Arsenali e ka kthyer titullin e Ligës Premier në “Emirates” pas 22 vitesh pritje, duke e mbyllur garën një javë para fundit.

Sezoni kampion nuk u fitua me një ndeshje të vetme, por me një sërë momentesh vendimtare – gola në minutat e fundit, fitore “të shëmtuara”, pritje shpëtuese dhe vendime që ndryshuan rrjedhën e kampionatit.


Sky Sports ka përzgjedhur 10 momentet që, sipas tyre, e ndërtuan hap pas hapi rrugën e “Topçinjve” drejt kurorës.

10/ Goditja e afatit kalimtar: “Rrëmbimi” i Eberechi Eze

Arsenali ia “rrëmbeu” Tottenhamit transferimin e Eze nga Crystal Palace për 67.5 milionë funte. Ai u kthye menjëherë në lojtar kyç, duke shënuar fitore vendimtare ndaj Palace dhe Newcastle – gola që, sipas Sky, i sollën Arsenalit 4 pikë vetëm nga ato dy ndeshje.

9/ Barazimi i artë ndaj Man Cityt (1-1), me gol në shtesë

Në shtator 2025, Arsenali mori një pikë jetike kundër Man Cityt falë një aksioni ku Eze e gjeti Martinellin, i cili shënoi në kohën shtesë dhe ia mohoi rivalit dy pikë të arta.


8/ Fitorja-deklaratë në “St James’ Park”: Gabriel i jep fund tersit ndaj Newcastle

Në tetor 2025, pas një ndeshjeje të fortë ku Arsenali u vu në vështirësi, Merino barazoi dhe Gabriel shënoi me kokë nga një harkim nga këndi i Odegaard, duke e kthyer fitoren në një mesazh të qartë për garën e titullit.

- YouTube www.youtube.com

7/ Eze dominon dy derbit e Londrës së Veriut: Dy herë 4-1 ndaj Tottenham

Në nëntor 2025 dhe shkurt 2026, Arsenali e poshtëroi Tottenhamin me dy fitore 4-1. Sky veçon faktin se Eze shënoi het-trik në derbi – i pari i Arsenalit që nga 1978 – dhe e mbylli sezonin me pesë gola kundër Spurs.

6/ Fitorja “e shëmtuar” ndaj Brighton (1-0) që ndryshoi ritmin e garës

Në mars 2026, Arsenali fitoi 1-0 në “Amex” në një ndeshje jo spektakolare, por tipike “kampioni”. Në të njëjtën periudhë, Man City la pikë ndaj Nottingham Forest dhe Arsenali u shkëput 7 pikë në krye.

5/ Max Dowman (16) shkruan histori ndaj Evertonit (2-0)

16-vjeçari hyri nga stoli, asistoi për Viktor Gyökeres dhe pastaj shënoi vetë, duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e Ligës Premier – një “shenjë” e fortë e thellësisë dhe energjisë së skuadrës.

4/ Declan Rice pas humbjes nga Man City (2-1): “Nuk ka mbaruar”

Kur Man City e ktheu momentumin në prill, Rice u pa duke u thënë shokëve “Nuk ka mbaruar ende”. Reagimi ishte i menjëhershëm: Arsenali fitoi katër ndeshje radhazi në kampionat pa pësuar gol.


3/ Pritja vendimtare e Rayas kundër West Ham

Në maj 2026, në minutën e 78-të, David Raya bëri një pritje të jashtëzakonshme ndaj Mateus Fernandes, duke e mbajtur Arsenalin “gjallë” në një nga ndeshjet më të tensionuara të sezonit.

- YouTube www.youtube.com

2/ VAR-i i jep “dritën jeshile” Arsenalit te West Ham

Pas golit të Trossard për 1-0, West Ham mendoi se barazoi në minutën e 95-të, por VAR e anuloi golin për faull ndaj Rayas. Sky e cilëson si një nga vendimet që peshojnë sa një sezon.

1/ Bournemouth e vulos titullin: Man City ndalet, Arsenali feston

Më 19 maj 2026, Arsenali fitoi 1-0 ndaj Burnleyt, ndërsa Manchester City u ndal 1-1 nga Bournemouth. Kombinimi i këtyre rezultateve e shpalli Arsenalin kampion një javë para fundit.

Pep Guardiola pas ndeshjes e uroi Mikel Artetan dhe lojtarët e Arsenalit.


Festa ka filluar në Londër, me Arsenalin që e kthen titullin pas 22 vitesh. /Telegrafi/

telegrafi sport app