ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vendimin kontrovers që i lejoi Folarin Balogunit të luante me Shtetet e Bashkuara në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026, pavarësisht kartonit të kuq që kishte marrë në fazën e grupeve.

Sipas “The Times”, vendimi për të pezulluar dënimin automatik nuk është marrë nga i gjithë Komiteti Disiplinor i FIFA-s, por vetëm nga kryetari i tij, Mohammad Al-Kamali.


Raporti thekson se asnjë nga 17 anëtarët e tjerë të komitetit nuk ka marrë pjesë në shqyrtimin e rastit.

Vendimi shkaktoi polemika të mëdha, pasi binte ndesh me praktikën e deritanishme të Kupës së Botës. Në të kaluarën, futbollistët e ndëshkuar me karton të kuq direkt kanë vuajtur gjithmonë pezullimin automatik, ndërsa Balogunit iu konvertua dënimi në një pezullim të kushtëzuar njëvjeçar, duke i hapur rrugën të luante ndaj Belgjikës në fazën e 1/16 së finales.

Rasti u kritikua gjerësisht në botën e futbollit. Sipas raportimeve, UEFA e cilësoi vendimin si "të paprecedentë, të pakuptueshëm dhe të pajustifikueshëm", ndërsa presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi në atë kohë se çështja ishte trajtuar nga një "organ i pavarur gjyqësor".

Megjithatë, “The Times” pretendon se vendimi u mor vetëm nga Al-Kamali, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi transparencën e procesit.

Polemikat u shtuan edhe më shumë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi publikisht se kishte biseduar me Infantinon për rastin e Balogunit përpara se të merrej vendimi.

Sipas të njëjtit raport, FIFA ka refuzuar të shpjegojë arsyet pse u hoq pezullimi automatik dhe nuk ka publikuar vendimin e arsyetuar me shkrim. Gjithashtu besohet se është hera e parë që nga vendosja e rregullit për pezullimin automatik pas kartonit të kuq në Kupën e Botës që një dënim i tillë është anuluar.

Përndryshe, Belgjika e eliminoi SHBA-në në raundin e 16-të, me Balogun që zhvilloi paraqitjen më zhgënjyese në tërë turneun./Telegrafi/

telegrafi sport app