Presidenti amerikan, Joe Biden nënshkroi zyrtarisht të martën dokumentet për pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Biden, në dhomën lindore të Shtëpisë së Bardhë, nënshkroi protokollet e pranimit për dy vendet evropiane, një veprim i nxitur nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.

“Ishte dhe është një moment vendimtar, besoj, në aleancë. Dhe për një stabilitet më të madh të sigurisë jo vetëm të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, por të botës”, tha Biden në një ngjarje ku morën pjesë ambasadorët e Finlandës dhe Suedisë.

“Në një moment kur Rusia e Putinit ka shkatërruar paqen dhe sigurinë në Evropë, kur autokratët po sfidojnë vetë themelet e një rendi të bazuar në rregulla, forca e një aleance transatlantike dhe angazhimi i Amerikës ndaj NATO-s është më i rëndësishëm se sa ka qenë ndonjëherë”.

Reklama
Reklama

Me nënshkrimin e Biden, Shtetet e Bashkuara u bënë aleati i 23-të i NATO-s nga 30 anëtarë që miratoi pranimin e Finlandës dhe Suedisë në grup.

Anëtarësimi në NATO shihet si një pengesë kundër agresionit të mundshëm rus ndaj Finlandës dhe Suedisë në mes të pushtimit të Ukrainës nga Moska.

Finlanda ndan një kufi prej rreth 1300 kilometrash me Rusinë ndërsa Suedia ndan një interes strategjik me Rusinë në Detin Baltik, i cili i jep flotës detare të Rusisë qasje në Atlantik.

Senati javën e kaluar votoi 95 kundër 1 për të miratuar rezolutën, me çdo anëtar të grupit demokratik dhe shumicën e republikanëve që votuan në mbështetje. /Telegrafi/

Reklama