Chelsea ka marrë tri pikë të rëndësishme në javën e 37-të, duke mposhtur Tottenhamin me rezultat 2-1, në një ndeshje të shoqëruar me shumë kartonë dhe ritëm të lartë, sidomos në pjesën e dytë.

“Blutë” kaluan në epërsi në minutën e 18-të me një supergol të Enzo Fernandez, i cili realizoi nga distanca me një goditje të fuqishme.


Chelsea pati edhe një rast të artë për ta dyfishuar avantazhin në minutën e 30-të, por goditja e Fernandez u ndal nga traversa.

Në pjesën e dytë, Chelsea e rriti rezultatin në 2-0 në minutën e 67-të, kur Andrey Santos u gjend përballë portierit pas një pasimi vendimtar dhe finalizoi saktë në cepin e poshtëm të portës.

Tottenham reagoi dhe e rihapi ndeshjen në minutën e 74-të, me Richarlisonin që shfrytëzoi një asistim nga Pape Matar Sarr dhe e dërgoi topin në rrjetë për 2-1.

Megjithatë, Blutë e menaxhuan mirë fundin e takimit, pavarësisht ndërhyrjeve të ashpra dhe kartonëve të shumtë, për ta ruajtur fitoren deri në fishkëllimën e fundit.

Me këtë triumf, Chelsea ngjitet në vendin e tetë me 52 pikë, ndërsa Tottenham mbetet në një situatë shumë të vështirë: me 38 pikë ndodhet në vendin e 17-të, vetëm një hap mbi zonën e rënies.

Në xhiron e fundit, Spurs do ta vazhdojnë luftën për mbijetesë në shtëpi, ku do ta presin Evertonin, në një ndeshje që pritet të jetë vendimtare për fatin e tyre në Ligën Premier. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app