LAJMI I FUNDIT:

Samiti i BE-së: Vaksinimi prioritet, certifikatat për vaksinim mund të jenë gati brenda tre muajve

Samiti i BE-së: Vaksinimi prioritet, certifikatat për vaksinim mund të jenë gati brenda tre muajve

Ursula von der Leyen po fliste në një konferencë shtypi në Bruksel të enjten, pas një takimi virtual të udhëheqësve të kontinentit, ku ajo tha se një dokument që thotë nëse qytetarët janë vaksinuar apo jo mund të vihet në përdorim së shpejti.

“Afati kohor, tre muaj ka të bëjë me zhvillimin teknik, kështu që na duhen të paktën tre muaj për zhvillimin teknik të një sistemi ndërveprues në nivelin evropian. Ka shumë punë për të bërë nga Komisioni në nivelin Evropian dhe shumë punë për të bërë teknikisht për vendet anëtare në nivelin kombëtar”, ka shpjeguar von der Leyen, përcjell Telegrafi.


Sipas Euronews, certifikata do të jetë për ata që kanë marrë vaksinën, një test negativ PCR ose që tashmë kanë antitrupa.

Gjithsesi, sipas të njëjtit medium, ndërsa vendet e Evropës Jugore të varura nga turizmi, si Greqia dhe Spanja, mbështesin certifikatat, vendet veriore të BE-së si Gjermania kanë qenë deri tani skeptikë nëse një sistem i tillë do të funksiononte.

“Së pari duhet të zgjidhet qartë që njerëzit e vaksinuar të mos jenë më infektues”, ka thënë kancelarja gjermane Angela Merkel në një intervistë botuar të enjten në të përditshmen Frankfurter Allgemeine Zeitung.

“Për sa kohë që numri i atyre që janë vaksinuar është akoma shumë më i vogël se numri i atyre që janë duke pritur për vaksinim, shteti nuk duhet t’i trajtojë të dy grupet ndryshe”.

“Ndjej se ka shumë konfuzion ndonjëherë për këtë temë”, citohet të ketë thënë presidenti francez Emmanuel Macron, duke folur në një konferencë shtypi pas samitit të enjten.

Ndryshe, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së po takoheshin për të parë gjendjen epidemiologjike në kontinent, ku ata gjithashtu ranë dakord të japin përparësi në rritjen e prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave, duke thënë se ata do të punojnë me industrinë farmaceutike për të lehtësuar procesin.

“Prioriteti ynë kryesor tani është përshpejtimi i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave në të gjithë Bashkimin Evropian dhe kjo është arsyeja pse ne mbështesim përpjekjet e Komisionit për të punuar me industrinë për të identifikuar pengesat, për të garantuar zinxhirët e furnizimit dhe për të rritur prodhimin dhe ne duam më shumë parashikueshmëri dhe transparencë për të siguruar që kompanitë farmaceutike të jenë në përputhje me angazhimet e tyre”, ka thënë të enjten presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Ai gjithashtu tha se blloku prej 27 anëtarësh duhet të vazhdojë të investojë në kërkimin e vaksinave, në mënyrë që të luftojë kundër çdo varianti të ri COVID-19 që mund të paraqitet. /Telegrafi/