Së bashku përtej betejës: IPKO organizon aktivitete mbështetëse për të mbijetuarit nga kanceri

Në kuadër të Muajit të të Mbijetuarve nga Kanceri, i cili shënohet gjatë muajit qershor në mbarë botën, IPKO ka nisur sot një seri aktivitetesh edukative dhe informuese të dedikuara për të mbijetuarit nga kanceri. Aktivitetet po zhvillohen më 5, 6 dhe 7 Qershor në Ring Mall Ferizaj, duke ofruar mbështetje, informim dhe motivim për të gjithë pjesëmarrësit.
Kjo iniciativë synon të krijojë një hapësirë ku të mbijetuarit nga kanceri mund të marrin informacione të vlefshme nga profesionistë të shëndetësisë, të ndajnë përvojat e tyre dhe të gjejnë mbështetje në rrugëtimin drejt një jete më të shëndetshme dhe me më shumë besim.
Gjatë tri ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit kanë mundësinë të ndjekin ligjërata profesionale, të konsultohen me mjekë specialistë dhe ekspertë të fushës së onkologjisë, si dhe të informohen mbi tema që lidhen me rikuperimin, shëndetin emocional, kujdesin pas trajtimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Për IPKO-n, kjo iniciativë është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për të mbështetur kauza që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e njerëzve dhe për të kontribuar në ndërtimin e një komuniteti më të informuar, më të fuqizuar dhe më solidar.

“Pas çdo të mbijetuari nga kanceri qëndron një histori force, kurajoje dhe shprese. Për ne, është e rëndësishme që këto histori të dëgjohen, të vlerësohen dhe të mbështeten. Përmes kësaj iniciative synojmë të ofrojmë jo vetëm informim profesional, por edhe një mesazh të qartë se askush nuk duhet ta kalojë këtë rrugëtim i vetëm. Si kompani që beson në fuqinë e komunitetit, jemi krenarë të kontribuojmë në aktivitete që sjellin mbështetje, dije dhe shpresë për njerëzit dhe familjet e tyre,” tha Afrika Zyferi Badivuku, Drejtore e Marketingut dhe Komunikimit Korporativ në IPKO.
Përveç sesioneve informuese dhe edukative, aktiviteti krijon një mundësi të vlefshme për shkëmbimin e përvojave mes pjesëmarrësve, duke promovuar rëndësinë e mbështetjes reciproke, shëndetit emocional dhe fuqizimit personal pas përballjes me sëmundjen.
Përmes kësaj nisme, IPKO synon të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm shëndetësor dhe të rikujtojë se mbështetja e komunitetit luan një rol të rëndësishëm në procesin e rikuperimit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së të mbijetuarve nga kanceri.

IPKO fton të gjithë të mbijetuarit nga kanceri, familjarët e tyre dhe qytetarët e interesuar të bëhen pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen më 5, 6 dhe 7 Qershor në Ring Mall Ferizaj dhe të përfitojnë nga këshillat profesionale, informacionet dhe përvojat frymëzuese që do të ndahen gjatë këtyre tri ditëve.
Rreth IPKO
IPKO është kompani lidere në sektorin e telekomunikimit në Kosovë, e njohur për inovacionin, cilësinë e shërbimeve dhe zgjidhjet e avancuara digjitale, me një angazhim të vazhdueshëm për zhvillim të qëndrueshëm dhe mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në mirëqenien, edukimin, shëndetin dhe fuqizimin e komunitetit.

































