LAJMI I FUNDIT:

… DHE SHTËPIA

… DHE SHTËPIA
Halil Matoshi dhe Xhevdet Bajraj

(Për poetin Xhevdet Bajraj)

Poezi nga: Halil Matoshi

1.

Ftohtë. Terr mesnate dhe mëdyshje
si sot e 22 vjet ma përpara në Kampin serb të Përqëndrimit “Zabela” u nisa
ândrres së lirisë nërkrye nji letër t’bame qull p’ej lotësh, ardhun nga Zvicra …
shkrue nga mërgimtari Lam Demaj
“Të gjithë kanë mbijetu luftën. Janë shnosh e mirë!”

Masanej erdhi Iliriana. Grueja që m’tha: “Kemi pshtue të tanë”
po ende shihsha ândërr duer t’kputuna me vrragët e unazave t’martesës në gishta
nuk mujta me besue

2.

pasi i mujti të tanë anmiqt
ditën që Odiseja u nis p’ej sh’pie
pati nji vegim se kishin dekun të gjithë njerëzit e tij dhe dritaret ishin mshelë
me therrë

ose ishin çue p’ej Itake e zhvendosë në nji qytet pa emën!?

miti i besniknisë së nii grueje meti pezull
se shtegun e kthimit e këputi anmiku i quejtun kohë ose akëcili anmik dashtunie!?

poet, ti ke ma shumë atdhe se Odise i vetmuem
ke tana arketipet letrare, dramat, historitë …
ke njerëz e vende që lëvizin të trondituna nepër rreshta librash si ushtarë
e toka tektonike që dete ndajnë

poet, ti je luftar qe çon fjalë n’kambë
si trima dekun në luftën për Kosovë
lisa me palcë lirie dhe i nisë si shigjeta parake kundër secilës luftë e fatkeqësi
fjalë shpatë nxjerr nga kllefi dhe bâhesh gati me u ndesh me fantazmat e tana mileniumeve që kishin knejpari sh’pi e katandi

… flisni pse ikët, ku jeni shku
pse fshiheni në tuma? Shfaquni …
… dhé shtëpia!?
me trèj e gurë muri
që kuisin dhimtë duen me evokue

dhe uji ka kujtesë
të gjitha i mban men nji krue!
… deri herën tjetër!

3.

Poet, kjo dramë vjen e vjen e vjen
kjo dhimtë kurrë që s’mèn
njeriu dhe udhët janë
gjethet e nji hardhie n’oborr

dhe n’dimën bien palë palë
si libra t’zverdhun kohësh groposun
nga nji kosovar i zânun rob lufte

aty këtu shfaqen fjalë sikur duen me diftue diçka n’gjuhë t’zhdukuna

gjethe hardhie mâ,
si duert e nji nane që zgjatën
me i marr ngryk’ fëmijtë e saj
me i mbledh udhët si damarë gjaku mu në zemër

4.

merr vllaun e madh përdore
nisu te vorret ku i ke nânë e babë
dhe thueju të përkujdesen për tânden sh’pi strehën tonë

gjuhën me të cilën klith dera kur mbyllet
votra kur shymet

5.

merr njat gjigand zvoglue
nga dashtunia e madhe
njat qiell mbi supe
nisu pa ague …

njeriun e lirë merre përdore
mësoja edhe nji dimension lirie
braktisjën e sh’pisë pa keqardhje
për me e fitu nji udhë të rishme
psh, atë për Woodstock, si dikur

6.

Poet, Fadil Bajraj ka me t’rrfye ândrra vendlindje erë sh’pie në Mexico City
nji jetë njeriu tek merr fëmijë përdore
dhe n’liri i shpie

në këtë planet fluturash
me ngjyra hardhie Rahoveci
si lëkurë burrash t’vjerrun anmiku n’litar

damarët e Atdheut fryhen e pëlcasin
sa herë mbyllet nji derë
vëja veshin si uluron
si Ujk Alfa…

mos u kthe kurrë prapa
ke shku tashma aq larg
në shtresat e lirisë

7.

sa herë t’merr malli merr vëllaun e madh merre përdore e ngjitu në Orizaba
ku secili meksikan kudo që gjendet
ka dëshirë me ia çue mejtin me u tha n’diell e ushqim korbash me u bâ
si psh. Anthony Quin

ose tregoja andrrën time
kur nji natë thikash të gjata mora krah
nga “Zabela” e Pozharevacit në Serbi fluturova mbi Prishtinë

e kam taku nji njeri atë natë
nji shitës gazetash qi m’pa tue fluturue
m’tha përhajr, Kosova u çlirue!, çoje kumtin andej, kahdo
e m’u zhduk sysh

veç ai e di sekretin e vizitës tème
te sh’pia

i kam dëshmitarë qinda t’burguem
që ua thash lajmin që s’ishte në gazetat beogradase t’preme me zhilet, si dritare burgu

kahdo që nisemi shkojmë p’ej shpie
e mas gjithnji e lâmë mbyllun nji derë
deri herën tjetër …

Derisa Mufail Limani po u thoshte miqve se m’kish pa po atë natë mes kryqeve në Berlin, Alexandaer Platz

masanej kish brofë në kambë n’ankth
nga potera që bânte Ali Podrumja
i tejdokshëm si copë akulli kacavjerrun n’strehë si fjala si tuebamsia

m’kish pas pa MuRai* te Elida
kish porisitë dy kafe për vete e për mue
po ish veç vegim

8.

merr vllaun e madh përdore
tregoja ândrrën time
p’ej sh’pie kur dola i fituem
mbeta njeri!

(masi vizitova sh’pinë téme në Hajvali ngat Prishtine dhe u binda se të gjithë kishin mbijetue, u riktheva në njat shtrat hekurash ashpërsue p’ej gjamve t’syrgjynosunve t’dërmuem…
u shtrina me pushue)

poet shtrihu dhe ti për nji sy gjumë
rrëshqit sa ma larg e fell n’ândërr

… dhe shtëpia
të vjen gjithmonë mas …