LAJMI I FUNDIT:

Bujar Osmani nesër për vizitë zyrtare në Bullgari

Bujar Osmani nesër për vizitë zyrtare në Bullgari

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani më 9 tetor 2020 do të qëndrojë në vizitë pune në Republikën e Bullgarisë dhe do të realizojë takim me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë Bojko Borisov dhe Zëvendës Kryeministren e Republikës së Bullgarisë për Reformë në Drejtësi dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Ekaterina Zakharieva.

Kjo është vizita e parë bilaterale e Ministrit Osmani dhe është në frymën e miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe intensifikimit të dialogut politik. Në takim do të shqyrtohen mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e infrastrukturës, shëndetësisë, mbrojtjes, turizmit, arsimit, kulturës, si dhe të gjitha fushave tjera në të cilat arrihet një bashkëpunim i suksesshëm në përputhje me përpjekjet për zbatimin e Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit.


Ministri Osmani me Kryeministrin Borissov dhe me Ministren e Punëve të Jashtme Zakharieva do të shkëmbejnë mendime mbi progresin e rajonit në procesin e integrimit evropian, si dhe aktivitetet e ardhshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përparimin e procesit të reformave dhe mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare, si dhe fillimin zyrtar të negociatave të anëtarësimit me BE-në deri në fund të vitit, gjatë Presidencës Gjermane me Këshillin e Bashkimit Evropian.

Si bashkëkryesues të Procesit të Berlinit, Ministri Osmani me homologen e tij, Ministren Zaharieva, do të shqyrtojnë angazhimet aktuale dhe të ardhshme në pritje të takimeve dhe të Samitit të Procesit të Berlinit që do të mbahet më 10 nëntor në Sofje./Telegrafi/