Besiktasi me reagim të ashpër pas humbjes ndaj Alanyasporit, lojtari i Kosovës në qendër të polemikave

Besiktasi ka reaguar ashpër pas humbjes 1:0 ndaj Alanyasporit, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të Superligës së Turqisë.
Gjiganti nga Stambolli e ka përjetuar rëndë disfatën në udhëtim, duke shprehur pakënaqësi të madhe me vendimet e gjyqtarëve. Në veçanti, Besiktasi ka vënë në shënjestër gjyqtarin Adnan Deniz Kayatepe dhe disa prej vendimeve të tij gjatë takimit.
Në qendër të polemikave ishte edhe kapiteni i Alanyasporit, Fidan Aliti. Mbrojtësi i Kosovës u përfshi në disa situata të diskutueshme, të cilat Beshiktashi i publikoi përmes një videoje në rrjetet sociale.
Një prej rasteve më të diskutuara ishte përplasja mes Alitit dhe Leandro Trossardit në zonën e rreptësisë. Beshiktashi pretendon se ndaj sulmuesit belg është përdorur forcë e palejueshme dhe se Aliti duhej të ndëshkohej me karton të kuq.
Në pamjet e publikuara nga klubi shihet një kontakt mes dy futbollistëve, ndërsa Trossard pretendoi pas ndeshjes se ishte goditur me shuplakë.
“VAR-i ishte aty dhe, nëse do të ishte përdorur siç duhet, vendimi duhej të ndryshonte qartë. Mendoj se kundërshtari më goditi me shuplakë. Ishte karton i kuq i pastër. Vendimi duhej të ndryshohej”, deklaroi Trossard.
Gjyqtari Kayatepe e ndërpreu lojën pas incidentit, por nga VAR-i nuk pati ndërhyrje për ta ndryshuar vendimin.
Besiktasi gjithashtu kontestoi anulimin e një goli të tij, duke pretenduar se nuk kishte faull ndaj Alitit në zonë. Klubi nga Stambolli publikoi edhe një tjetër moment ku mbrojtësi kosovar shihet duke e mbajtur për fanelle Dusan Vlahovic teksa sulmuesi po përpiqej të futej në zonën e rreptësisë.
Përmes një komunikate zyrtare, Besiktasi e kritikoi në mënyrë të ashpër ekipin e gjyqtarit dhe kërkoi që Kayatepe dhe gjyqtarët e tjerë të përfshirë të mos gjykojnë më ndeshjet e klubit.
“Adnan Deniz Kayatepe, vendimet skandaloze të të cilit nga gjysmëfinalja e kaluar e Kupës janë ende të freskëta në kujtesën tonë, ka shtuar edhe një tjetër turp në bilancin e tij. Lojtari kundërshtar e goditi Trossardin me shuplakë para gjithë botës. Gjyqtari nuk e pa incidentin, ndërsa VAR-i mbeti i heshtur”, thuhet në reagimin e Beshiktashit.
Klubi turk pretendon gjithashtu se goli i tij u anulua për një faull që, sipas tij, nuk ekzistonte, ndërsa thekson se gjyqtari nuk reagoi as në rastin kur Vlahovic u ndalua nga Aliti.
Referimi në futbollin turk ka qenë prej kohësh temë e debatit të madh dhe ankesat ndaj gjyqtarëve kanë nisur që në dy xhirot e para të sezonit të ri.
Në këtë ndeshje, Florent Hadërgjonaj ishte protagonist për Alanyasporin, duke asistuar në golin e vetëm të takimit.
Në anën tjetër, Milot Rashica e ndoqi ndeshjen nga banka rezervë e Besiktasit. /Telegrafi/













































