Daniel Radcliffe dhe Erin Darke parakalojnë së bashku në tapetin e kuq të “Tony Awards”


Daniel Radcliffe dhe partnerja e tij prej shumë vitesh, Erin Darke, tërhoqën vëmendjen në tapetin e kuq të ceremonisë “Tony Awards 2026” në New York.
Ylli i “Harry Potter”, 36 vjeç, u shfaq elegant me një smoking blu-gri, ndërsa Erin Darke, 41 vjeçe, zgjodhi një fustan të gjatë blu të errët me taka platformë argjendi.
Diferenca e dukshme në gjatësi mes çiftit nuk kaloi pa u vënë re nga fotografët dhe të pranishmit, shkruan DailyMail.

Radcliffe dhe Darke janë bashkë që nga viti 2012, pasi u njohën gjatë xhirimeve të filmit “Kill Your Darlings”.
Çifti u bë prind për herë të parë në vitin 2023, por kanë zgjedhur ta mbajnë larg vëmendjes publike jetën e tyre familjare.

Gjatë ceremonisë, Radcliffe ishte i nominuar në kategorinë e aktorit më të mirë në rol kryesor për shfaqjen “Every Brilliant Thing”, por çmimi shkoi për John Lithgow.
Aktori ka folur rrallë për jetën e tij private, por në fjalimin e tij emocionues në “Tony Awards 2024”, ai e quajti Erin dhe djalin e tyre “gjëja më e mirë që i ka ndodhur ndonjëherë”, duke i falënderuar publikisht për mbështetjen e tyre. /Telegrafi/
















































