LAJMI I FUNDIT:

Bisedimet 20 orëshe në Bruksel, Kosova ende pa kod telefonik

Bisedimet 20 orëshe në Bruksel, Kosova ende pa kod telefonik

Nën kryesimin e ministres për Dialogun të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, dhe njëherit kryenegociatore, delegacioni i Kosovës në përbërjen e të cilit ishin edhe përfaqësuesit e ARKEP-it dhe operatorëve të telefonisë në Kosovë, kanë marrë pjesë në takimin e radhës të mbajtur në Bruksel për çështjet e kodit telefonik, i cili ka zgjatur rreth 20 orë.

Temë kryesore ishte përfundimi i hapave drejt marrjes së kodit telefonik shtetëror për Kosovën, 383 nga ana e ITU-së. Edhe përkundër angazhimeve të delegacionit të Qeverisë së Kosovës dhe të BE-së që kjo çështje të përmbyllet përfundimisht në këtë takim dhe edhe përkundër përparimeve të mëdha të arritur në dy takimet e fundit për këtë çështje, pala serbe nuk pati gatishmëri për të rrumbullakuar këtë proces.


Në këtë takim ka pasur përparime për mbylljen e çështjeve të hapura të karakterit teknik, mirëpo pala serbe kishte tendenca të rihapjes së marrëveshjes për telekomin, të cilën delegacioni i Kosovës e kundërshtoi kategorikisht.

Delegacioni i Kosovës mbrojti qëndrimin që marrëveshja për telekomin bazohet në ligjet dhe kornizën rregullatore të telekomunikacionit të Kosovës, prandaj edhe zgjidhjet teknike zbatuese duhet të jenë plotësisht me ligjet e Republikës së Kosovës. Delegacioni i Serbisë edhe pse është nënshkrues i marrëveshjes për telekomin, u mundua që në disa çështje procesi i zbatimi të dalë jashtë ligjeve të Kosovës.

Në përpjekje për të përmbyllur hapat zbatuese për kodin, në orët e mbrëmjes në procesin e ndërmjetësimit është inkuadruar edhe drejtoresha për Evropën Perëndimore dhe Ballkanin Perëndimor në Shërbimin për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Mogherinit, Angelina Eichhorst, megjithatë takimi në orët e mëngjesit përfundoi pa i përmbyllur disa nga çështjet.

Po ashtu njoftojmë opinionin se ky takim ka qenë vetëm për çështjet e kodit telefonik. /Telegrafi/