LAJMI I FUNDIT:

Çfarë ndodh kur e ndërpritni pilulën kontraceptive?

Çfarë ndodh kur e ndërpritni pilulën kontraceptive?

Për pilulën kontraceptive ekzistojnë paragjykime të shumta, prandaj çfarë ndodh pas ndërprerjes së përdorimit, është temë që i intereson më tepër përdorueset e saj.

Pilula kontraceptive përmban hormonet e quajtura estrogjen dhe progesteron, që, sipas përmbajtjes, janë shumë të ngjashme me hormonet që i prodhon trupi i gruas dhe nëse merren 21 ditë radhazi. e pengojnë ovulacionin. Këto hormone pengojnë tajitjen e gonadotropinës, hormon të cilin e tajit hipofiza në mënyrë natyrale, i cili e nxit funksionimin e vezoreve.

Përveç kësaj, pilula e pengon ngritjen e nivelit të estrogjenit natyral deri në atë sasi që nevojitet, në mënyrë që veza e pjekur të dalë nga flluska në vezore (folikula) dhe të arrijë te vepërçuesi dhe kështu të bëhet e gatshme për fekondim.


Telashet që vërtet i shkakton pilula kontraceptive, si: mundësia e çrregullimit të ciklit menstrual, mujoret me dhembje etj., janë të sakta, mirëpo disa janë fryt i mosdijes dhe i paragjykimeve, transmeton Telegrafi.

A rritet plleshmëria?

Kontracepsioni oral, i vë në ‘gjendje qetësie’ funksionet natyrale të qendrës hormonale të trurit – hipotalamusin dhe hipofizën, gjë e cila ndikon në ciklin menstrual. Pikërisht, për shkak të ‘qetësisë’ së këtyre funksioneve, pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës kontraceptive, ndodh zgjimi i sistemit për reproduksion, i cili bëhet më aktiv. Për këtë arsye plleshmëria në ciklet pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës mund të jetë më e shtuar.

Hulumtimet e bëra kanë treguar se mundësia e mbetjes shtatzënë në 6 muajt e parë pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës kontraceptive, janë 80 deri në 85 për qind. Shtatzënësia mund të ndodhë, pra, që në muajin e parë pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës (përafërsisht 50 për qind e rasteve), sepse menjëherë arrihet ovulacioni natyral dhe cikli menstrual,

A rritet rreziku nga malfornacioni i frytit dhe nga abortimi spontan?

Ky mendim është plotësisht i pabazë. Nuk ekziston asnjë studim që do të mund të dëshmonte se ndërprerja e përdorimit të pilulës do të thotë edhe shtim i rrezikut nga malformacioni i frytit. Me ndërprerjen e përdorimit të pilulës, në afat prej disa ditësh, trupi plotësisht tajit hormonet sintetike që i përmban pilula. Shtatzënësia ndodh gjatë muajit të parë pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës, domethënë nuk është dëmtuar nga mbetjet eventuale të hormoneve të bartura në organizëm.

Është e pasaktë se pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës rritet rreziku nga dështimi spontan. Kjo u ndodh njësoj edhe grave të cilat kurrë në jetë nuk kanë marrë kontracepsione orale. Rreziku nga humbja e frytit në shtatzënësinë e parë ndodh në përgjithësi: 12 deri në 15 përqind.

A është e rritur mundësia e shtatzënësive me më shumë fekondime?

Është e saktë mundësia e shtatzënisë me binjakë pas përdorimit të mjeteve të cilat e nxisin ovulacionin, domethënë të ilaçeve, si për shembull të gonadotropinës e te klomifenës, të cilat i përshkruan mjeku te rastet e mosplleshmërisë të shkaktuara nga mungesa e ovulacionit. Këto ilaçe mund te shkaktojnë pjekjen e përnjëhershme të më shumë vezëve. Për t’iu shmangur ‘befasive’ të cilat nuk janë gjithherë të këndshme, kjo formë e shërimit bëhet me kontrollim të ultratingullit, në mënyrë që në secilin cikël të mund të ndiqet puna e vezoreve, për t’u vërtetuar nëse vezorja është e stimuluar përtej mase.

A është e mundshme kokëdhembja?

Te disa gra, pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës kontraceptive, shfaqen dhembjet, pikërisht para menstruacioneve, ndonëse më herët, derisa e kanë përdorur pilulën, nuk kanë pasur telashe të tilla. Kjo lidhet me mungesën e sasisë së caktuar të hormoneve të cilat janë bartur në organizëm me anë të mjeteve kontraceptive orale.

Nivelin e estrogjenit dhe të progesteronit në organizëm e rregullojnë vezoret, porse niveli i atyre hormoneve nuk është gjithherë i njëllojtë, siç arrihet me përdorimin e pilulës. Prandaj, është e mundshme që brenda muajit të arrihet rritja e tajitjes së progesteronit (hormon i cili tajitet në pjesën e dytë të ciklit) dhe pikërisht ky çrregullim i baraspeshës, ndonëse shumë i vogël, mund të shkaktojë kokëdhembjen.

Progesteroni është vazodilatator shumë i rëndësishëm, prandaj shkakton zgjerimin e enëve të vogla të gjakut në tru gjatë përdorimit të pilulave. Me ndërprerjen e përdorimit të pilulave, mund të ndodh shtrëngimi i enëve të tilla të gjakut, gjë e cila e shkakton kokëdhembjen. Disa gra, prandaj, para fillimit të menstruacioneve ndiejnë dhembje të forta në njërën pjesë të kokës.

A bëhen menstruacionet më të dhembshme?

Është e mundshme që menstruacionet të bëhen me dhembje pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës kontraceptive. Mjetet orale kontraceptive e zvogëlojnë ose e pengojnë plotësisht tajitjen e disa substancave, të cilat kanë ndikim të fortë në ndjeshmërinë e dhembjes. Janë të mundshme edhe menstruacionet më sasiore, mirëpo në të shumtën e rasteve u ndodh grave të cilat edhe para përdorimit të pilulës kanë pasur menstruacione më me sasi. Shumë shpesh kjo pengesë është e lidhur me prodhimin tej mase të estrogjenit. Kur të ndërpritet përdorimi i pilulave kontraceptive, organizmi rikthen ritmin natyral të funksioneve.

A çrregullohen menstruacionet?

Është e mundshme që me ndërprerjen e përdorimit të pilulës kontraceptive, mujoret të vonohen ose të ndërpriten përkohësisht (e ashtuquajtura amenorreja postkontraceptive), mirëpo ky çrregullim shfaqet shumë rrallë. Shfaqja e kësaj dukurie shumë shpesh nuk është shkak i kontracepsionit oral, veçse fakt se gruaja edhe para përdorimit të pilulës kontraceptive ka pasur mujore të çrregullta. Kur ndërpritet përdorimi i pilulës, organizmi merr funksionet e veta natyrale dhe ritmin natyror, në të tilla raste ndodh ndërprerja e menstruacioneve.

Te disa raste vonesa e mujoreve mund të jetë e shkaktuar nga stresi dhe frika nga shtatzënësia. Stresi shkakton tajitjen e substancave të caktuara, që ndikojnë në hipotalamus si dhe mund të ndikojnë në mekanizmat, të cilat rregullojnë ciklin menstrual. Në të shumtën e rasteve, megjithatë, ky çrregullim humb gradualisht. Vetëm nëse, pas ndërprerjes së përdorimit të pilulës, mujoret vonohen për 6 muaj, duhet të bëhen analizat mjekësore.

FjALORI

Estrogjeni – është hormon femëror seksual dhe është përgjegjës për veçori sekondare seksuale. Te pilulat kontraceptive shfrytëzohen estrogjenët që fitohen me anë të rrugës kimike, më së shpeshti me estradiol.

Gonadotrina – është hormon i hipofizës (ndodhet në fund të trurit), dhe ndikon në aktivizimin e vezoreve. Cyt pjekjen e folikuleve si dhe ndikon në përtëritjen e sekrecionit të mitrës.

Progesteroni – është harmon të cilin e tajisin në mënyrë të natyrshme vezoret në gjysmën e dytë të ciklit menstrual.

/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Kur trupi ‘qan’ për ndihmë: Shtatë shenjat që tregojnë sasi të tepërt të hekurit në gjak

Shëndetësi
Kalo në kategori