Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka shënuar një moment të rëndësishëm në karrierën e saj duke performuar për herë të parë në festivalin e njohur britanik Summertime Ball 2026.

Artistja ishte një nga emrat e përzgjedhur për të ngjitur në skenën e Wembley Stadium në Londër, ku para një publiku të madh dhuroi një performancë plot energji dhe emocion.


Bebe tërhoqi vëmendjen jo vetëm me vokalin e saj, por edhe me paraqitjen. E veshur me geta të zeza, një bluzë xhinsi dhe një xhaketë rozë, artistja shqiptare mahniti të pranishmit me stilin e saj unik dhe dukjen e kuruar deri në detaje.

Foto: Summertime Ball/Instagram

Gjatë performancës së saj, ajo interpretoi pesë këngë të njohura nga repertori i saj, duke nisur me “In The Name Of Love”, për të vazhduar me versionin dance të “Me, Myself & I”, më pas me “New Religion”, “Sad Girls” dhe duke e përmbyllur setin me superhitin “I'm Good”.

Publiku në Stadiumin "Wembley" reagoi me entuziazëm gjatë gjithë performancës, duke kënduar bashkë me artisten në shumë prej këngëve të saj.

Foto: The Sun

Një nga momentet më të veçanta të mbrëmjes ishte interpretimi për herë të parë live i këngës “Sad Girls”, bashkëpunimi i saj më i ri me producentin dhe DJ-në e njohur francez, David Guetta. Ndërkohë, performanca e hitit “New Religion” para rreth 80 mijë spektatorëve u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku i pranishëm.

Paraqitja në Summertime Ball 2026 vjen si një tjetër sukses i rëndësishëm për Bebe Rexhën, e cilanë pak ditë do të publikojë edhe albumin e saj të ri "Dirty Blonde". /Telegrafi/

Foto: Bebe Rexha/Instagram