Çfarë ka të bëjë demokracia e Zvicrës me brirët e lopëve?

Shënime mbi referendumet në nivel nacional dhe kantonal (Zürich), të cilat mbahen më 14 qershor. Dhe disa fusnota interesante nga historia.
Nga fundi i këtij teksti do të flitet edhe për lidhjen mes demokracisë dhe brirëve të lopëve zvicerane. Por njëherë disa fjalë e fjali për çështje të tjera.
Demokracia zvicerane mund të duket e lodhshme, por është fantastike. E lodhshme sepse qytetarët me të drejtë vote tri deri katër herë në vit marrin pjesë në referendume për të vendosur për çështje nga më të ndryshmet. Pothuaj çdo ide mund të hidhet në referendum, mjafton të mblidhen 100 mijë nënshkrime. Ky model i demokracisë është fantastik për shkak se ia mundëson popullit të vendos vetë për gati çdo gjë. Kështu zbutet mllefi.
Më 14 qershor qytetarët do të vendosin nëse duan të kufizojnë numrin e banorëve të Zvicrës në 10 milionë. Nëse para vitit 2050 numri i banorëve kalon 9,5 milionë, qeveria dhe parlamenti duhet të ndërmarrin masa kundër rritjes së popullsisë. Në atë çast që në Zvicër arrihet numri prej 10 milionë banorësh, nuk do të lejohet askush të shpërngulet më në këtë vend.
Përkrahësit e iniciativës thonë se kjo masë është e domosdoshme për ta ruajtur Zvicrën nga ardhja e numrit të madh të të huajve, të cilët, sipas tyre, ngarkojnë infrastrukturën dhe e bëjnë gati të pamundur që familjet zvicerane të gjejnë një banesë me qira të përballueshme. Kundërshtarët thonë se kjo nismë shkakton vetëm kaos dhe rrezikon raportet me Bashkimin Europian.
Pas dy javësh, të dielën e 14 qershorit, rezultati do të dihet. Derisa po shkruhet ky tekst, shumica e votuesve tashmë kanë marrë me postë një zarf me materialin e referendumit dhe janë duke votuar apo do të votojnë në ditët në vijim - natyrisht me postë. Vendvotimet në Zvicër hapen vetëm për nostalgjikë dhe mbyllen shpesh në mesditë, sepse të gjithë e kryejnë obligimin qytetar nëpërmjet postës.
Përveç për iniciativën kundër Zvicrës 10-milionëshe, më 14 qershor votohet edhe ligji mbi shërbimin civil. Deputetët e shumicës parlamentare, të cilët i përkasin krahut konservator (Zvicra gjithmonë dominohet nga konservatorët), janë të bindur se shumë persona të obliguar për shërbim ushtarak po kalojnë nga armata në shërbimin civil. Prandaj, shumica parlamentare vendosi pengesa më të larta për këtë kalim. Të Rinjtë e Gjelbër dhe Shoqata e Shërbimit Civil po i luftojnë këto vendime parlamentare nëpërmjet referendumit.
Në nivel të kantonit të Zürichut do të votohet, mes tjerash, mbi politikat e banimit dhe mbi ndryshimin e Kushtetutës së kantonit të Zürichut me qëllim që të bëhet e mundshme që një anëtar i parlamentit kantonal të përfaqësohet nga një anëtar tjetër nëse për arsye të ndryshme nuk mund të marrë pjesë në punën parlamentare.
Një referendum interesant mbahet në qytetin e Zürichut: populli do të vendosë nëse mbështet apo kundërshton ndërtimin e një linje të re të tramvajit, e cila do të lidhë qendrën e qytetit me lagjen Affoltern, ndër lagjet e fundit pa lidhje me tramvaj.
Të imagjinojmë një referendum të tillë në Prishtinë: Kuvendi komunal vendos kundër ndërtimit të një vije të tramvajit që lidhë Prishtinën me Fushë Kosovën. Një grup qytetarësh kërkon referendum dhe pas plotësimit të kushteve ligjore kjo bëhet e mundshme, pastaj vendos populli. Tani për tani ky është iluzion. Siç është iluzion edhe referendumi se a duhet apo jo të ndërtohet një termocentral i ri në Kosovë, çfarë të bëhet me projektet për furnizim me gaz apo me ndonjë çështje tjetër madhore? Gjasat që kësisoj të sfidohet qeveria nga populli janë baras me zero.
Kështu që më mirë të kthehemi te demokracia në Zvicër. Në këtë vend populli vendos edhe për çështje që nga këndvështrimi ballkanik mund të duken qesharake. Nuk janë. Vite më parë një blegtor zviceran u mllefos për shkak se blegtorët ua prisnin brirët shumicës së lopëve dhe dhive. Pse? Për të mos lënduar njëra-tjetrën, por edhe për të kursyer hapësirë në stallë.
Blegtori me emrin Armin Capaul mblodhi mjaftueshëm nënshkrime për një iniciativë, e cila u hodh në referendum. Qëllimi i iniciativës ishte që blegtorët që ua lënë brirët lopëve dhe dhive të tyre, duhej të merrnin një shpërblim financiar (subvencion) nga shteti. Para referendumit u zhvillua një debat emocional mbi dinjitetin dhe jetën sociale të lopëve me brirë. Megjithatë, referendumi dështoi për pak. 54,7 për qind e zviceranëve votuan kundër që me Kushtetutë të ndalohet prerja e brirëve të lopëve në Zvicër. Megjithatë, një ministër doli para mediave dhe e përgëzoi blegtorin Armin Capaul për nismën. Kultura politike e Zvicrës nuk lejon poza triumfaliste.
Në vitin 2008 Kosova u bë e pavarur, ndërsa në Zvicër u votua për iniciativën “Kundër zhurmës së avionëve luftarakë në zonat turistike”. Iniciatorët donin ta shporrnin zhurmën shurdhuese të Forcave Ajrore Zvicerane nga rajonet e bukura turistike, në mënyrë që bjeshkatarët të mund të ecnin nëpër male në qetësi. Ishte një nismë egoiste, sepse zhurma e avionëve do të zhvendosej nga zonat e bukura në vendbanime më shumë të populluara. Populli e nuhati egoizmin dhe votoi me 68 për qind kundër kësaj ideje.







































