LAJMI I FUNDIT:

Befasitë pozitive në njësinë zgjedhore numër 2 në Maqedoni

Tani po merr fund ora e trashëgimtarëve, e aventurierëve, e vjedhësve, e spekulantëve dhe e hipokritëve, e pseudogjeneralëve dhe pseudokomandantave dhe e parave me thasë, e bashkëpunëtorëve dhe puthadorëve. Po vije ora e shtresës së re.

Me padurim pritnim shpalljen e listave të partive politike shqiptare. Këtë moment besoj ta ketë pritur çdo shqiptarë në Maqedoni, po edhe gjetiu. Kësisoj në listat e partive politike shqiptare, pamë figura të ndryshme të vjetra, po kishte edhe freskime me fytyra të reja, gjë që është për tu përshëndetur. Andaj me të vërtetë filluam të ndryshojmë bindjen e akumuluar për vite me radhë se në listat për deputetë të partive politike shqiptare na shfaqen figurat Deja-vu, figura të harxhuara dhe të paafta dhe të konsumuara kombëtarisht.


Të gjithë përcollëm shpalljen e listave zgjedhore dhe kandidatëve për deputetë nga ana e partive politike shqiptare në të gjitha zonat, (po ku dhemb dhëmbi aty shkon gjuha), andaj me padurim ndoqëm edhe shpalljen e listës së kandidatëve në njësinë zgjedhore numër dy.

Lista zgjedhore numër 2 nga ana e partisë shqiptare në pushtet (BDI-së) nuk solli kurrfarë risie, përpos fytyrave të njëjta, të cilët na kanë lodhur nëpër media me paraqitjet e tyre dhe mossukseset e tyre. Kësisoj shpallja e zonjës së nderuar Ermira Mehmeti, si kandidate bartëse e njësisë zgjedhore numër 2, tregoi se kjo parti në vend që të nxjerr kandidatë që për së afërmi i dinë hallet dhe problemet e kësaj njësie zgjedhore, ajo shpall një kandidate që nuk ka lidhje dhe informata për dertet dhe hallet e banorëve të po kësaj njësie.

Ajo çka na befasoi për të mirë, ishte shpallja e emrave të kandidatëve në zonën zgjedhore numër 2, nga ana e partisë së posaformuar RDK-së. Shpallja e Selver Jasharit dhe të tjerëve që kanë një profil të ngritur shkencor dhe jo të dyshuar, si bartës liste, riktheu shpresën e këtyre banorëve se më në fund koha e njerëzve të vërtetë ka filluar të vijë, ndërsa era e ndryshimeve është ke pragu i derës, po duhet hapur derën.

Selver Jashari, njeriu që ishte drejtor i spitalit të Kumanovës, i njohur për veprimet e tija kombëtare, si ish i burgosur politik, ish ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe njeri promotorë i ndryshimeve ishte befasia e parë pozitive që iu servua njësisë zgjedhore numër 2. Ky njeri të cilin jo që e kam personalisht mik e tani duhet ta mbrojë, po me të vërtetë është njeriu meritor i cili meriton të jetë pjesë e foltores së parlamentit të Maqedonisë dhe t`i mbrojë interesat e popullatës së zonës zgjedhore numër 2, të cilët vite me radhë kanë qenë në mëshirë të fatit.

Befasia e radhës e cila kuptohet ishte më pozitivja për banorët e asaj zone zgjedhore, ishte kandidimi i Orhan Ibrahimi dhe të tjerëve. Orhan Ibrahimi kandidat ky i Partisë Demokratike Shqiptare, një njeri mjaft i guximshëm dhe patriot. Kësisoj dalja e tij dhe fitorja e tij e sigurt, na ngjalli shpresat se më në fund edhe kësaj njësie zgjedhore do t`i dalë ndokush në mbrojtje, do të kontribuojë në zbutjen e varfërisë dhe varfërive tjera që dominojnë gjetiu. Në sytë e qytetarëve shqiptarë të kësaj njësie zgjedhore, e posaçërisht në Kumanovë dhe Likovë, mundet të shihej shumë lehtë një qetësi shpirtërore dhe fizike tek njerëzit. Orhan Ibrahimi, meriton të jetë deputet i popullit nga zona zgjedhore numër 2 për këto arsye:, e para, ai vjen nga një familje me një bagazh të madh kombëtar dhe intelektual, ku familja ku bën pjesë ai është njëra prej familjeve më të shkolluara në atë zonë.

E njohur për persekutimet e vazhdueshme dhe permanente nga ana e pushtetit, përfaqësuesit e kësaj familje, të gjithë të shkolluar, në momentet më të nxehta për shqiptarët, duke filluar nga viti 1968, 1981 e gjer në kohën e luftërave çlirimtare ka dhënë kontributin e pamohueshëm për shqiptarët e asaj ane. Shkollimi i avancuar dhe të arriturat e pjesëtarëve të familjes së Orhan Ibrahimit, mundësojnë një avantazh të madh të këtij njeriu përballë cili do qoftë tjetër. Performanca e tij e shkëlqyer si njeri, intelektual, dhe si patriot i mundëson atij fitoren e pamohueshme dhe të padiskutueshme. E kaluara e tij, duke qenë njëri ndër të parët që u kyç në Lëvizjet ilegale për Kosovën, angazhimi i tij në Luftën e Kosovës, kontributi i tij në aspektin kombëtar, bagazhi i tij intelektual dhe kombëtar, njeriu që nga Maqedonia, së bashku me ca të tjerë llogaritet si ndër të parët që patë rastin të jetë në organizime të celulave me kryelegjendarin shqiptarë, heroin kombëtar Adem Jasharin, i`a mundësojnë atij që të jetë në vendin, ku do të përfaqësojë popullin në mënyrën më të devotshme.

Andaj për së pari herë në njësinë zgjedhore numër 2 dy parti politike shqiptare opozitare, PDSH dhe RDK me dy bartësit e listës për deputetë në këtë zonë, meritojnë të kenë përfaqësues dy figura të respektuara kombëtare, intelektuale dhe të panjollosura, promotorë të ndryshimeve, njerëz të paluhatshëm, stoik dhe të vendosur, burra shqiptarë dhe jo servilë e poltronë, puthadorë e bukëshkalë, po guximtarë dhe patriotë të shquar dhe të dëshmuar.