Bashkimi Evropian po përgatitet të testojë aftësitë mbrojtjes pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, në një nismë që synon të rrisë autonominë strategjike të bllokut në fushën e sigurisë.

Sipas planit, BE-ja do të zhvillojë stërvitje të ngjashme me ato të NATO-s, ku do të simulohet një skenar në të cilin një vend anëtar kërkon ndihmë ushtarake nga partnerët e tjerë.


Qëllimi është të testohet se sa shpejt dhe sa efektivisht mund të reagojnë shtetet anëtare në rast krize, shkruan bloomberg.

Procesi i ushtrimit do të nisë në Bruksel, ku do të përfshihen ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.

Më pas, faza tjetër e stërvitjes do të vazhdojë në muajin maj, kur ministrat e mbrojtjes do të mblidhen në Qipro për diskutime dhe simulime më të avancuara.

Kjo iniciativë vjen në një periudhë kur Bashkimi Evropian po rishikon rolin e tij në fushën e mbrojtjes, mes deklaratave të presidentit amerikan, Donald Trump, i cili ka thënë se NATO është “e padobishme”, si dhe shqetësimeve për një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga angazhimet e saj në aleancë.

Këto zhvillime kanë shtyrë BE-në të mendojë më seriozisht për forcimin e kapaciteteve të veta të sigurisë dhe mbrojtjes. /Telegrafi/