Organizata Botërore e Shëndetësisë ka publikuar sqarime të reja lidhur me mënyrën e klasifikimit të rasteve me hantavirusin Andes, pasi autoritetet shëndetësore raportuan për rritje të numrit të personave të dyshuar të prekur nga ky virus.

Drejtori i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, deklaroi se deri tani janë identifikuar 11 raste të dyshuara, prej të cilave nëntë janë konfirmuar si infeksione me variantin Andes, ndërsa dy raste të tjera po trajtohen si të mundshme.


Sipas udhëzimeve të publikuara nga OBSH-ja, “rast i dyshuar” konsiderohet çdo person që ka qenë në kontakt ose ka vizituar një vend ku ndodhej një rast i konfirmuar apo i mundshëm dhe që paraqet simptoma të ngjashme me sëmundjen.

Ndërkohë, “rast i mundshëm” është një person që plotëson kriteret e rastit të dyshuar dhe është vlerësuar nga personeli mjekësor si i përputhshëm me simptomat e virusit, raporton skynews.

“Rast i konfirmuar” konsiderohet vetëm personi tek i cili infeksioni është vërtetuar përmes testeve laboratorike.

OBSH-ja ka sqaruar edhe termin “kontakt”, duke theksuar se ai përfshin personat që kanë qenë të ekspozuar ndaj sekrecioneve të frymëmarrjes, pështymës, gjakut ose lëngjeve të tjera trupore të një personi të infektuar ose të dyshuar me virusin Andes.

Autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar dhe monitorim të kontakteve të afërta, ndërsa vijojnë hetimet epidemiologjike për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. /Telegrafi/