LAJMI I FUNDIT:

“Coca-Cola përkrah Rininë”, filloi implementimin e fazës së dytë të programit

“Coca-Cola përkrah Rininë”, filloi implementimin e fazës së dytë të programit

Programi për fuqizimin e të rinjve “Coca-Cola përkrah Rininë”, njëherit më i madhi në Kosovë, filloi sot pjesën e dytë të implementimit. Konkretisht ky program ka për qëllim aftësimin e 300 të rinjve për treg të punës dhe vetëpunësim.

Të gjithë të rinjtë që do të marrin pjesë në këtë program, do të kenë mundësinë të trajnohen në zhvillim të aftësive si menaxhimi i kohës dhe projekteve, informata kthyese, se si të komunikohen përparësitë dhe arritjet në mënyrë efektive, komunikimi biznesor dhe etika në biznes etj.

“Programi ka një moto e ajo është “Mëso, zbato, vepro” dhe me shumë përgjegjësi mund të them se ja kemi dal së zbatuari. Këtë e konfirmon fakti se në fazën e parë të programit që është implementuar në muajt Prill – Maj të këtij viti, është arritur që më shumë se gjysma e pjesëmarrësve të kenë rezultate konkrete, duke filluar punë praktike apo punësim. Jo vetëm kaq ngase numri i rezultateve konkrete po shtohet çdo javë. Shpresojmë që ky sukses të vazhdojë edhe në pjesën e dytë të programit”, u shpreh me rastin e hapjes së programit, Albena Pllana, menaxhere për komunikim në Coca-Cola HBC Kosova.

Ndërkaq Shenaj Shala dhe Fatos Axhemi, trajnerët e këtij programi, shpjeguan se të rinjtë do të kenë mundësi që gjatë këtyre ditëve të ngrisin aftësitë e tyre për jetë dhe punë duke u përgatitur për treg të punës. Do të trajtohen tema të ndryshme që ju ndihmojnë pjesëmarrësve të zotërojnë aftësi më të mira për intervista pune, komunikim biznesor dhe përgatitjes së tyre të gjerë me qëllim që ata të sigurojnë një vend pune apo vetëpunësim.

Pjesëmarrësit e programit janë të rinj të moshës nga 18-30 vjeç. Në mesin e tyre është edhe Dhurata Dani e cila u shpreh shumë optimiste se do të marr njohuritë e nevojshme e që do t’i shërbejnë në të ardhmen.

“Arsyeja që unë po marr pjesë në këtë trajnim është që të aftësohem në mënyrë që të gjej një vend pune. Që nga momenti i parë, trajnerët na kanë inspiruar se si të jemi më të motivuar po besoj që edhe pjesa tjetër e trajnimit do të na ofroj shembuj dhe këshilla për një fillim të mbarë të karrierës ”, u shpreh Dhurata Dani.

Programi “Coca-Cola përkrah Rininë” mbështetet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agjencia e Punësimit të Republikës së Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane, ICK, Rrjeti CSR në Kosovë, Venture UP. /Telegrafi/