LAJMI I FUNDIT:

Sipas AlixPartners, deri në vitin 2028 shitja e veturave elektrike mund të arrijë në 33 për qind

Sipas AlixPartners, deri në vitin 2028 shitja e veturave elektrike mund të arrijë në 33 për qind

Shitjet e automjeteve elektrike mund të arrijnë në 33 për qind globalisht deri në vitin 2028 dhe 54 për qind deri në vitin 2035, pasi kërkesa përshpejtohet në shumicën e tregjeve kryesore, tha të mërkurën Kompania Këshilluese Menaxheriale, AlixPartners.

Vetura elektrike përbënin më pak se 8 për qind të shitjeve globale vitin e kaluar dhe më pak se 10 për qind në tremujorin e parë të vitit 2022, transmeton Telegrafi.


Për të mbështetur këtë kërkesë, prodhuesit e automjeteve dhe furnitorët tani presin të investojnë të paktën 500 miliardë euro në vetura elektrike (EV) dhe bateri nga viti 2022-2026, tha firma në konferencën e saj vjetore Global Automative Outlook. Kjo është më shumë se dyfishi i parashikimit pesëvjeçar të investimeve në EV prej 222 miliardë eurosh nga viti 2020-2024.

Sipas Mark Wakefield, bashkë-drejtues i praktikës së automobilave të firmës, këto investime më të larta “tashmë e kanë bërë të pashmangshme rritjen e EV-ve”.

Industria ende përballet me sfida ekonomike dhe të zinxhirit të furnizimit gjatë kalimit nga automjetet me motor me djegie të brendshme (ICE) në EV, shtoi Wakefield.

Tranzicioni do të kërkojë “ndryshime drastike në modelet e funksionimit –jo vetëm për fabrikat dhe njerëzit, por të gjithë mënyrën e punës”, tha ai.

Disa kompani do të përfitojnë nga ndarja e bizneseve të tyre për makinat me djegie të brendshme (ICE) dhe me ato elektrike (EV), shtoi ai.

Lëndët e para për makinat elektrike kushtojnë më shumë se dyfishi i atyre për ICE; 8,255 dollarë për automjet kundrejt 3,662 dollarë për automjet, së paku deri në maj 2022. /Telegrafi/