Këtë periudhë vitin e kaluar, Gary Neville argumentonte se arritja më e madhe e Mikel Artetës te Arsenali nuk ishte fitorja e FA Cup në vitin 2020, por fakti që ende vazhdonte të ishte trajner, pavarësisht se për pesë sezone radhazi nuk kishte fituar një trofe të madh.

“Menduam se kishin mbaruar kohët kur mund të kishim këtë lloj durimi ndaj një trajneri”, kishte thënë ish-mbrojtësi i Manchester United në Sky Sports.


Në këtë kuptim, një pjesë e madhe e meritës për suksesin e Arsenalit në Ligën Premier i takon vetë klubit. Edhe pse skuadra e Artetës shpesh dështonte në momentet vendimtare, drejtuesit vazhduan ta mbështesnin trajnerin – sidomos në afatet kalimtare.

Koha dhe paratë e investuara te Arteta më në fund dhanë rezultat, gjë që u konfirmua pas humbjes së Manchester Cityt ndaj Bournemouthit të martën.

Siç doli, ata patën të drejtë të “besonin te procesi”. Arteta kishte thënë se “do ta bëjë siç duhet” dhe se i duhej vetëm “pak kohë”. Natyrisht, gjithçka zgjati më shumë se sa e mendonte vetë spanjolli, por ai e vërtetoi fjalën e tij: ndërprerja e pritjes 22-vjeçare për titullin nuk është vetëm fitore e durimit të klubit, por edhe e këmbënguljes dhe pragmatizmit të tij.

“Rindërto gjithçka”

Siç e ka theksuar shpesh Arteta, Arsenali ishte në një gjendje të keqe para se ai ta merrte drejtimin. Frustrimi që ishte grumbulluar në dekadën e dytë të 22 viteve të Arsène Wengerit, ishte kthyer në apati në fund të periudhës së dështuar të Unai Emeryt.

Natyrisht, mund të argumentohet se po t’i jepej Emeryt i njëjti nivel mbështetjeje si Artetës, ka shumë gjasa që ai do të kishte arritur sukses të ngjashëm. Siç e ka dëshmuar më pas te Villarreal dhe Aston Villa, Emery është një nga trajnerët elitarë të futbollit modern.

Megjithatë, ai i humbi tifozët shumë përpara se të shkarkohej më 29 nëntor 2019 dhe as emërimi i të preferuarit Freddie Ljungberg si trajner i përkohshëm nuk e ndryshoi atmosferën e zymtë në klub – një atmosferë që Arteta e mban mend qartë nga vizita e tij e fundit në “Emirates” si pjesë e stafit të Manchester Cityt, vetëm pesë ditë para se të emërohej trajner i Arsenalit.

“Ajo pamje, ajo ndjenjë e stadiumit, turma… me 50% të stadiumit bosh, më hyri në shpirt”, kujtonte ai. “Thashë: ‘Me këtë, nuk ka projekt. Kjo nuk do të funksionojë’”.

“Fatkeqësisht u bë edhe më keq shumë shpejt, sepse pastaj erdhi Covid-i dhe në vend të 50% kishim zero. Kështu e bën punën edhe më të vështirë. Pas kësaj, na u desh të rindërtonim gjithçka”.

“E bukur për t’u parë”

Askush nuk mund t’ia mohojë Artetës se bëri punë të mirë duke hedhur themelet e një skuadre që mund të fitonte titullin. Por gjithmonë ekzistonte ai dyshim: a ishte vërtet ai njeriu i duhur për ta kthyer Arsenalin nga pretendues në kampion?

Siç pranoi së fundmi Thierry Henry në Sky: “Do të jem i sinqertë, në një moment edhe unë e vija në dyshim gjithë këtë ‘Trust the process’. Doja të dija: ‘Ku po shkojmë?’”.

Edhe këtë sezon, kishte frikë se Arsenali do të përfundonte i dyti për herë të katërt radhazi – sidomos pas humbjes në shtëpi ndaj Bournemouthit më 11 prill, kur lojtarët dukeshin të ndikuar nga nervozizmi i tifozëve.

Por tifozët u rreshtuan pas Artetës dhe ekipit kur u duhej më së shumti. Atmosfera në “Emirates” në ndeshjen e ligës ndaj Fulhamit dhe më pas në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Atletico Madridit, u kthye në një demonstrim sa shumë kishte ndryshuar klima rreth klubit që nga humbja 3-0 në shtëpi ndaj Cityt në dhjetor 2019.

“Kur është më e vështirë në fillim,” kishte thënë Arteta para ndeshjes me Burnleyt, “atëherë e bën edhe më të bukur ta shohësh atë transformim dhe atë gëzim te njerëzit. Është diçka që është e bukur për t’u parë”.

Më shumë Mourinho sesa Pep

Sigurisht, fakti që Arsenali nuk ka qenë gjithmonë “i bukur për t’u parë” në aspektin e lojës këtë sezon, ka nxitur debat të madh.

Si “nxënës” i Guardiolës, Arteta pritej të aplikonte një stil të ngjashëm me katalanasin – dhe në fillim Arsenali dukej si “Manchester City i lehtësuar”, siç e quajti Jamie Carragher, sidomos pas afrimeve të ish-lojtarëve të Cityt si Gabriel Jesus dhe Oleksandr Zinchenko në verën e 2022.

Por gjatë tre sezoneve të fundit ka pasur një ndryshim të dukshëm strategjie, edhe më i theksuar këtë edicion: Arteta ka përqafuar një mentalitet “fitore me çdo kusht”, që ka sjellë krahasime më shumë me Jose Mourinhon sesa me Guardiolën.

Arsenali është bërë po aq efektiv në “vrasjen e kohës” nga goditjet standarde sa edhe në shënimin prej tyre; David Raya shpesh qëndron në tokë për t’i dhënë Artetës mundësi për udhëzime në vijën anësore; ndërsa këtë sezon u krijua edhe përshtypja se skuadra shfrytëzoi protokollin e tronditjeve për të bërë një zëvendësim mbrojtës në një ndeshje ndaj Wolves në janar – një përmbledhje e qartë e cinizmit të ri të trajnerit. /Telegrafi/

telegrafi sport app