Aktorja hollivudiane, Charlize Theron, në kohët e fundit është duke i baraspeshuar në mënyrë të suksesshme rolet e saja në drama dhe filma aksion.

Pas hitit të vitit të kaluar, “Bombshell”, 44-vjeçarja gjatë këtij viti do të luajë në filmin me superheronj, “The Old Guard”, i cili nga 10 korriku do të jetë në dispozicion në Netflix.

Në njoftimin e Coming Soon, është fjala për adaptimin nga revista komike me të njëjtin emër të Greg Ruck që ka të bëjë me një grup ushtarësh, të cilët udhëhiqen nga një femër me emrin Andy, të cilën e portretizon Charlize Theron.

Ata përndryshe janë të pavdekshëm dhe me shekuj kanë punuar si mercenarë, ndërsa në shekullin XXI e kuptojnë se nuk janë të vetmit që e kanë atë fuqi. Në të njëjtën kohë përballen me rrezikun e ri nga një organizatë e panjohur.

Gina Prince-Blythewood e ka bërë regjinë e filmit, ndërsa krahas Theron, në rolet kryesore shfaqen edhe Marwan Kenzari, Kiki Layne, Matthias Schoenaerts, Luca Marinelli, Harry Melling, Chiwetel Ejiofor e Veronica Ngo. /Telegrafi/