LAJMI I FUNDIT:

Bitnikët, hipikët, Neeli Cherkovski dhe Fadil Bajraj: Çfarëdo e keqe që na godet, vjen nga ajo çfarë bëjmë

Bitnikët, hipikët, Neeli Cherkovski dhe Fadil Bajraj: Çfarëdo e keqe që na godet, vjen nga ajo çfarë bëjmë
Neeli Cherkovski

(Për antologjinë e poezisë së Neeli Cherkovskit, Poeti nuk është prift, të përgatitur dhe përkthyer nga Fadil Bajraj)

Jam ashtu siç jam, sepse askush nuk mundet me më bind që të jem ndryshe. Këto janë vargjet që mund t’i hasni nëse vizitoni ueb-faqen e Neeli Cherkovskit. Dhe, këto fjalë, në një mënyrë zbërthejnë botën e Fëmijëve të Uitmanit [Walt Whitman] – të bitnikëve, të brezit që çmonte rebelizmin dhe mosbindjen.


Cherkovski lindi në vitin 1945. Është kroniku më i mirë i asaj që njihet si Brezi Bit, por mund të cilësohet edhe si një nga bitnikët e fundit. U rrit në epokën e bum-gjeneratës, të mirëqenies së madhe të shoqërisë amerikane. Por, u ndikua nga poetët që dalin në pah në fëmijërinë e tij të hershme – në fund të viteve ‘40 dhe në fillim të viteve ‘50 të shekullit të kaluar – si Allen Ginsberg, Jack Kerouac, John Clellon Holmes dhe Lawrence Ferlinghetti që kishin përbuzje për shoqërinë amerikane të pas-Luftës së Dytë Botërore, sidomos për kulturën e konsumit. Duhet cekur se nga Lufta e Dytë Botërore, Amerika nuk del vetëm si superfuqi ushtarake, por edhe ekonomike. Me gjashtë për qind të popullatës në botë, ajo krijonte gjysmën e të mirave materiale të botës. Por, jeta e pasluftës dominohej nga gjeneratat e vjetra të klasës së mesme dhe nga gjeneralët me shumë yje që impononin konformizëm dhe bindje përmes frikës për holokaustin bërthamor apo të rrezikut ndaj komunizmit. Dhe, kjo frikë përforcohej edhe nga literatura e nga kinematografia. Ndonëse për nga mosha bitnikët i takonin Gjeneratës së Heshtur që kënaqej me bollëkun e pasluftës dhe me sistemin që këtë e mundësonte, heshtja ishte armiku i bitnikëve, duke përfaqësuar kështu – siç duhet – vlerat e kombit amerikan që lindi nga revolucioni dhe nga mosbindja. Ndërkaq, Ferlinghetti – kapiten gjatë invadimit në Normandi – ishte shembulli më i mirë i ndryshimit, sipas kohës, që bën me dije se brezi i ri i lirisë nuk duhet të rritet me vlerat që lufta i imponon, por që të kërkojë përvoja tjera reale – përtej shablloneve të shoqërisë që t’i ofron të mirat materiale, por jo edhe prehjen shpirtërore.

Herb Caen për këta autorë dhe mendimet që përçonin shpiku termin bitnik, duke e modifikuar fjalën e satelit rus Sputnik. Derisa sistemi – që këta e sfidonin – i identifikonte në fillim si amoralë apo si pro-rusë, e vërteta është se emërtimi ndërlidhej më shumë me të qenit jashtë rrjedhave standarde të shoqërisë. Sidoqoftë, shprehjet bit dhe bitnik tërhoqën ndjekës mes rinjve të pakënaqur. Biti shpejt u bë formë jetese, fenomen kulturor, jo vetëm në aspektin shkrimit. E, ndonëse në analiza thuhet se Lëvizja Bit ishte jetëshkurtër, ndikimet e saj jehojnë edhe sot – sidomos përmes kulturës së rokënrolit apo veprës së Cherkovskit.

Cherkovski, për nga mosha, më shumë mund të identifikohet me gjeneratën e rokut. Është pjesë e kundërkulturës së viteve 1960. Është poet që ka deklamuar në Woodstock. Në fakt, mund të thuhet se është ndërlidhje mes Fëmijëve të Uitmanit (bitnikëve) dhe Fëmijëve të Luleve (hipikëve). Derisa Whitmani – babai i vargut të lirë – me jetën prej rebeli frymëzonte bitnikët, këta të fundit, sidomos Ginsbergu, frymëzuan brezin e ri me sloganin Fuqia e luleve, duke e krijuar rezistencën paqësore kundër Luftës në Vietnam apo kudo tjetër. Por, bitnikët frymëzuan edhe jipikët më radikalë, si Abbie Hoffman, për të cilët ideologjia, çfarëdo qoftë ajo, është sëmundje mendore.

Duke pasur parasysh këto, nuk është për t’u habitur se Neeli ka zgjedhur të jetojë në San Francisko, në qytetin ku gjenin vend radikalët, të braktisurit, artistët, mistikët, rebelët … e ku u realizua kundërkultura apo një nga eksperimentet më të mëdha politike, shoqërore dhe kulturore të shekullit XX. Gjenerata e Neelit ishte opozitë e definicionit të vlerave të klasës së heshtur të mesme amerikane; i sfidonte institucionet, korrupsionin, autoritetin e pushtetit politik dhe ekonomik të Vëllait të Madh, me synimin që konformizmi t’ia linte vendin kreativetit, represioni lirisë emocionale dhe seksuale, ndërsa lufta dashurisë dhe paqes. Siç ka thënë antropologia sociale Jentri Anders, pjesëtarët e kundërkulturës (pjesë e së cilës ishin edhe anëtarët e Brezit Bit) ishin më të aftë për të hulumtuar potencialet njerëzore, veten dhe lirinë individuale. Të gjashtëdhjetat na treguan mundësitë dhe përgjegjësitë që kemi. Jo përgjigjet. Ato na drejtuan shikimin drejtë së mundshmes, ka thënë John Lennon. Kjo vlen edhe për jetën e Cherkovskit dhe poezinë e tij si pasqyrë e jetës: si çdo vepër arti shtron pyetje, nuk jep përgjigje. Por, poezia e tij mund të kuptohet në aspektin që u trajtua deri tash – kohën kur ai nisi ta hulumtojë botën që e rrethon.

Poeti nuk është prift, vepra e parë e Cherkovskit e përkthyer në gjuhën shqipe – nga bitniku dhe hipiku i parë dhe i fundit shqiptar, Fadil Bajraj – është shumë e veçantë. Sepse, përkthyesi – si një nga njohësit më të mirë shqiptarë të poezisë, që na ka njoftuar me emrat e vlefshëm që nuk gjenin vend në shumë media apo në sistemin arsimor – ka krijuar një antologji unike të poezisë së tij, që e zbërthen autorin jo vetëm si krijues, por edhe si kronikun më të mirë të Brezit Bit. Çdo poezi është pasqyrim i përvojës sonë të përbashkët, ndërsa udhëtojmë nëpër ditët tona. Kështu e përshkruan Cherkovski bashkëpunimin me Bajrajn për këtë përmbledhje dhe, kjo thënie, duke e njohur ne mirë Bajrajn, të shtyn të mendosh sërish për rolin e vërtetë të intelektualit: a duhet të ketë mendësi bitniku, apo konformisti? Sepse, siç thotë Cherkovski në një poezi të kësaj vepre: Çfarëdo e keqe që na godet, vjen nga ajo çfarë bëjmë.

Libri ka 61 poezi dhe një letër e Charles Bukowskit për Neeli Cherry – siç ka qenë mbiemri me të cilin ka lindur Cherkovski. Poezitë kanë të bëjnë me përvojën e autorit. Është thirrje për paqen, për dashurinë, për dëlirësinë; është kritikë për shoqërinë e konsumit në – siç thotë ai – qytetet e hajdutëve dhe të hajvanëve; i kritikon kuazi-poetët që nuk kuptojnë se poeti është si shkëmb e poezia si pikturë dhe se fjala duhet të ketë unazë. E ballafaqon imagjinatën me të vërtetën tokësore që nuk është e bukur; kakofoninë shoqërore ku Ferri është Parajsë; ironizon me premtimet e rrejshme; horizontin me farë të hidhur; progresin pa vlera; famën e rrejshme. Si njeri që është rob i kujtimeve, ai i kthehet po ashtu së kaluarës, përfshirë këtu edhe rrënjëve hebraike. Askush nuk i gëzohet kthimit në shtëpi, nga një tokë pa kujtesë dhe pa këngë, shkruan ai

Cherkovski në këtë përmbledhje thotë se poezia është cicërimë e mendjes. Ginsbergu ka përdorur thënien Mendimi i parë, mendimi më i mirë, për ta përshkruar shkrimin spontan dhe pa frikë për të vërtetën që lind nga përvoja. Kjo te disa mund të krijojë perceptime të gabuara, se poezia e Cherkovskit dhe e bitnikëve tjerë është mllef çasti. Por, kur e lexon këtë libër, e kupton se bitniku është përherë kërkues për të bukurën; se sa shumë e njeh poezinë dhe poetët (klasikët amerikanë, francezë, anglezë, gjermanë apo rusë), pikturën dhe piktorët, muzikën dhe kompozitorët, filozofinë perëndimore apo lindore, politikën, psikologjinë, religjionin, mistikën … Cherkovski në çdo varg të tij na bën me dije se e ka jetuar momentin dhe se atë e pasqyron në poezi. Prandaj, kjo përmbledhje është po ashtu edhe homazh për shumë artistë, të gjallë e të vdekur; për aktivistët e lëvizjeve shoqërore; për rokerët si Joan Baez, Bob Dylan, Leonard Cohen; bitnikët Jack Kerouac, Jack Micheline, Philip Lamantia, Harold Norse, Gary Snyder, Diane di Prima, Joanne Kyger, Gregory Corso si bohem i fundit, Bob Kaufman si rebeli i fundit … e mbi të gjitha bashkëpunëtori i tij Bukowski (që e ka epitetin e bitnikut të nderit, ndonëse nuk i takonte direkt kësaj lëvizjeje letrare), pastaj Ginsbergu mbi kokën e të cilit – sipas Cherkovskit – rrinte hëna më e madhe në botë, si dhe Ferlinheti. Përmes kësaj vepre mësojmë për idealin e një gjenerate që nuk donte të ketë diskrepancë mes individit dhe institucionit; për një librari (City Lights Bookstore) dhe një shtëpi botuese (City Lights Pocket Poets Series) që krijoi historinë; mësojmë se si nisi “ulërima” apo “rënkimi” i pandalshëm i bitnikëve – që nga poema Ulërimë për Karl Solomonin [Howl for Carl Solomon], që sot vlerësohet si një nga veprat më të mëdha të letërsisë amerikane, por që dikur u cilësua si e turpshme për çfarë Ferlinghetti arrestohet. Pra, po e përsëris se është antologji e veçantë sepse njihemi me një poet për të cilin kritiku i poezisë Gerald Nicosia ka thënë:… në fund të fundit, ajo që e vulos poezinë e Cherkovskit si unike është lirika e tij e pakufishme; dhurata lirike që padyshim është më e madhe se e çdo poeti tjetër të brezit të tij; mësojmë për biografinë e tij; për artistët që meritojnë respekt; për idealin dhe për zhgënjimin; për të vërtetën dhe gënjeshtrën; për të bukurën dhe guximin për ta ballafaquar të shëmtuarën, si dhe për historinë e bitnikëve dhe të hipikëve që nuk kishin frikë ta thonë të vërtetën ashtu siç ajo ishte. Dhe, këtë përmbledhje askush nuk mund ta bëjë më mirë sesa Fadil Bajraj – apo Fëmija shqiptar i Uitmanit – që nuk është konformist e që jeton po sipas parimit të Cherkovskit: Jam ashtu siç jam, sepse askush nuk mundet me më bind që të jem ndryshe. /Telegrafi/