LAJMI I FUNDIT:

Biznesmeni shqiptar Patrik Berisha kandidon për këshilltar në Kuvendin e qytetit të Lucernit

Biznesmeni shqiptar Patrik Berisha kandidon për këshilltar në Kuvendin e qytetit të Lucernit

Më 28 mars në qytetin e Lucernit mbahen zgjedhjet për Kuvendin e qytetit. Shqiptari i lindur në Zvicër, Patrik Berisha do të garojë për herë të parë në këtë nivel dhe do të përfaqësojë Partinë Demokristiane.

Ai tregon se çfarë e preokupon atë, cilat janë shqetësimet e tij si politikan i ri dhe si mendon të ndikojë në politikëbërjen e qytetit ku jeton.


“Jam i lindur dhe i rritur në Lucern, Zvicër. Punoj si ndërmarrës i pavarur, konferencier TEDx, investitor dhe partner në firma e projekte të ndryshme. Para ligjit jam ende beqar, por këtë vit do të martohem me të fejuarën time të tashme të mrekullueshme. Politika më ka interesuar që nga rinia e hershme. Gjetja e zgjidhjeve dhe perceptimi zviceran për demokracinë janë fascinuese për mua dhe unike në botë. Prej disa vitesh kam filluar që gjithnjë më shumë të angazhohem dhe të interesohem në nivelin lokal. Unë jetoj në Lucern dhe jam në mënyrë të drejtpërdrejt i prekur nga ajo që vendoset këtu. Më tutje, politika e ndikon përditshmërinë tonë dhe lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë”, thotë ai në intervistë për Albinfo.

Berisha shton se viteve të fundit familjet në Lucern janë lënë në harresë.

“CVP përfaqëson vlerat me të cilat unë identifikohem në mënyrë të drejtpërdrejtë. Vlerat si familja, vetëpërgjegjësia dhe liria. Para së gjithash familjet në Lucern viteve të fundit sikur janë lënë në harresë. Prandaj unë dua të angazhohem, veç tjerash, edhe në këtë pikë. Pastaj CVP qëndron pikërisht në qendër dhe është një ndërtuese urash në mes të fronteve aktualisht të ngurtësuara në mes të socialdemokratëve dhe të djathtëve. Ka nevojë për konsensus dhe për zgjidhje. Aty dua të angazhohem unë. Po, këto janë zgjedhjet e para në të cilat po garoj. Por për mua është e qartë se unë po hy në garë për të fituar”, tregon Berisha.

Ai thotë shqiptarët jo gjithmonë janë trajtuar në mënyrë të barabartë.

“Ne, shqiptarët, ashtu sikur dhe ‘Secondot’ tjerë, e dimë se përkundër punës sonë të zellshme, të rëndë dhe të ndershme, jo gjithmonë jemi trajtuar në mënyrë të barabartë. Ne na është dashur të pranonim secilën punë që na është ofruar. Prindërve tanë u është dashur shpeshherë të merrnin vendime të rënda. Kjo na ka shtyrë ne që ne të punojmë edhe më shumë me veten. Ne tani ndodhemi në një pikë ku nuk detyrohemi të fshihemi. Atë që e bëjmë ne, e bëjmë me një vendosmëri të qindpërqindtë dhe kjo na ka bërë më të mirë. Aq të mirë sa që e kemi merituar respektin e zviceranëve autoktonë. Si në sport ashtu edhe në karrierë, ne kemi ngritur karriera dhe ofrojmë për çdo ditë kontributin tonë për mirëqenien dhe suksesin e Zvicrës sonë. E gjithë ajo që ne na është dashur kurdoherë, ka qenë një shans i drejtë në frymën e lirisë, barazisë dhe dinjitetit, me të cilin ne kemi lindur. Për këtë shans të drejtë, unë do të angazhohem gjithmonë. Ne nuk duam më shumë pasi që pjesën tjetër e realizojmë me zellin dhe ambicien tonë. Pra duam një shans të ndershëm”, thotë ai.

Në fund, ai tregon se puna në legjislativ do të jetë prioritet për të.

“Puna në legjislativ është aktualisht për mua prioriteti i vetëm. Aty unë mund të shërbej si ndërtues urash në mes të fronteve të ngurtësuara, disa nga të cilat prezantojnë zgjidhje për problemet që i kanë krijuar vetë”, tregon ai. /Albinfo/Telegrafi/