LAJMI I FUNDIT:

Çfarë do të thotë kthimi i Christopher Hill në Ballkan?

Çfarë do të thotë kthimi i Christopher Hill në Ballkan?

“Ai është një lojtar serioz, një ekspert për Ballkanin, por edhe më shumë se kaq”, më këto fjalë e përshkruan Christopher Hillin – diplomatin me përvojë i propozuar për postin e ambasadorit në Serbi, Daniel Fried – një përfaqësues tjetër diplomatik amerikan me përvojë shumëvjeçare në Ballkan gjatë viteve të ‘90-ta.

Nominimi për ambasador i Christopher Hill, një bashkëkohës i krizave të shumta, ka ngjallur polemika në opinionin ballkanik dhe ndërkombëtar lidhur arsyet dhe kontributin e mundshëm të veteranit – në të kaluarën i angazhuar në përfundimin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjatë krizës së Kosovës u krye intervenimi i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht me operacionin e Aleancës Veriatlantike (NATO) në ish Republikën Federale të Jugosllavisë (RFJ).

Bashkëbiseduesit e Zërit të Amerikës (edicioni në gjuhën serbe) sigurojnë se ky është, siç e quajnë ata, një emër i madh në qarqet diplomatike – i cili e dinte shumë mirë se çfarë po bënte gjatë karrierës së tij të gjatë.

“Një yll diplomatik dhe një person shumë serioz. Njihemi për një kohë të gjatë. Ai shërbeu në Beograd në fillim të viteve ’80-ta të shekullit të kaluar, kështu që ai e njeh terrenin. Kjo është një gjë e mirë, sepse ngritja e papritur e tensioneve midis Kosovës dhe Serbisë kohët e fundit, sugjeron që situata mund të përkeqësohet”, tha Daniel Fried, një bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Atlantik dhe një diplomat në pension me përvojë shumëvjeçare, transmeton Telegrafi.

Hill, nominimi i të cilit do të konfirmohet në Kongres, shërbeu gjithashtu si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit gjatë karrierës së tij. Ai udhëhoqi delegacionin amerikan gjatë bisedimeve me përfaqësuesit e Koresë së Veriut mbi çarmatimin bërthamor në 2003.

“Ai punoi në Poloni, Korenë e Jugut dhe Irak – ku Shtetet e Bashkuara kishin ndoshta ambasadën më të madhe në botë në atë kohë. Hill është i lidhur drejtpërdrejt me Presidentin Biden dhe Sekretarin e Shtetit Blinken. Ai ndoshta ka qasje më të lehtë për dallim nga ambasadorët e tjerë. Unë mendoj se kjo sinjalizon se amerikanët janë të interesuar të arrijnë zgjidhjet e duhura për Kosovën dhe Bosnjë -Hercegovinën”, siguron Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington dhe njohës i situatës në Ballkan.

“Nuk dërgoni njerëz të jashtëzakonshëm në vendet për të cilat nuk jeni të interesuar. Është një sinjal se ne jemi shumë të vetëdijshëm për rreziqet në Ballkanin Perëndimor. Nuk mund të them se me këtë sinjalizohet synimi për të filluar një proces të ri, por do të thotë se ne jemi diplomatikisht gati që këtë ta marrim seriozisht”, vlerëson Fried.

Tranzicioni politik në administratën amerikane, pas zgjedhjeve presidenciale nëntorin e kaluar, u shoqërua me spekulime në publikun ballkanik në lidhje me mundësitë e ndryshimit të politikës ndaj Ballkanit Perëndimor- më konkretisht ndaj Serbisë, procesit të dialogut Beograd-Prishtinë dhe subjektivitetin e entitetit boshnjake – hercegovas në Republikën Srpska, transmeton Telegrafi.

Në disa raste, zyrtarët amerikanë siguruan se kjo marrëdhënie do të mbetet e pandryshuar dhe se Shtetet e Bashkuara do të mbeten të përqendruara në mbështetjen e integrimit euroatlantik të gjithë rajonit.

Mirëpo, a thua nominimi i Hillit sinjalizon një qasje të re për zgjidhjen e çështjeve në Ballkan, ku situata duket se po përkeqësohet, ose më konkretisht ndaj Serbisë?

“Çfarëdo që duam të bëjmë në Ballkan, Serbia është pjesë e saj – në anën e drejtë ose të gabuar. Unë do të preferoja të ishte në anën e duhur, megjithëse nuk ka rëndësi se çfarë dua. Varet nga Serbia, dhe të kesh një diplomat me ndikim atje do të thotë që do të dihet që ne i marrim gjërat seriozisht. Skenari më i mirë do të ishte që Serbia t’i kujtojë aspiratat e saj të mëparshme evropiane. Një Serbi që ndihmon në zgjidhjen e çështjeve në Ballkan, për të mos qenë agjent i Moskës ose nacionalizmit – dhe për t’i bërë gjërat më keq. Një Serbi e tillë mund të ndryshojë historinë e rajonit”, saktësoi Fried, i cili gjatë karrierës së tij ka kryer funksionin e Ndihmës Sekretarit të Shtetit dhe ishte angazhuar në mënyrë aktive në Ballkan.

Daniel Serwer, nga ana tjetër, beson se mund të ketë një përkeqësim të caktuar ndaj Beogradit në krahasim me administratën e mëparshme amerikane – të cilën ai vlerëson se kishte një qëndrim disi më të butë ndaj Serbisë.

“Sundimi i ligjit është një parakusht për zhvillimin ekonomik dhe një zgjidhje politike. Ndryshimet politike në Kosovë kanë kontribuar në një përpjekje më agresive për të arritur sundimin e ligjit, sesa në Beograd. Atje [në Beograd] qeveria nuk ka ndryshuar prej disa vitesh. Kurse ne e dimë se çfarë ka ndodhur me administratën që ka qenë në pushtet prej vitesh. Ata gradualisht po bëhen gjithnjë e më të korruptuar”, tha Server për Zërin e Amerikës.

Analisti amerikan gjithashtu thekson se autoritetet aktuale të Prishtinës nuk kanë përfituar nga korrupsioni në vitet e mëparshme dhe se ata po përpiqen të vendosin rregull në atë kuptim.

“Ndërsa rivalët e tij politikë vazhdojnë të përfitojnë nga sjelljet korruptive në Beograd. Atje nuk ka qasje më agresive për të luftuar korrupsionin. Nuk ka përpjekje për të krijuar një gjyqësor të pavarur. Nuk ka media të lira. Dhe këto janë gjëra që do të ngadalësojnë përparimin e Serbisë drejt Bashkimi Evropian”, tha Server, transmeton Telegrafi.

E papërfillshme është që një pjesë e publikut në Serbi e lidh emrin e Christopher Hill me administratën e ish -Presidentit Bill Clinton, që qytetarët nuk e shohin me simpati dhe e lidhin atë me vitet e sanksioneve, izolimin dhe në fund me ndërhyrjen e NATO -s në Kosovë.

Kësaj i kanë paraprirë nga negociatat e pasuksesshme në Rambuje, në të cilat ai mori pjesë – Christopher Hill dhe e ashtuquajtura diplomaci lëvizëse.

“Chris Hill nuk i krijoi problemet. Ato janë krijuar nga Slobodan Milosheviqi dhe serbët e dinë këtë. Mos e fajësoni Hillin, sepse Milosheviqi e përkeqësoi gjithçka që preku. E mbaj mend në kohën time se pozicioni radikal i kosovarëve ishte Republika e Kosovës. E tëra që ata donin ishte të ishin një republikë përbërëse me të njëjtin status si Kroacia. Ata nuk kërkuan pavarësinë. Mos e fajësoni Chris Hill për ato vendime”, nënvizon Daniel Fried.

Daniel Serwer, nga ana tjetër, thotë se Hill vjen me një trashëgimi bashkëpunimi me njerëz sikur ish-presidenti amerikan, por edhe Sekretarja e Shtetit Madeleine Albright.

“Kjo është biografia e tij – ai vjen nga ai mjedis. Por, në të njëjtën kohë për Amerikën gjithmonë është më e lehtë – që është vërtetuar edhe në Dejton që t’ua shtrembërojnë krahun miqve sesa atyre që nuk mendojnë si ata. Pra, unë pres që amerikanët do të bëjnë presion mbi autoritetet e Kosovës për çështje të shumta, njëra prej të cilave është Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Mendoj se ata do të përpiqen po aq të bëjnë mbi miqtë sa edhe mbi rivalët”, tha Serwer.

Nominimi i Hill u shoqërua me informata në lidhje me shkurtimin e mandatit të ambasadorit aktual amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

Një zhvillim i tillë i situatës ka ngritur dyshime për pakënaqësinë e mundshme në radhët e administratës amerikane me angazhimin e Godfrey në Beograd.

Daniel Serwer thekson se gjëra të tilla ndodhin në diplomaci – por gjithashtu, siç thotë ai, ato përfaqësojnë një sinjal të qartë.

“Diçka po ndodh që i bën Shtetet e Bashkuara të duan një lloj tjetër ambasadori – dhe ky është një diplomat që ka besimin e Sekretarit të Shtetit dhe presidentit dhe qasje tek ata. Unë nuk mendoj se ambasadori aktual bëri diçka të gabuar dhe u ndëshkua. Shpresoj që ai të ketë një punë të mirë pas kësaj. Kjo ka të bëjë me ngritjen e një kornize më të fortë. Eh tani, pse ata vendosën për postin e ambasadorit në Beograd, dhe jo një të dërguar special – as për mua nuk është e qartë. Por kjo ndoshta flet se ku ata mendojnë se duhet bërë më shumë presion “, përfundoi Serwer.

Daniel Fried nuk pret që Godfrey të zëvendësohet shpejt nga pozita e ambasadorit, duke vënë në dukje se procesi i konfirmimit të nominimit po zgjatë shumë.

“Jam i sigurt se Ambasadori Godfrey do të jetë në Serbi edhe për një kohë”, vlerëson Daniel Fried.

Sipas procedurës zyrtare, në mënyrë që përfaqësuesi më i lartë diplomatik amerikan të fillojë një mision në një vend, nominimi i Shtëpisë së Bardhë duhet të konfirmohet nga Senati – dhoma e lartë e Kongresit Amerikan. Kjo paraprihet nga një dëgjim në Komitetin e Senatit për Punët e Jashtme, i ndjekur nga deklarimi i gjithë Senatit. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Botë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Akulli polar po shkrihet dhe po ndryshon rrotullimin e Tokës - çfarë do të thotë kjo për njerëzimin

Botë
Hezbollahu lëshon

Hezbollahu lëshon "raketa të rënda luftarake" drejt veriut të Izraelit

Botë
Zelensky rendit “synimet e Rusisë, pas Ukrainës”, përmend edhe Gjermaninë

Zelensky rendit “synimet e Rusisë, pas Ukrainës”, përmend edhe Gjermaninë

Botë
Putin thotë se Rusia nuk do të sulmojë NATO-n, por kjo nuk vlen për aeroplanët F-16 që dërgohen në Ukrainë

Putin thotë se Rusia nuk do të sulmojë NATO-n, por kjo nuk vlen për aeroplanët F-16 që dërgohen në Ukrainë

Botë
Kalo në kategori