Bebe Rexha ka dhënë një intervistë për emisionin e famshëm amerikan “Today”, ku foli për kapitullin e saj të ri muzikor, prejardhjen shqiptare, bashkëpunimet ndër vite dhe jetën e saj përtej muzikës.

Gjatë një interviste nga prapaskenat e “TODAY Show Citi Concert”, këngëtarja shqiptare foli për epokën e re të albumit të saj “Dirty Blonde”, duke treguar një anë më të guximshme, të sigurt dhe pa komplekse të vetes.


Këngëtarja shqiptare tregoi gjithashtu se si ka përfshirë trashëgiminë e saj shqiptare në muzikë, veçanërisht përmes këngës “Çike Çike”, ndërsa foli edhe për pasionin e saj për gatimin.

Megjithatë, momenti që tërhoqi veçanërisht vëmendjen në intervistë erdhi në fund, kur ajo u pyet nëse do të pranonte të dilte në takim me një mashkull i cili fillimisht paguan faturën, por më pas i kërkon asaj të rimbursojë gjysmën përmes Venmo-s, aplikacionit që përdoret gjerësisht në ShBA për transferimin dhe ndarjen e pagesave.

Bebe Rexha (Foto: TODAY)

Përgjigjja e Bebe Rexhës ishte e drejtpërdrejtë.

“Nëse një djalë del me mua në takim, paguan faturën dhe më pas më dërgon një kërkesë në Venmo për t’ia rimbursuar gjysmën e faturës, ai nuk do të më shohë kurrë më”, tha ajo.

Ajo shtoi se nuk do të pranonte as një propozim për ta ndarë faturën përgjysmë gjatë takimit.

“Ose, nëse ai më kërkon që ta ndajmë faturën përgjysmë në takimin tonë, unë do ta paguaj të gjithë faturën dhe do të largohem. Nuk kam kohë për këtë”, u shpreh këngëtarja.

Rexha më pas iu referua edhe stereotipit se gratë që presin që partneri të paguajë janë “gold diggers”, një term që përdoret për personat që hyjnë në një lidhje kryesisht për përfitime financiare.

“Sepse e dini, djemtë gjithmonë thonë: ‘Vajzat janë gold diggers’. Dhe unë gjithmonë them: ‘Çfarë ari po kërkojnë? Nuk ka asnjë ar aty për t’u gërmuar’”, deklaroi me humor Bebe Rexha.

Deklarata e saj ka tërhequr vëmendjen e fansave, duke u bërë një prej momenteve më të komentuara të intervistës së saj në “Today”, ku këngëtarja vazhdoi të promovojë epokën e saj të re muzikore dhe albumin “Dirty Blonde”. /Telegrafi/