LAJMI I FUNDIT:

Viktimat e gjenocidit rus, që gjetën shpëtim edhe në Kosovë: Çerkezët, populli i bukur sykaltër (Foto)

Viktimat e gjenocidit rus, që gjetën shpëtim edhe në Kosovë: Çerkezët, populli i bukur sykaltër (Foto)

Kalorës të jashtëzakonshëm, trima të mëdhenj, besimtarë të devotshëm, të bukur… Janë këto disa nga karakteristikat e çerkezëve, popullit i cili njihet më njërën nga historitë më të trishta në historinë e njerëzimit.

KUSH JANË ÇERKEZËT, SI U DËBUAN NGA ÇIRKEZIA DHE SI U VENDOSËN NË KOSOVË?


Çerkezët kanë origjinën nga Kaukazi Perëndimor, nga vendi i njohur si Çirkezia. Kjo popullatë myslimane u bë trup-mburojë kryesore e avancimit rus në Kaukaz, atëherë kur politika ruse e carit Aleksandër, në vitin 1820 ishte drejtuar gradualisht kah Kaukazi Verior.

Cerkezet01 Pikturë që shfaq luftën ruso-çerkeze

Kjo luftë ka rezultuar me rezistencë të ashpër të popullatës vendase. Por, pas pushtimit, Rusia e përvetëson territori dhe në vitin 1857, rusi Dmitri Millutin proklamon idenë për dëbimin masiv të popullatës çerkeze.

Largimi i tyre bëhej kryesisht në drejtim të territoreve të sunduara nga Perandoria Osmane. Duke u larguar nëpërmjet Detit të Zi, shumë prej tyre kishin humbur jetën në det.

Sipas studiuesit Jusuf Osmani, llogaritet se prej vitit 1860-1870 në Kosovë janë vendosur deri në 40 mijë çerkezë. Ai thotë se pushteti osman çerkezët i shpërndau në mbi 30 vendbanime në Kosovë.

Fotografi e rrallë e Hasan Prishtinës me gruan e tij
Lexo po ashtu Fotografi e rrallë e Hasan Prishtinës me gruan e tij

Duhet cekur se çerkezët Sulltani i vendosi këtu si popull që i binden dhe që mbrojnë ekskluzivisht interesat e Perandorisë Osmane. Ndërsa, gruaja e Hasan Prishtinës ishte çerkeze.

circassia Rusia nuk pranon se ka kryer gjenocid ndaj çerkezëve

Osmani, që është profesor i Fakultetit Filozofik, në vitin 2014 e ka botuar një libër për lokalitetet në të cilat kanë jetuar dhe jetojnë aktualisht çerkezët. Në librin “Çerkezët në Kosovë”, thuhet se komunitetet çerkeze ishin të njohura për punimin e metalit dhe rritjen e kuajve. Ata po ashtu merreshin me blegtori.

Gjatë vendosjes në Kosovë, përveçqë ishin bërë pjesë e vendbanimeve ekzistente, kishin themeluar edhe vendbanime të reja.

Sot janë ata të paktë në numër, pasi pjesa dërrmuese e tyre, pas ardhjes së kolonëve serbë në Kosovë, kishin vendosur të shpërngulën në Turqi.

PSE SHQIPTARËT NUK I DONIN NË FILLIM ÇERKEZËT DHE CILAT ISHIN PARAGJYKIMET PËR TA?

Studiuesi i njohur anglez, Noel Malcom, në librin e tij “Kosova”, për çerkezët shkruan se meqë ishin luftarakë, të gatshëm të luftonin me dëshirë kundër përparimit të cilitdo shteti të krishterë në territorin mysliman, pushteti osman vendosi një numër të madhe refugjatësh çerkezë në territoret ballkanase të Perandorisë Osmane. Numri i përgjithshëm i tyre duhet të ketë qenë mes 150,000 dhe 200,000.

Cerkezet02 Një shtëpi tradicionale çerkeze

Në Kosovë u formuan afro 30 fshatra me kolonët çerkezë, në pjesën lindore të Kosovës. Disa sish ishin ngulime të mëdha të përbëra nga 100 familje, por shumica ishin me 40-50 familje më së shumti.

Sipas kujtesës së vetë çerkezëve, në Kosovë dikur ishin 2,000 familje, kurse numri i përgjithshëm i tyre nuk ishte pak më i madh se 12,000.

Kushtet e tyre ishin të vështira dhe pas varfërisë në të cilën ishin katandisur gjatë shpërnguljes, shumë sosh vdiqën nga epidemitë. Megjithëse çerkezët në Kosovë ishin të përjashtuar nga taksat, ata prapëseprapë e kishin të vështirë për të çuar një jetë të mirë, prandaj disa pre tyre ngritën krye, por Ushtria osmane i ktheu sërish në fshatrat e tyre.

Cerkezet03 Çerkezët në veshjen e tyre tradicionale

Meqë nuk ishin mësuar të merreshin me bujqësi, ata u morën kryesisht me dy zanate: me përpunimin e metaleve (sidomos me filigraninë ruse të stilit “tula”, për stolisjen e armëve dhe me prodhimin e dorezave të kamxhikëve), dhe me rritjen e kuajve. Pikërisht për shkak të kësaj veprimtarie të fundit, atyre u pat dalë edhe nami si vjedhës kuajsh.

Si shqiptarët ashtu edhe serbët, i konsideronin çerkezët si popull i egër dhe primitiv, dhe veçanërisht u bënte përshtypje fakti që ata hanin edhe mish kali. Po kështu ishte përhapur njëfarë besimi se ata i shisnin fëmijët si bagëtinë. Një shqyrtim më i hollësishëm i kësaj çështjeje më 1925, sqaroi si vijon: Ato familje të cilat kishin qenë të pasura në vendlindjen e tyre, kishin sjell me vete robërit, të cilët i kishin pasur si shërbëtorë shtëpish. Disa sosh kishin familje të tëra robërish, kështu që adeti i tyre normal që ishte që t‘i shisnin fëmijët e skllevërve. Mirëpo, meqë autoritetet osmane në fund të shekullit XIX po bënin përpjekje që të zhduknin skllavërinë, çerkezët pretendonin (duke bërë një përpjekje të çuditshme për ta paraqitur aktin e tyre si më pak të dhunshëm ) se ata fëmijë ishin të tyre.

Cerkezet04 Fëmijët çerkezë me kostume dhe flamurin kombëtar

Çerkezët e Kosovës u përdorën si trupa ndihmëse në shtypjen e kryengritjes bullgare të vitit 1876, si dhe në luftërat e viteve 1877-78. Pas kësaj date, një numër më i vogël çerkezësh, që kishin qenë të vendosur në rajonin e Nishit, u dëbuan nga serbët dhe u shpërngulën në Azinë e Vogël dhe në Siri, e shumë çerkezë të Kosovë vendosën t’ju bashkohen. Nga fundi i vitit 1890, numri i tyre në Kosovë ka qenë 6,400. Një shpërngulje më e madhe e tyre ndodhi pas vitit 1912 e pastaj më 1918.

Dancers from the Circassian minority perform dances from their old folklore heritage at the Southern theatre during the Jerash Festival in the ancient city of Jerash July 26, 2011. The Jerash festival for culture and art is a celebration of both Jordanian and international culture featuring poetry recitals, gymnastic performances, dance, plays and comedy. Picture taken July 26, 2011. REUTERS/Stringer (JORDAN - Tags: ENTERTAINMENT) Valltarë çerkezë

Më 1931, kur një antropolog austriak erdhi për të gjurmuar ata në Kosovë, thotë se mezi gjeti 50 familje “kaukazësh sykaltër” në fshati Stanoc të Poshtëm, që flisnin çerkezisht, turqisht shqip dhe serbisht. Ai po ashtu shtoi se të gjithë burrat ishin “modele meshkujsh të bukur”!

ADEM ÇERKEZI, DJALI I BALLISTIT E BABAI I DËSHMORIT, RRËFEN PËR JETËN E TIJ SI ÇERKEZ I KOSOVËS

Ademi Çerkezi është babai i një dëshmori që dha jetën në luftën e fundit në Kosovë. Plaku 75-vjeçar thotë se ndonëse sot janë të paktë në numër, ata ende e ruajnë kujtesën për identitetin e tyre.

Cerkezet07Adem Çerkezi: Shumë çerkezë janë shkruar shqiptarë, për inati të serbëve

Ai është rritur ndër shqiptarë, ndërsa edhe nëna e edhe bashkëshortja e tij ishin shqiptare. Plaku, në sytë e të cilit dallohen mollëzat e kuqe, sytë e ngrehur e të kaltër – tipare dalluese të një çerkezi – thotë se që nga fëmijëria e tij është shoqëruar me historinë e dhimbshme të të parëve të tij, të cilët u larguan dhunshëm nga atdheu i tyre.

“Unë kam lindur në Dumosh të Podujevës. Pastaj kemi ardhur në Obiliq”, ka thënë ai për Telegrafin.

Ademi tregon se babai i tij e kishte folur çerkezishtën, por që ky e kishte harruar gjuhën e të parëve.

“Çerkezishtën e kemi folur në shtëpi. Por, pas vdekjes së gjyshes nuk është se kemi komunikuar. Ndaj, nisa ta harroj”, shprehet ai, duke pranuar se është penduar për këtë. “Më kujtohen të vjetërit që thoshin se është mirë me i pas shtatë kalema. Ata kanë menduar që është mirë më i ditë shtatë gjuhë. Dija është shumë e rëndësishme në jetë”.

Cerkezet08 Kalërimi është tradita çerkeze që vazhdon të ruhet nga familja e tij në Obiliq

Çerkezi mendon se shkollimi dhe feja janë dy binarët që njeriu nuk duhet t’i lëshojë asnjëherë gjatë jetës së tij, në çka i inkurajon të angazhohen nipërit dhe mbesat e tij.

Ndërsa, duke folur për numrin e çerkezëve në Kosovë, thotë se nuk di ndonjë statistikë zyrtare.

“Numri i çerkezëve ka qenë më i madh. Disa janë shpërngulur nga Kosova, derisa disa të tjerë nëpër kohë janë shkruar si shqiptar. Kjo ka ndodhur sepse edhe çerkezët, sikurse shqiptarët, e kanë pasur të njëjtin armik. Arsyeja pse disa çerkezë janë shkruar si shqiptarë është që shqiptarët të dominonin sa më shumë në raport më serbët”, ka shtuar ai.

Babai i dëshmorit thotë se familja e tij asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka lënë mëngut shqiptarëve në kontributin e tyre për Kosovën.

Cerkezet09 Me filxhanin që ngjall kujtimet për fatin e popullit të tij: Rusët kryen gjenocid ndaj nesh

“Babai im ka qenë ballist, që për shkak të vështirësive nga komunistët jugosllavë është dashur që ta ndryshojë edhe emrin. Edhe pse emri i tij i vërtetë ishte Asllan, më vonë të gjithë e njihnin si Biqë. Ka qenë i përndjekur nga jugosllavët. Djali im Avdullahu, ka rënë dëshmor në Koshare”, ka theksuar ai.

I biri i Ademit, Avdullahu, kishte ardhur nga mërgimi dhe ishte bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tash, një rrugë në këtë qytezë mban emrin e tij.

ATË QË RUSËT UA BËNË ÇERKEZËVE DIKUR, SERBËT DONIN T’UA BËNIN SHQIPTARËVE

Duke folur për traditën dhe zakonet e çerkezëve, Ademi tregon se e ruajnë më fanatizëm marrjen me kalërim.

“E kemi përcjell brez pas brezi. Madje, edhe nipërit dinë të kalërojnë. Kemi fituar edhe çmime nëpër gara të kalërimit. Kemi edhe kuaj të cilët i mbajnë këtu afër shtëpisë”, ka shtuar ai.

75-vjeçari thotë se ka pak trashëgimi të prekshme nga të parët dhe se për këtë i vjen shumë keq. Por, me mall i tregon disa filxhanë dhe një qelibar, të cilët kanë mbetur qysh prej kohës së stërgjyshërve të tij.

Cerkezet10 Qelibari i stërgjysheve dhe fati i njëjtë i çerkezëve me atë të shqiptarëve: Emrin e djalit, Avdullah Çerkezi, e mban një rrugë në Obiliq

Çerkezi thotë se me shqiptarët çdo herë kanë pasur raporte të shkëlqyeshme, madje shton se është shqiptar po aq sa është çerkez, pasi nënën e ka shqiptare.

“Unë jam pak më në moshë. Por nipërve ju flas për historinë e popullit tonë. Tragjedinë që e kemi pësuar. Duhet secili të ndihet krenar me identitetin e tij, pa i ardhur keq në asnjë moment. Nuk duhet të harrojmë kurrë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ekziton një histori e përafërt në mes shqiptarëve dhe çerkezëve.

“Atë që na bën neve rusët para më shumë se një shekulli, Serbia tentoi t’ua bëjë shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta, por që nuk ia arriti”, ka shtuar ai.

75-vjeçari tregon se atë e vizitojnë shumë persona nga ky komunitet që jeton në Kosovë. Madje shprehet se ka vizita të shumta nga çerkezët që jetojnë jashtë Kosovës, me një pjesë të të cilëve ka edhe edhe lidhje familjare. /Telegrafi/

Cerkezet11 Bukuria çerkeze: Një aristokrate e fundit të shekullit XIX


  • VENDBANIMET E THEMELUARA DHE TË BANUARA NGA ÇERKEZËT
  • Vendbanimet e themeluara dhe të banuara nga çerkezët janë të shumta në Kosovë. Shumë nga ta, ndër vite, janë shpërngulur për në Lindje (Turqi, Siri, Arabi…). Më të veçantat, sipas komunave të sotme në Kosovë, janë si më poshtë:
  • PRISHTINË
  • Ajvalia themelohet nga çerkezët në vitin 1864. Aty u vendosën 40 familje, të cilat pas luftës së vitit 1877-78 u shpërngulën në drejtim të Turqisë.
  • Prishtina, sipas udhëpërshkruesit nacionalist serbo-rus, Spiridon Gopçeviq, në vitin 1888 kishte 40 shtëpi çerkeze me 200 banorë. Sot, në këtë qytet jetojnë vetëm pesë familje të tilla.
  • FUSHË KOSOVË
  • Bardhi i Madh themelohet nga çerkezët në vitin 1864.
  • Miradija e Epërme po ashtu themelohet nga çerkezët, të cilët shpejtë shpërngulen në drejtim të Turqisë.
  • Pomozotini më 1864 kishte disa familje çerkeze. Aty ende janë ruajtur disa gurrë të varrezave dhe mikrotoponimi “Varret e Çerkezëve”.
  • Sllatina, si vendbanim, kishte çerkezë të cilët këtë fshat e kanë quajtur Hajrije.
  • OBILIQ
  • Azizia (Millosheva) është vendbanim i themeluar nga 300 familje çerkeze. Në fillim të vitit 2014, në këtë vendbanim jetojnë 11 familje me origjinë të tillë, me mbiemrin Abazi dhe Bahtiri, me rreth 62 anëtarë.
  • Hamidia themelohet në vitin 1878. Aty dikur jetonin 25 familje çerkeze. Në këtë lokalitet janë ruajtur mikrotoponimet: Varret e Çerkezëve, Fushat e Çerkezëve, Arat e Çerkezëve, Prroni i Harum Çerkezit, Arat e Mehmet Çerkezit, Shtëpia e Haxhi Çerkezit.
  • Obiliq (Glloboder) është qyteza ku familjet çerkeze ende e ruajnë me fanatizëm traditën e rritjes se kuajve. Ndërsa, kalërimin e mësojnë qysh në fëmijëri. Sot aty jetojnë 20 familje çerkeze, por asnjëri nuk e flet gjuhën e tyre kombëtare.
  • PODUJEVË
  • Dumoshi në vitin 1864 kishte disa familje çerkeze. Shumica e banorëve të këtij lokaliteti, e që ishin çerkezë, u shpërngulën ne drejtim të Turqisë. Dy familjet e mbetura në këtë fshat u shpërngulën në vitin 1956 për në Obiliq.
  • Sibofci i Epërm dikur kishte shumë familje çerkeze, por aty sot kanë mbetur 3-4 sosh.
  • Katunishta (Velikareka) rreth vitit 1864 kishte rreth 50 familje çerkeze.
  • VUSHTRRI
  • Stanovci i Poshtëm (Ishanije Bala) në vitin 1864 kishte rreth 90 familje çerkeze. Në vitin 2014, në këtë fshat jetonin gjashtë familje me gjithsej 35 anëtarë. Në këtë vendbanim ende flitet gjuha çerkeze.
  • Lummadhi sot ka vetëm një familje çerkeze, për dallim nga viti 1871 ku ishin shumë më shumë.
  • Vushtrria është qyteza ku sot jetojnë dy familje çerkeze, të cilat kanë ardhur para disa viteve nga Mitrovica.
  • MITROVICË
  • Suhadolli i Muhaxhirëve (Çerkezëve) është lokalitet ku në vitin 1864 u vendosën disa familje çerkeze.
  • Shipoli, vend afër Mitrovicës, ishte vendi ku ishin vendosur disa familje çerkeze në vitin 1864.
  • Mitrovica është qytet me shtatë familje me mbiemra Çerkezi, Apuk, Musiq dhe Hasani. Banorët çerkezë e njohin pak gjuhën e tyre, meqë flasin më shumë gjuhën boshnjake dhe shqipe.
  • Zveçani dikur kishte disa familje çerkeze, nga ku janë larguar pas Luftës së Parë Ballkanike.
  • LIPJAN
  • Magurja në vitin 1864 kishte disa familje çerkeze
  • Ribari i vogël në vitin 1864 kishte 32 familje çerkeze, nga të cilat sot jeton vetëm një familje me pesë anëtarë.
  • Dobraja e Vogël në vitin 1913 kishte 13 familje çerkeze.
  • Vrella (e Goleshit) kishte 50 familje çerkeze në vitin 1864.
  • Rufci i Vjetër po ashtu, sipas regjistrave të vitit 1864, kishte disa familje çerkeze.
  • GJILAN
  • Livoçi i Poshtëm dikur kishte 45 familje çerkeze.
  • Sllakovci i Epërm (Sllakovci i Çerkezëve) është vendbanim i themeluar nga 15 familje çerkeze.
  • Gjilani është qytet ku jetojnë pesë familje çerkeze me 32 anëtarë.
  • VITI
  • Dobreshi është lokaliteti ku pushteti osman i vendosi 50-60 familje çerkeze, të cilët e krijojnë vendbanimin e ri. Por, në këtë lokalitet sot nuk jeton asnjë familje çerkeze.
  • Pozherani popullohet më 1864 nga disa familje çerkeze, por më 1878 pjesa dërrmuese e tyre largohen për në Turqi.
  • Sadovina e Çerkezëve themelohet nga çerkezët. Aty u vendosën 65 familje.
  • Katundi i Ri po ashtu kishte disa familje çerkeze.
  • FERIZAJ
  • Talinovci i Muhaxhirëve (Çerkezëve) u themelua nga familjet çerkeze rreth vitit 1864.
  • Sazlia themelohet nga 20 familje çerkeze.
  • Prelezi i Muhaxhirëve (Çerkezëve) themelohet nga 18 familje çerkeze.
  • Softaj kishte dikur 12 familje çerkeze, shumë nga të cilat më 1912 ikin për Siri.
  • Në Ferizaj në vitin 1912 ishin regjistruar 25 shtëpi çerkeze. Por, pas Luftës së Dytë Botërore pjesa më e madhe e tyre ishin shpërngulur në Turqi. Një lagje në këtë qytet njihet si Mahalla e Çerkezëve.
  • SHTIME
  • Godanci i Poshtëm (i Çerkezëve) dikur kishte 35 shtëpi çerkeze.
  • GJAKOVË
  • Gjakova sot ka 10 familje me mbiemrin Çerkezi, por të dhënat për prejardhjen e tyre janë kontradiktore në lidhje me prejardhjen e tyre.

Në trend Lajme

Më shumë
Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Njësiti special serb “Kobra” dyshohet të jetë pjesë e trajnimeve të grupeve terroriste pranë kufirit me Kosovën

Siguri
Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Togerja e Policisë së Kosovës fiton çmim ndërkombëtar për shërbim në komunitet

Siguri
A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

A po e kushtëzon Sllovenia Kosovën me Asociacion për t'u bërë pjesë e Këshillit të Evropës - flet presidentja Pirc Musar

Lajme
Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Italiania e dashuruar me Sarandën: Sa erdha thashë do të jetoj këtu, tani kam biznes

Lajme
Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Meta: Ambasadorin italian do ta kisha shpallur “non grata” në Shqipëri

Lajme
Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Konkursi për gradimin e policëve, dyshohet për favorizime të familjarëve të eprorëve

Siguri
Kalo në kategori