individuale për analizimin e vetvetes, për besimin dhe kulturën individuale, për mendimin kritik dhe për një kulturë komuniteti, por gjithashtu kishte mungesë të imponuar të afërsisë me identitetin e komunitetit.[39] Kjo mungesë afërsie me idealin e identitetit të komunitetit të utopisë socialiste u përkeqësua nga qëllimi kryesor për të mbajtur një komb të pavarur shqiptar, një qëllim që qytetarët besonin se e kishin të përbashkët me Enver Hoxhën. Ndërgjegjësimi i popullit që ata nuk po e përmbushnin identitetin ideal të shoqërisë socialiste, megjithëse ata duronin vuajtje të mëdha fizike në përpjekje për të përmbushur këtë identitet, përjetësonte frikën që ndoshta populli shqiptar nuk mund të shpëtonte si një komb-shtet i pavarur. Mungesa e barsoletave për Enver Hoxhën gjatë qeverisjes së tij mund të përkthehet si një mungesë hapësire për një arenë alternative të një identiteti të përbashkët që mund të ngjizej rreth vuajtjes nën qeverisjen e Enverit. Kjo, sepse qëllimi kryesor i qytetarëve ishte që të përmbushnin idealin e identitetit social të shpallur nga Hoxha, të siguronin mbijetesën e kombit të tyre. Në ato pak barsoleta që ekzistojnë, protagonisti shqiptar është në gjunjë duke ngrënë bar, duke u përpjekur që të përmbushte idealin kombëtar dhe jo duke mbajtur radhën për të vrarë Hoxhën, udhëheqësin dhe mbrojtësin kombëtar. Hoxha nuk u bë një figurë qesharake pas vitit 1992, sepse njerëzit sinqerisht e kishin identifikuar atë me përpjekjen për mbijetesën e kombit, një identifikim i inkurajuar nga vetë Enver Hoxha.

Vlera e këtij mësimi mund të zbulohet nëpërmjet shkrimeve dhe përvojave të të persekutuarve politikë nën sundimin e Hoxhës. Njëra nga vetëm dy barsoleta për periudhën socialiste që m’u tregua pa asnjë lutje nga ana ime, ishte ajo që më tregoi një burrë që kishte kryer 23 vjet burg nën akuzën e propagandës kundër socializmit (sepse kishte treguar një barsoletë). Ai kishte kërkuar një biftek në një pijetore, duke kërkuar që t’i sillnin “Surratin e Maos”.[40] Duke qenë pjesëmarrëse në një projekt gojor historie, udhëtova më këtë njeri në burgun e Spaçit, ku kishte kaluar moshën e tij të rinisë. Ai kishte kaluar një kohë të gjatë duke u menduar se si ndaj tij u ngrit akuza e të qenit “armik i popullit”, dhe ai e shihte veten e tij në radhë të parë si një individ, më pas si një mbështetës i vendosur i një shteti shqiptar të pavarur, dhe në fund si një viktimë e regjimit socialist. Kujtimet e të burgosurve na ndihmojnë të kuptojmë se hapësira e burgut ishte ndryshe nga ideja që kish krijuar regjimi komunist se të burgosurit politikë ishin një komunitet i veçuar nga ideja e “popullit shqiptar”. Sipas këndvështrimit tim, të burgosurit ishin krenarë për punën që kishin bërë, sepse kjo ishte dëshmi e dedikimit të tyre për mbijetesën e kombit shqiptar, çka provonte që ata nuk ishin “armiqtë e popullit”, siç kërkonte t’i damkoste shteti.

Gjithashtu, ish-të burgosur politikë të tillë si Uran Kalakulla dhe Agim Musta kanë shkruar gjatë për përvojat dhe miqtë e tyre në burgje dhe për rolin kryesor që luante humori “për të mbajtur shpirtrat e tyre të shëndetshëm”.[41] Të burgosurit e përdornin humorin për të qeshur me personazhet politike të regjimit, të cilët konsideroheshin të ndryshëm nga ata që bënin punën e detyruar për hir të dashurisë që kishin ndaj kombit shqiptar, duke përjashtuar në mënyrë diskursive Enver Hoxhën dhe rojet e burgut nga “populli shqiptar”. Edhe nëpër burgje, barsoletat tregoheshin vetëm nëpër grupe të ngushtë miqsh, sepse përdorimi i torturës si dënim ishte shumë i përhapur dhe mizor.[42]

Përfundimi

Në vitin 2006 dhe veçanërisht nëse jeton në një demokraci kapitaliste në Australi apo Shqipëri, është e vështirë të kritikosh besimin e dikujt në një çështje kaq të nderuar (siç është mbijetesa kombëtare nga pushtimi ndërkombëtar) dhe që një ditë me diell del se ishte një mashtrim absurd dhe tragjik. Besimi i përbashkët kombëtar në qëllimet e regjimit të Hoxhës dhe marrëdhënia rezultuese ambivalente me diktatorin ishte tabu përpara vitit 1992, për shkak se mungonte hapësira – fizike dhe psikologjike – për njerëzit që të shprehnin ndjenjat negative që ata mund të kishin për Hoxhën dhe ishte një tabu pas vitit 1992, për shkak të identifikimeve të mëparshme pozitive me të, duke ndarë një dedikim popullor të përbashkët për shpëtimin kombëtar. Ishte qëllimi i përbashkët për një Shqipëri të pavarur, megjithëse në një mjedis të mykur nga iluzionet dhe terrori paranojak, që bënë që barsoletat politike për diktatorin, në atë kohë apo edhe tani, thjesht nuk bënin për të qeshur. Mungesën e barsoletave post-socialiste për Shqipërinë socialiste, unë e përkthej si një refuzim kolektiv për të thjeshtëzuar apo kundërshtuar identifikimin popullor dhe intensiv me Enver Hoxhën, si një udhëheqës kombëtar dhe diktator i egër. Sinqeriteti me të cilin shfaqet ky refuzim është unik në Evropën postsocialiste. /Revista Polis, Nr. 5, pranverë 2008, Tiranë/

Puna kërkimore e këtij studimi u bë e mundur me ndihmën e shumë miqve të mi të durueshëm shqiptarë në Shqipëri, Australi dhe në Shtetet e Bashkuara. Falënderime të veçanta për Xhuljeta Harasanin, Luljeta Ikonomin, Ariel Ben-Amos, Donika Xhixhën, Nevila Gremin, Ilir Kalemajn, Muratin, Valentinën dhe çdokujt në Rozafën e Sidnejt i premtoj nga tani dhe në të ardhmen vetëm barsoleta për të qeshur.

_________________

[1] Donna M. Goldstein, Laughter Out of Place: Race, Class, Violence, and Sexuality in a Rio Shantytown (Berkeley: University of California Press, 2003), 6.

[2] Një kontribues shqiptar në një forum po ashtu shqiptar e kishte titulluar kontributin e tij romii tironc kapil [emri i autorit], ‘barsoleta mas vdekjes Enverit, se para nuk kishte :)))’ [titulli i mesazhit], Forumi Shqiptar > Argëtim & zbavitje > Humor shqiptar > Humori i mençur i Tef Palushit!, http://forumihorizont.com/shortthread.php3. Thread id 3207. Postuar më 4 Dhjetor 2003, parë së fundi më 30 korrik 2006.

[3] Për më shumë faqe në internet shqiptare që kanë tema humoristike dhe barsoletash dhe gjithashtu blog-e në lidhje me historinë shqiptare shikoni : http://shqiperia.com/humouri/index.php, http://www.kokoshka.com, http://www. dallavere.com/dallavere/index.php, www.albforumi.com,www.veriu.org,www.durresi.it,www.korcavizion.com, dhe www.shkoder.net. ‘Shqiptar ’ në këtë studim i referohet shqiptarëve etnikë nga shteti shqiptar. Shqiptarët nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi nuk mund të referohen në këtë studim si të tillë. Në asnjë mënyrë ky nuk është një vendim politik, por bëhet për shkak të përvojave të ndryshme historike midis shqiptarëve në ish – Jugosllavi dhe atyre të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

[4] Në shoqëritë e tjera socialiste evropiane, çështja sesa disidencë mund të lexojmë brenda rreshtave të humorit zyrtarisht të sanksionuar televiziv apo të shkruar po shfaq debate të mëdha, ndërsa në Shqipëri komedia që zhvillohej çdo vit për “Programin e Vitit të Ri” shihej nga të gjithë dhe konsiderohej si shkalla matëse e asaj që regjimi lejonte në subjektin e humorit. Gjithashtu media e shkruar i përdorte barsoletat dhe karikaturat, por në linjë me politikën e ditës së regjimit. Për shembull shih Alfred L. Lorenz, Albanische Karikaturen: Katalog zur ersten albanischen Karikaturenausstellung in der Bundesrepublik Deutschland und West-Berlin (Munich: Deutsch-Albanische Freundschaftsgesellschaft, 1987) dhe Bardhyl Fico, Përralla për gogot dhe me gogot treguar nga gaztorët eurokomunistë dhe dy të vërteta që nuk i thonë (Tirana: 8 Nëntori, 1983).

[5] E bazoj këtë deklaratë në eksperiencën time personale mes viteve 1997 dhe 2006 në sesionet e tregimit të barsoletave të panxitura nga dikush ndaj Causheskut në të gjitha klasat e rumunëve mbi 25 vjeç.

[6] Duke e krahasuar me 15 libra rumunë me barsoleta të botuar pas 1990 dhe të mbajtura nga Libraria e Kongresit, ka ndoshta afërsisht vetëm shtatë përmbledhje botimesh me barsoleta për Shqipërinë në të njëjtën periudhë, gjysma e të cilëve janë shkruar nga komedianë të cilët kanë punuar gjithashtu gjatë regjimit socialist, dhe pak prej tyre përmbajnë një ose dy barsoleta për socializmin. Shih për shembull Ahmet Banushi, Gomari me pasaportë: fabula, mikrofabula, epigrame, epitafe (Tirana: Glob, 1994), Ahmet Banushi, Kali në asistencë: fabula-epigrame (Tirana: Omsca, 1998), Filip Çakuli, Kur qeshim me politikanët (Tirana, Hosteni, 2000), dhe Ferdinand Radi, 11 raunde humor (Tirana, Iliria, 2003). Zef Gjeta, Barsoleta pa fund (Tirana: Hoktari, 2005), ka një kapitull të vogël (fq.295-316) të titulluar “Fjalë të urta nga kohët e kaluara”, por që nuk janë barsoleta nga Shqipëria socialiste. Jua tregova shqiptarëve këto barsoleta për të treguar rëndësinë e detajeve të vogla të importuara nga jashtë, si për shembull në njërën nga këto barsoleta presupozohohet sikur të gjithë shqiptarët kanë një makinë, kur në fakt shumë pak kishin makinë para vitit 1992.

[7] Për studimet shqiptare për humorin shih Jakup Mato, Paradokset e satirës dhe të humorit (Tirana: Toena, 2000) dhe Naum Prifti, Dasmë pa nuse : komedi (Tirana: Naim Frashëri, 1969).

[8] CS I intervistuar nga Ariel Ben-Amos në Vlorë 23 Mars 2006. Intervistat e zhvilluara nga unë ose nga Z. Ben-Amos për tregimin e barsoletave janë koduar dhe shënuar në mënyrë që të mbrojnë identitetin e të pyeturve. Transkriptet origjinale të intervistave të koduara zotërohen nga autori.

[9] Shumë studime për humorin në vendet socialiste fillojnë me shprehjen e Orwell-it që barsoletat janë “revolucione të vogla”, e cila pa dyshim sjell konkluzionin e diskutueshëm, sipas të cilit në qoftë se barsoletat janë revolucione ato atëherë janë impotente. Shih Robert Cochran, ‘”What Courage!”: Romanian “Our Leader” Jokes,’ Journal of American Folklore 102.405 (July-Sept. 1989), 259-274. Kjo përpjekje për të studiuar humorin në marrëdhënie me strukturat e pushtetit në shoqërinë socialiste mund të rritet më shumë, në qoftë se marrim në konsideratë studimet se si shteti perceptohej dhe ndërtohej nga qytetarët socialistë, të tilla si Sheila Fitzpatrick, Ordinary Life in Extraordinary Times: Soviet Russia in the 1930s (New York: Oxford University Press, 1999); Renata Salecl, The Spoils of Freedom: Psychoanalysis and Feminism after the Fall of Socialism (London; New York: Routledge, 1994).

[10] Isa Blumi, ‘The Politics of Culture and Power: The Roots of Hoxha’s Postwar State,’ East European Quarterly 31.1 (Sept. 1997), 379-99.

[11] Për studimet mbi burgjet në Shqipëri shih Agim Fusta, Burgjet e Shtëtit burg (Tirana: Tona, 2000), Gjëmat e komunizmit në Shqipëri (Tirana: Geer Publishing House, 2001) and Burgjet e Diktatures Komuniste në Republike e Shqipërisë 1944-1991 (Tirana: Mirgeeralb, 2005); Susan Greeley Murati, A cultural psychological study of the narratives of the ex-politically persecuted people of Albania: Toward a national narrative (Unpublished Thesis, Alliant International University, California School of Professional Psychology, San Diego 2003 UMI database number AAT 3082503). Shih gjithashtu botimet e Qendrës së Rehabilitimit Shqiptar për Viktimat e Traumës dhe Torturës në www.arct.org, dhe dokumetarin për të zhdukurit në burgje të drejtuar Roland Gjoza, Të Zhudukurit (Tirana: Studio Albafilm dhe Departamenti i filmit artistik i ATSH, 2002).

[12] Instituti i Statistikave të Republikës së Shqipërisë mbi historinë e popullsisë http://www.instat.gov.al/graphics/ doc/tabelat/Treguesit%20Sociale/Popullsia/POP%202004/pop1.xls, parë për herë të fundit më 4 Nëntor 2006.

[13] Ramiz Alia, ‘Enver Hoxha: Lufta e flamurit për liri dhe socializëm’, Konferenca Kombëtare dedikuar punës së pavdekshme të shokut Enver Hoxha, 15-16 tetor 1985 (Tiranë; 8 Nëntor 1985), 6-7. Për të krahasuar sesi të njëjtët njerëz e përshkruanin Enver Hoxhën 10 vjet më vonë, shih Agim Musta dhe Mexhit Kokalari, Kush ishte Enver Hoxha (Tiranë, Apollonia 1996).

[14] Musta, Burgjet e Diktatures Komuniste në Republike e Shqipërisë 1944-1991, 4.

[15] Filma shqiptarë të tjerë dramatikë prodhuar në periudhën e postsocializmit për socializmin janë: Parullat Gjergj Xhuvani (Francë/Shqipëri:2001 dhe I dashur armik (Shqipëri/Francë/Gjermani:2004) Sidoqoftë programimi televiziv është i prirur kryesisht ndaj filmave të realizmit socialist të prodhuar para vitit 1992 sesa ndaj filmave shqiptarë postsocialistë.

[16] Në fakt, ky film është i mirënjohur në komunitetin rom shqiptar si një përfaqësim pozitiv i këtij grupi etnik; protagonisti i filmit fsheh kalin e shpëtuar në një komunitet rom, i cili interpretohet si një reflektim i kujdesshëm i kurajës së komuniteteve rome për të vepruar jashtë ligjeve të diktaturës. Vetë identifikimi i minoriteteve rome ne Shqipëri në marrëdhënie me shtetin socialist do të ishte një kontribut i çmuar për të kuptuar heterogjenitetin e identiteteve të përbashkëta të artikuluara brenda një diktature etnokombëtare si ajo e Hoxhës.

[17] Shqipëria ishte i vetmi vend që shpalli ateizmin dhe i ktheu në shtëpi kulture vendet fetare.

[18] XH bisedë personale 31 mars 2006.

[19] MR Shënime 13 Shkurt 2006.

[20] Shih Michael Kaser ‘Vazhdimësia ekonomike në historinë e trazuar të Shqipërisë’, Studimet europiane – Aziatike 53:4 (2001) 627 – 637, 629.

[21] Fatos Lubonja, në një intervistë me Pawel Smolenski ‘O czym marza Albanczycy,’ në Wyborcza (27 June 2002), 15.

[22] Lubonja, Wyborcza 15.

[23] Mundësia që mund të arrestonin në qoftë se tregoje një anekdotë politike në Evropën socialiste gjithashtu shërbeu si një subjekt popullor për të treguar barsoleta. Shih Bruce Adams, Revolucione të vegjël në rusi: Historia ruse dhe sovjetike e shekullit të 20 sipas barsoletave (New York: Routledge Curzon, 2004), 48.

[24] FCV intervistuar nga Ariel Ben – Amos në Vlorë më 23 Mars 2006.

[25] Për faqet në internet për historinë rumune shih http://www.fanclub.ro/showthread.php?t=17521 and http:// cyberculture.ro/blog/?p=131.

[26] Dhe akoma sot, njëra nga dy partitë politike mbizotëruese në Shqipëri mbetet, të paktën si emër, Partia Socialiste.

[27] Henri Bergson, Laughter : an Essay on the Meaning of the Comic in Comedy (New York: Doubleday, 1956), 64.

[28] Mendova që ishte origjinale, sepse nuk e kam dëgjuar këtë anekdotë me emrin e ndonjë diktatori tjetër dhe sepse pasi e lexova pyeta njerëzit në mënyrë të drejtpërdrejt në qoftë se ata dinin ndonjë anekdotë me këtë parullë dhe kishte përgjigjet e shumta për të njëjtin vend dhe të njëjtën kohë. E postuar nga romii tironc kapil ‘Enveri dhe populli’ [titulli i mesazhit] http://forumihorizont.com/shortthread.php3? Thread id 3207, postuar më 4 Dhjetor 2003, parë për herë të fundit 30 Korrik 2006.

[29] XH bisedë personale 31 Mars 2006.

[30] Shënime personale 3 Mars 2006.

[31] Fatos Lubonja ‘Privatësia në Regjimin Totalitar,’ Përpjekja 20 (2005), 102-12, 112.

[32] VR i intervistuar më 12 Maj 2006.

[33] Grimcat humoristike me Pal Vatën nuk tregohen nga shqiptarët në postsocializëm si një mënyrë për të kujtuar socializmin; fakti që unë ua kujtova njerëzve ato nuk do të thotë ripërfshirjen e tyre në jetën e përditshme. Barsoletat funksionojnë në mënyrë të veçantë në vendin e zanafillës së tyre, që nuk është me vend për Australinë, dhe tregimi i anekdotave është një veprim social i mbyllur, ku çdokush duhet të jetë në gjendje të kontribuojë me një anekdotë dhe të ndajë sëbashku me të një të qeshur. Kur ndalon dhe fillon shpjegosh brezave më të rinj pse diçka është për të qeshur ose cilët janë pjesët joshqiptare që janë shartuar me barsoletat shqiptare, evoluimin dhe vetë praktikën e tyre, e bën këtë një bisedë edukative sesa një rreth për tregimin e barsoletave.

[34] Si shembull të kësaj deklarate, shih fjalimin e Enver Hoxhës ‘25 vjet beteja dhe fitore në rrugën e socializmit’ botuar në 28 Nëntor 1969, në librin e Enver Hoxhës, Fjalime: Revolucionalizimi i mëtejshëm i gjithë partisë dhe i gjithë jetës në vendin tonë” (Tirana: Naim Frashëri, 1974) 57 – 140, 58). Për një përmbledhje të pabotuar të 300 dëshmive të refugjatëve shqiptare nga persekutimi politik në Shqipëri shih Komiteti Kombëtar për një Shqipëri të Lirë, Dëshmi të Kushteve Skllavëruese të Punës brenda Shqipërisë, të prezantuar në Kombet e Bashkuara në vitin 1952, mbajtur në Librarinë e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Washington DC. Për t’u shënuar dëshmia e Z. Zil Sulejmani, i cili tregon për burgosjen e grave dhe të bijave të njerëzve që ishin detyruar të linin vendin, në burgun e Gjirokastrës, 23.

[35] Biseda me M.K., 31 dhjetor 2005.

[36] Marrëdhënia e shqiptarëve dhe rumunëve me të kaluarën e tyre duhet lexuar gjithashtu në mënyrat shumë të ndryshme të kërkimit falje publike për të kaluarën komuniste në të dy vendet. Kjo do të mund të shfaqte një parashtrim të ndryshëm të marrëdhënies me shtetin, i cili përfaqëson qytetarin të angazhuar në strukturat politike si në atë kohë edhe tani në të tashmen.

[37] Salecl, The Spoils of Freedom, 47-49.

[38] Sigurisht që kishte ndryshime klasore të dukshme; midis atyre që jetonin në “bllok” dhe atyre që nuk jetonin aty, midis jugorëve dhe veriorëve, midis njerëzve që jetonin në Tiranë dhe atyre që jetonin nëpër fshatra, midis familjeve që kishin pozicione pushteti para komunizmit dhe atyre që erdhën në pushtet me anë të Partisë Komuniste. Por ishte një skandal që zj. Hoxha kishte 24 palë këpucë dhe që edhe një diplomat që ishte dërguar në Angli duhet të qëndronte dhe ai në radhë.

[39] Lubonja, ‘Privatësia ne Regjimin Totalitar,’ 2005.

[40] Kjo ishte një anekdotë politike meqë Kina e Mao-s ishte në atë kohë i vetmi aleat ndërkombëtar i Shqipërisë. Një gërshetim i kushteve të vështira të jetesës (mungesa e biftekëve nëpër pijetore), një dyndje të programeve kulturore kineze në radio dhe në televizion, dhe një ndjenjë raciste e përgjithësuar si një vend evropian që kishte aleatë në Azi, coi në rritjen e numrit të ‘barsoletave’ raciste kundër Kinës. Një anekdotë tjetër e papranueshme për periudhën e socializmit ishin gjithashtu të referuara me etnicitetin dhe mu rrëfye kjo gjë për të më treguar që në socializëm ishte një fyerje e dënueshme nga ligji në qoftë se për shembull dikush theksonte që romët shqiptarë ishin një grup etnik më vete.

[41] Ky citim e ka burimin nga Uran Kalakulla, 21 Vjet Burg Komunist (1961-1982: Kultime, Mbresa, Portrete dhe Refleksione) (Tirana: self-published, 2001), 358. Shih gjithashtu Agim Musta, Mjerim pa fund: shkrime publicistike (Tirana: Toena, 1998), 99. Është gjithashtu interesante për të theksuar që shumë shqiptarë që intervistova me rekomanduan që të takoja ish të burgosur politikë në mënyrë që t’u kërkoja atyre barsoleta, duke u bazuar në faktin që ata që kishin qenë në burg kishin arsye për të unyer Hoxhën saqë mund edhe ta tallnin atë. Kjo mënyrë kuptimi i barsoletave që lindin nga urrejtja, sesa nga ambivalenca e identifikimeve, shfaq nevojën për të konsideruar gjithashtu besimin kulturor të shqiptarëve në pushtetin e syrit të keq, që do të thotë që në qoftë se thua diçka të palejuar, të tillë si një anekdotë për të vrarë Enver Hoxhën, ekziston mundësia që me [anë të syrit të keq] të invokohet një veprim i tillë.

[42] Për detaje mbi torturat e përdorura në Shqipëri shih Agim Musta, Gjëmat e Komunizmit në Shqipëri (Tirana: Geer, 2001) 264-267. është interesante për t’u theksuar që shqiptarë që nuk janë persekutuar politikisht nga regjimi më kërkojnë që të intervistoj ato që janë persekutuar nga regjimi në mënyrë që të gjej barsoleta, sepse ata bazohen në tezën që tregimi barsoletave për Hoxhën duhet të bazohet patjetër tek urrejtja. Nuk ka vetëm një mungesë kërkimi akademik mbi faktet historike të persekutimit politik nën Hoxhën dhe se si të burgosurit u përballën me përvojat e tyre, por gjithashtu kërkimet akademike mungojnë edhe për komunitetet e papersekutuara se si i perceptuan të persekutarit.


Në trend Kultura

Më shumë
Romeo dhe Zhulieta: Origjina e dashurisë tragjike

Romeo dhe Zhulieta: Origjina e dashurisë tragjike

Teatri
Për intelektualët …

Për intelektualët …

Kulture
Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjalë të urta popullore: Edhe diell të bëhesh, të gjithë nuk i ngroh dot!

Fjala+
“Marshi kosovar”

“Marshi kosovar”

Kulture
Historia e ndërlikuar e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi

Historia e ndërlikuar e marrëdhënieve Shqipëri-Rusi

Kulture
Vdekja e Skënderbeut, sipas legjendave të popullit

Vdekja e Skënderbeut, sipas legjendave të popullit

Kulture
Kalo në kategori