Kombëtarja e Brazilit ka mbyllur me fitore fazën përgatitore për Kupën e Botës 2026, duke triumfuar 2:1 ndaj Egjiptit në një ndeshje miqësore të zhvilluar në Cleveland.

"Seleçao" e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e shtatë. Bruno Guimaraes përfitoi nga një gabim i mbrojtjes egjiptiane dhe me një goditje të saktë nga distanca realizoi për 1:0.


Megjithatë, avantazhi i brazilianëve nuk zgjati shumë. Vetëm katër minuta më vonë, Mostafa Ziko barazoi shifrat në 1:1, pasi përfitoi nga një gabim i rëndë i Marquinhos, i cili e ktheu topin gabimisht drejt zonës së tij.

- YouTube www.youtube.com

Golin e fitores për Brazilin e realizoi talenti Endrick në minutën e 52-të. Sulmuesi i ri, i aktivizuar në fillim të pjesës së dytë, shfrytëzoi një asistim të bukur të Raphinhas për të vulosur rezultatin përfundimtar 2:1.

Me këtë sukses, Brazili e mbyll fazën përgatitore me tri fitore radhazi, pasi më parë kishte mposhtur Kroacinë (3:1) dhe Panamanë (6:2), duke hyrë me vetëbesim të lartë në Kupën e Botës, ku synon rikthimin te trofeu pas 24 vitesh.

Brazilianët do ta nisin aventurën në Botëror me përballjen ndaj Marokut, e cila zhvillohet të shtunën, më 13 qershor, në New York. Në anën tjetër, Egjipti do ta luajë ndeshjen e parë në turne më 15 qershor, kur do të përballet me Belgjikën në Seattle. /Telegrafi/

telegrafi sport app