LAJMI I FUNDIT:

Çfarë thoshte Mit’hat Frashëri për Esat Pashën, Kolekën, Ypin, Vangjelin dhe deputetët?

Çfarë thoshte Mit’hat Frashëri për Esat Pashën, Kolekën, Ypin, Vangjelin dhe deputetët?

Agron Tufa

Mit’hat Frashëri qahet shpesh, ndjen keqardhje për faktin se Naimi, Samiu dhe i ati nuk mbajtën, nuk lanë shënime rreth veprimtarisë së tyre, me fjalë të tjera, nuk lanë “Kujtime”. Këtë të metë e kanë pasur më para dhe më pas pjesa më e madhe e personaliteteve të kulturës dhe politikës shqiptare. Po dihet, ndërkaq, që kujtesa është baza e kulturës. Mit’hat Frashëri të paktën vetë la disa kujtime të botuara dhe të tjera në dorëshkrim, të cilat kemi fatin t’i gjejmë të përmbledhura në këtë vepër te re që promovohet nga Instituti “Lumo Skëndo”.


Memuaristika si shkrim është thelbi i sendërtimit të kujtesës kulturore. Është një prej mjeteve të trashëgimisë shpirtërore të gjeneratave dhe një prej treguesve të nivelit qytetërues të shoqërisë, e marrëdhënieve të saj të ndërgjegjshme dhe analitike me të kaluarën, e rrjedhimisht, edhe për qenësinë e një sociumi etnokulturor në përgjithësi.

Edhe pse trashëgimia memuaristike e Mit’hat Frashërit nuk paraqet një shkrim sistematik, të rregullt, sipas një vijueshmërie të pandërprerë, ajo, gjithsesi, na njeh me disa segmente të rëndësishme të ngjarjeve historike e politike të Shqipërisë në agun e saj shtetformues, sikundërse na sjell nga afër portrete personalitetesh politike e kulturore të një çerek shekullit të parë të shekullit XX.

Lloji i shkrimit memuaristik të Mit’hat Frashërit rivalizon dorë për dorë me letërsinë artistike, pa ia zbehur aspak forcën dhe rëndësinë dëshmisë autentike. Është qartësia, thjeshtësia, stili i gjallë e dinamik, toskërishtja letrare e kulluar, që e shquan prozën e tij në atë nivel të ngjashëm subtil të Konicës e në disa raste, në po ato nivele koniciane shkëlqen dhe ironia therëse e grotesku. Por përgjithësisht, prozat memuaristike të Mit’hat Frashërit, të shkapërdara në vite të ndryshme, krijojnë kuadre të veçanta historike e nganjëherë psikologjike, zbulime, qëmtime, meditime, ascociacione idesh, etj. Në këtë rast shkrimi memuaristik mpikset rreth një ideje duke themeluar simbolika e përkime, alegori, sikurse është proza memuaristike “Pylli”:

Nga pylli dilte një arom’ e mirë; nën shtizat e diellit këto bimë kishin dirsur; një aromë e bërë prej djersës së vesës dhe prej rrezevet të diellit; kjo djers’ e ngrohtë e drurëvet, ky avull i hollë, i jepte njeriut një si dehje.

Tok me zgjimin dhe harlisjen e pyllit, të përshkruar me një gjuhë që është sferë e poezisë, na jepet jehona e një sëpate që pret dru: Tak, tak, tak! – Po bëjmë dru, – më tha plaku me mjekrën e bardhë. – Të krasiturit i jep fuqi drurit, pastaj më mirë të pritet, sesa të vdesë mbërdhe prej pleqërie. Ndërkaq, më vonë, spikat një zhurmë, klithje: Po ky zë ç’është? Nga del kjo klithje e çuditshme? Fare poshtë, tek qullet qyteti në ujë, në liman, një vapor i madh po ngarkon ushtarë. Djelmoshat, fshatarët, burrat e Anadollit po i shpien në Shqipëri se ka kryengritje në Kosovë.

Dhe sërish kuadri memuaristik mbyllet me sentencën alegorike: Të krasiturit i jep fuqi drurit; më mirë të pritet, se sa të vdesë vetë”.

Këto proza do t’i quaja shkrepje momentale fotografike që na sugjerojnë një paraqitje nga këndvështrimi i caktuar autorial. Aq më i rëndësishëm është koncepti etik dhe estetik i vëzhgimit dhe meditimit. Këtu subjektiviteti i autorit të memuareve përfshin në vetvete interpretimin e orientuar të “subjektit të fatit”, vlerësimin tij për dukuri të caktuara historike dhe mishërimin e pikëpamjes filozofike të autorit mbi botën, i cili është thurur me vetëhapjen shpirtërore të shkrimtarit. Proza të ngjashme në memuaristikën e Mit’hat Frashërit janë edhe “Një kujtim”; “Në Sinop”; “Netët”; “Doktorrëvet”; “Janllësh Olldu”; “Këshilli ministror në mes të natës”; etj. Por le të marrim në shqyrtim një cilësi tjetër të prozës memuaristike të Mit’hat Frashërit, si fillim, përmes këtij fragmenti:

O njerëz, gjithë kështu do të vdesim! Do vijë dita që të mbulohemi më një gropë, që të na kalben e të na bëhen hi edhe eshtrat! Ahere s’na ka për të mbetur gjë nga këto poshtësit’ e dheut! Ahere, nga lakmimi, nga ligësitë, poshtërsitë, djallëzitë, marrëzitë, s’do të na mbesë fare gjësend; vetëm një kujtim do të mbesë te njerëzit: si lum ata që do të kujtohen për të mirë, si mjer’ ata që do të zihen ngoje për të ligë! Si mjer’ ata që kanë qenë të ligj si lum ata që kanë qenë të mirë! Perëndia do na njohë gjithë punët.

Është një pasazh elegjiak, liriko-filozofik i shkëputur nga “Vdekja e Naimit”, e para dëshmi autentike mbi poetin e madh, që na e pëcjell Mit’hat Frashëri. Të tillë ishuj lirikë e meditativë e zbukurojnë prozën memuaristike të Mit’hat Frashërit, duke e ngjyrosur përcjëlljen e dëshmive me koloritin e përjetimeve subjektive, përshkrimeve ambientale apo portreteve e reliefeve të gdhendura saktë në kujtesën e kohës dhe vendit. Për herë të parë kemi mundësinë nga memuaret e Mit’hat Frashërit të ndeshim detaje konkrete nga nga jeta e e Naim Frashërit- njeri, jo thjesht ikonë poetit dhe apostullit kombëtar: Dëftente vetë se qysh një herë, që ishte vendosur rishtazi në Tophane, në të përpjetën e quajtur Defterdar, nuk gjente dot shtëpinë mbrëmjeve dhe do të kishte fjetur jashtë, sikur të mos kishte takuar të vëllanë. Disa detaje të tjera e zbresin Naim Frashërin në tokë, njeri si të gjithë, me nerva e shpërthime. Mit’hat Frashëri na e sjell figurën e Naimit tejet konkrete e njerëzore, sidomos në sitata ambientale, familjare, sidomos në rrëfimin “Naimi dhe vjehrra”. Ja një situatë e tillë:

…durimi i ungj Naimit s’ishte gjithnjë kaq i madh me të vjehrrën. Nganjëherë, edhe ajo, padyshim pas ecjes dhe formës së rëndë, që merrte sëmundja e Naimit, bëhej nervoze dhe e padurueshme.

Një ditë, me një hall të tillë dhe me atë zërin gjysëm të shuar (ahere i kishte përparuar lëngata e grykës), më tha:

– Më vjen, kështu si jam i sëmurë, të ngrihem e ta marr prej këmbe plakën time, ta heq zvarrë gjer te Kurbagal Dere, t’ia fus kokën në ujë dhe ta mbaj gjersa t’i dalë shpirti!

Kujtimet e Mit’hat Frashërit nuk janë një transmetim i thatë kronike apo raportimi; ato kanë forcën manjetike të na pëfshijnë në një kuadër të gjallë e organik të historisë dhe personaliteteve në rrjedhe të saj. E veçanta e prozës memuariste të Mit’hatit është cilësia e tyre e veçantë në kapjen, kompozicionin, penelatat e holla e të kursyera, figurativiteti dhe dialogu ekspresiv dhe, pikërisht në këto instrumente të formatimit të kujtimeve ai shkrihet njësh me veten e tij letrare – Lumo Skëndon. Kjo vihet re dukshëm në vizatimin e portreteve të burrave të shtetit, duke theksuar tiparet groteske, si në këto pasazhe:

Ja kryetari, Xhafer bej Ypi, dyzet e ca vjeç, mustaqezi, leshbardhë, shtatvogël, jo i hequr, fytyrën si akordeon, domethënë: kësula mbi vetullat, vetullat mbi syzet, syzet mbi hundën dhe hunda përzier me buzët dhe me mjekrën, sikur një grusht i dhënë majë kokës i ka shtypur turinjtë, e ka shkurtuar, përmbledhur. Të folurën e ka hundore, hëm-hëm një zë i flashkur dalë prej hunde. (“Tiranë, 5 nëntor 1922”)

Spiro Koleka, ministri i Punëve Botore, shquhet nga një cilësi: kur ha bukë, pështyn përdhe, më të djathtë ose më të mëngjër. Thonë dhe se i ndjek shumë gratë, domethënë jevgat, katundaret ose shërbëtoret, se të tijën e ka në fshat. Nja dyzet e pesë vjeç, mbase dhe më pak, pak si i shkurtër, mban erë amvise dhe është ironik.

Në dallim nga letërsia artistike veprat e letërsisë memuaristike bartin në vetvete funksione kryekëput apo kryesisht njohëse, pa ndonjë pretendim për novacion special artistik. Megjithatë, në “Kujtimet” e Mit’hat Frashërit shpesh është e vështirë të dallosh ndonjë kufi të qartë ndërmjet kujtimeve dhe letërsisë artistike. Në kujtime ka më pak rastësi; në to janë shumë më tepër të pranishëm elementët përzgjedhës, pikëprerjet e ngjarjeve. Kujtimet janë lloji i dytë i Letërsisë memuaristike. Nga përshkrimi i personazhit historik kalohet direkt në një situatë, të cilën mund ta klasifikosh si letërsi për mënyrën e trajtimit, prerjes dhe karekaterit anektodik. Është filtri përzgjedhës i autorit, apo prirje e brendshme e shkrimit të Mit’hat Frashërit? Ja një shembull:

Po harrova të zë ngoje z. Pandeli Evangjeli, ministër i Punëve të Jashtme. I gjatë, i thatë, me eshtrat e fytyrës të dala, me syze, kur lexon, kryet mbuluar më flokë të thinjur, i zeshkët. Pandeliu ka një fytyrë impozante, me një buzëqeshje naive, kur flet. Po s’ka vetëm buzëqeshjen si ndihmës, më tepër se nga çdo send ai ka gjestet; këto i zënë vendin fjalëve. Ahere, hyjnë në funksion, herë njëra vetëm, herë të dyja; gishtërinjtë marrin pozita të ndryshme: dy, tri bashkë , herë dhe një i vetëm, duke nderë krahun në lëvizjet e një njeriu që pret një krye, që mbjell një arë, që këput një pe… Padyshim ai që do bëjë dikcionarin, çelësin e gjesteve të ministrit tonë, do t’i ketë bërë një shërbim diplomacisë shqiptare. Dhe kush e di ndonjë prej përfaqësonjësve të huaj nuk ka zënë që ta bëjë këtë vepër. Pa duart dhe gjestet Pandeliu mbetet memec. Një ditë në Paris, në Rue d’Arton, na bënte një këndim gazete, duke rrahur masën e çdo fraze, e çdo fjale me dorën e tij të djathtë, të cilën e ngrinte me gjithë parakrahun dhe e lëshonte si një çekiç mbi tryezë. Vajçë dhe ia zura krahun, ia çaktivizova dorën. U mërzit pak, po përnjëherë mendja i gjeti një pjellori dhe atë që bënte me krahun, filloi të bënte me këmbë, edhe në çdo fjalë nxirrte një tingëllim, siç e kanë zakon shumë njerëz, kur bie muzika. Vajta dhe i vura dorën mbi gjurin. Vazhdoi të këndonte gjysmë radhe, pastaj ngeci, qëndroi. “Po mor Zot, ose dorën ose këmbën lërma, si m’i zure që të dyja, si të lexoj?”

Në kujtimet e Mit’hat Frashërit, portretet e personaliteteve zënë një vend të veçantë. Këto kujtime të përcjella përmes përshkrimit të imët të tyre, na i vizualizojnë për herë të parë tiparet ë tyre fizike, duke i ulur me këmbë në tokë, përkundër përfytyrimeve që lindin nga protagonizmi i tyre historik apo politik. Pasi përshkruan një sërë personalitetesh të parlamentit, Mit’hat Frashëri bën dhe portretin e tyre grupor, kolektiv:

Fjalë, prapë fjalë, akoma fjalë! Mund të themi se një deputet në Shqipëri definohet kështu: “Një njeri, të cilit i jepet rroga që të flasë”. Jo makar kot, por kurdoherë kot.

Duhet pranuar një e vërtetë: sado i fuqishëm e me domethënie historike qoftë një personalitet, jo çdokush mund të shkruajë kujtime. Kujtimet si zhanër, kërkojnë një karakter të posaçëm, të paprekshëm prej sumundjes së megallomanisë, mitomanisë, apo delireve të tjera. Mit’hat Frashëri duket se është nga ajo prerje njerëzore që mban, si të thuash, flluskën e e nivelës në qendër, pa i shkarë skajeve. Alergjik ndaj ekzagjerimeve, karakter i esëllt, skrupuloz, ai na ka përcjellë përmes një stili të këndshëm e të thjeshtë diksionin e tij intim e mirëbesues, shpesh herë përmes humorit paradoksal e groteskut, duke mos e kurrsyer as veten e vet, sidomos pas serisë së portreteve të ministrave në “Kujtime 1912”:

Po mbarojmë te Mid’hat bej Frashëri, ministri i Punëve Botore. Në mes të tridhjetë dhe tridhjetë e pesave, i gjatë, sykaltër. Rri me një xhaketë udhëtimi, me kollan në mes dhe gjithnjë me pështjellka në këmbë. Pas Myfidit dhe Gurakuqit, Mid’hati është i treti që i mbahet goja kur flet, po i treti edhe nga shkalla e kësaj të mete. Në xhep ka gjithnjë kartë e kalem dhe shumë herë e shohin seç shkruan, seç shënon: thonë se mban shënime çdo ditë, rri në një shtëpi me Abdi Toptanin dhe më një shok tjetër, Mustafa Krujën. Por s’do mysafirë dhe qahet që nuk e lënë të qetë në mëngjes të shkruajë dhe të punojë.

Memuaristika e Mit’hat Frashërit është larg së qeni himnizuese apo glorifikuese. E tërheqin sidomos dukuritë negative, prirjet e mprapshta të karakterit fatalist, ditshkurtësia e gjykimit dhe rënia lehtë pre e demagogjive. Një ndër prozat që e shpalos këtë fatalitet ciklik, si ndonjë mallkim, është situata e turbullt politike e rebelimit haxhiqamilist në “Kujtimet e motit 1914”. Prijësit esadistë e haxhiqamilistë, mes të cilëve autori i kujtimeve ka hyrë në rolin e negociatorit, të tmerrojnë me bindjet apriori. Ja disa si argumentojnë ata:

– Jemi me Esatin se ai do osmanllinë. Nuk e duam Aqif pashën se ai mban anën e shqipes dhe të Shqipërisë!

– Esati na mbushi torbën me pak më tepër bukë, atij i bëjmë shërbim.

– Unë për dymbëdhjetë mexhitka të bardha vras një njeri! Tani më thoni të vras kë të doni!

Po i thoshte këto fjalë me thjeshtësi si një gjë pa ndonjë rëndësi.

– Po të të japin të tjerët mexhitka për të vrarë një prej nesh, cilin vret? – i thashë.

Na shikoi të treve, pastaj me një të qeshur të hollë:

– Pasha Zotin, ty të vras, tha, ti se e ke gojën të ashpër.

– Nuk duan shqipen dhe Shqipërinë, se shqiptarët xhamitë në Elbasan i kanë bërë kisha! S’bëhemi shqiptarë, se shqiptarët marrin motrën, mëmën, çupën e tyre për grua!

Shqipëria që përshkruan në kujtimet e veta Mit’hat Frashëri, duke filluar nga kryeqyteti gjithë baltë, mjerim, ujëra të zeza e injorancë, deri tek provincat e rebeluara që paraqesin në vetvete trekëndësha bermude në miniaturë, është ai realitet çmeritës ku grihet pandërprerë idealizmi i intelektualit që kërkon ta shohë atdheun e vet shtet normal të qytetëruar dhe moskuptimit dhe paragjykimit me të cilën pritet ky idealizëm. Më saktë këtë konflikt e përshkruan një episod në kujtimet e Mit’hat Frashërit për vitin e turbull 1914:

Një herë qiraxhiu ynë më tha kështu:

– Epo, sido të jetë, ju bejlerët me fitim jeni nga kjo Shqipëri!

Më qëndroi gjaku në rremba. Domethënë ky i gjorë e sheh veten të gënjyer dhe neve në fitim, mbase në dëm të tij.

– Dëgjo, mik, i thashë, a më sheh mua? Jam rritur në Stamboll dhe atje kam rrojtur. Prehjen që kam pasur atje, kurrë ndonjëherë s’e gjej dot këtu; rrogën që kam marrë atje, fort vështirë që ta gjej dhe këtu. Më sheh, jam në kalë me samar; atje isha me shemendëfer, me vapor të bukur, me karrocë të hijshme dhe me tramvaj. Ato shtëpi, ato teatro, ato librari, ato rroba, ato plaçka që gjeja në Stamboll, atë ëmbëlsi rrojtjeje, Shqipëria do edhe njëqind vjet që t’i gjejë. Unë, pra, për veten time dhe nga pikëpamja lëndore, kam humbur, po kam fituar një gjë të madhe moralisht; dua të shoh Shqipërinë të lumtur, dua të them, që ty duatë të shoh si jam unë dhe unë të bëhem si je ti. Edhe ti, or i mjerë, do të kesh gjithë fitimet: ti do të gjesh një shtet, do të gjesh një qeveri, do të kesh një rrugë dhe një urë, do të çosh djalin tënd në shkollë dhe ai djalë do të bëhet njeri!

S’e di nëse qiraxhiu më kuptoi. Apo me vete të tij thoshte: “Ky do të ketë ndonjë djallëzi, që kërkon të më gënjejë!”

Për të gjithë ata lexues, që duan të kenë një ide të jetës politiko-intelektuale në hapat e parë të shtetit shqiptar, “Kujtimet” e Mit’hat Frashërit u ofrojnë një album autentik. Si të gjitha veprat e mirë të memuaristikës, që shpalosin “frymën dhe kuptimin e kohës”, edhe në këto kujtime e kemi këtë shpirt, këtë frymë të kohës në një kontekst të vështirë historik.