LAJMI I FUNDIT:

BQE studion ndryshime të blerjes së titujve të borxhit

BQE studion ndryshime të blerjes së titujve të borxhit

Banka Qendrore Europiane (BQE), po konsideron ndryshimin e sasisë së titujve të borxhit që blen nën programin e printimit të parave, thotë anëtari i bordit Ilmars Rimsevics, duke shtuar se një vendim mund të merret në dhjetor.

Presidenti i Bankës, Mario Draghi tha gjatë takimit të kësaj jave se anëtarët e bordit do të studiojnë opsionet e politikave për të siguruar që blerjet të vazhdojnë pa probleme, por i la investitorët konfuz mbi këto opsione.


“Ka tre elementë, çelësi i kapitalit (që është kapitali i BQE që vjen nga bankat kombëtare), sasia e blerjes së letrave me vlerë dhe elementi i tretë lidhet me reduktimin e normës së interesit për depozitat. Pra të gjitha këto opsione po konsiderohen”, tha Rimsevics.

BQE po blen 80 miliardë euro në obligacione çdo muaj, në përpjekje për të nxitur rritjen ekonomike dhe inflacionin. Banka blen kryesisht borxh qeveritar dhe këto blerje supozohet të pasqyrojnë sasinë e kapitalit që çdo vend paguan drejt Bankës, gjë që quhet çelësi i kapitalit.

Megjithatë, institucioni me seli në Frankfurt, e ka të ndaluar për të blerë obligacione që kanë një normë kthimi më pak se norma e interesit për depozitat, që qëndron aktualisht në -0.4%.

Këto limite të vetë-caktuara, kanë shtuar rreziqet se BQE mund të mbetet pa tituj borxhi që të blejë, veçanërisht po e zgjati programin përtej afatit që është Marsi i 2017-ës. /Telegrafi/