LAJMI I FUNDIT:

BE dhe NATO – Transformimi i Evropës Juglindore

– Fjalimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës, mbajtur në Samitin Kroacia 2009, “Imperativat strategjike të Evropës: Energjia, Investimet dhe Zhvillimi”, që po mbahet në Dubrovnik –

E nderuara zonja Kosor,
Të nderuar presidentë, kryeministra, ministra,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj,


Klima e ngrohtë dhe pamja e bukur e Dubrovnikut është një thesar i vjetër dhe destinim i Evropës dhe vizitorëve evropianë – perlë e Kroacisë – sot vendtakim i mrekullueshëm i iniciativave dhe destinimeve evropiane – i shpresave të reja dhe ëndrrave të vendeve të bashkuara evropiane.

Republika e Kosovës është vendi më i ri i këtyre vendeve të bashkuara, – të bashkuara për demokraci dhe zhvillim të Evropës Juglindore dhe të tërë Evropës.

Shfrytëzimi i vlerave dhe parimeve demokratike, bashkëpunimi i ngushtë dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore – bilaterale dhe multilaterale – po ashtu nëpërmjet strukturave euroatlantike, të Bashkimit Evropian dhe NATO-s – sigurojnë bazament të qëndrueshëm për të ardhmen e rajonit dhe të kontinentit.

Bashkëpunimi dhe uniteti i Bashkimit Evropian kanë depërtuar përtej kufijve të shteteve anëtare dhe përhapja e vlerave të BE-së ka krijuar perspektivë evropiane si dhe aspirata evropiane për vendet e Evropës Juglindore.

NATO-ja ka bërë shumë për paqen në Evropën Juglindore duke i bërë bashkë kombet e lira dhe paqedashëse për hir të popujve të këtij rajoni, popujve të cilët tani e refuzojnë dhunën dhe mbështesin paqen, bashkëjetesën dhe të drejtat e barabarta.

NATO-ja dhe Bashkimi Evropian kanë stabilizuar Evropën Juglindore; Ato kanë krijuar një Evropë Juglindore të partnerëve dhe jo të kundërshtarëve.

NATO-ja doli në mbrojtje të popullit të Kosovës, popullit që gjeti shpresë dhe ardhmëri në mbështetjen e NATO-s për çlirim – popullit gjithmonë mirënjohës ndaj shteteve aleate që respektuan aspiratat e tyre për të ardhmen e lirë.

Zonja dhe Zotërinj,

Shumica dërmuese e vendeve të Bashkimit Evropian e kanë mirëpritur pavarësinë e Kosovës, një zgjidhje e përhershme dhe e pakthyeshme kjo që populli i Kosovës e ka arritur, me Bashkimin Evropian, NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Së bashku me vendet e Bashkimit Evropian jemi pajtuar për implementimin e propozimit gjithëpërfshirës të ish-Presidentit të Finlandës dhe fituesit të Çmimit Nobel për Paqe, Martti Ahtisaari-t, – një plan që shërben si një udhërrëfyes për realitetin e Kosovës së pavarur.

Bashkimi Evropian, përmes misionit të vet për sundimin e ligjit EULEX, punon për sundimin e ligjit në Kosovë së bashku me institucionet e Republikës së Kosovës. Si rezultat, sundimi i ligjit dhe gjyqësia më e fortë po bëhen gjithnjë e më shumë realitet.

Populli i Kosovës tash është duke u bashkuar në ligj, në barazi, në mundësi; ai është pjekur dhe transformuar në një faktor të Evropës Juglindore.

Institucionet e Kosovës tani e përfaqësojnë popullin e unifikuar të Kosovës dhe të gjitha komunitetet e Kosovës së bashku janë pjesë aktive e shoqërisë sonë multietnike.

Shoqëria jonë përfaqëson të gjithë qytetarët tanë dhe institucionet tona publike po vazhdojnë të mbështesin zhvillimin e një shoqërie më të lirë dhe më demokratike për të gjithë, me një qasje sensitive për integrimin e të gjitha komuniteteve tona minoritare në shoqëri.

Kosova është Evropë, të gjithë kufijtë tanë janë multietnikë dhe gjithë njerëzit tanë janë të barabartë.

Kosova tani është e njohur nga 61 shtete, nga shumica e vendeve të Evropës dhe e vendeve të Bashkimit Evropian. Më lejoni t’u bëj thirrje të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, që ta njohin shtetin tonë të pavarur, demokratik, sovran dhe shoqërinë tonë multietnike.

Më lejoni, gjithashtu, të falënderoj vendet dhe përfaqësuesit e pranishëm, që e kanë përshëndetur aspiratën tonë për zhvillim ekonomik dhe e kanë mbështetur anëtarësimin tonë në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore.

Si anëtar i ri me përgjegjësi fiskale i këtyre institucioneve financiare, Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë me qeverisjen e mirë, efektive dhe efikase, sundimin e ligjit dhe luftën e pakompromis kundër dukurive negative.

Zonja dhe Zotërinj,

Kosova e pavarur është faktor i stabilitetit në regjionin e Evropës Juglindore. Përkushtimi ynë është që të krijojmë marrëdhënie fqinjësore me të gjitha vendet në rajonin tonë, shumë prej të cilave e kanë njohur tashmë pavarësinë tonë.

Me stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë dhe në regjionin tonë, Kosova e përfaqëson transformimin e Evropës Juglindore.

Kosova e re në Evropën Juglindore të re nuk është më vend i shtypur dhe i aparteidit, por është një regjion që siguron mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, dhe që përpiqet të përmirësojë jetën e qytetarëve tonë si dhe të krijojë një të ardhme për ta, në vendet e tyre, në regjionin e tyre – në Evropën Juglindore.

Kosova është duke bërë përparime për të plotësuar kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Qeveria dhe institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të miratojnë standardet e BE-së në tregun e brendshëm, në politikat tona dhe në gjyqësinë tonë. Ne do të vazhdojmë të ndjekim dhe të kompletojmë objektivat tonë në përputhje me Planin për Veprim të Kosovës për Partneritet Evropian.

Kosova e pavarur dhe institucionet e Kosovës janë duke punuar për një regjion të qëndrueshëm dhe një Evropë të qëndrueshme, së bashku me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n; sepse ne e dimë se stabiliteti është parakusht për zhvillim.

Stabiliteti dhe paqja hapin perspektiva për investime, për zhvillim dhe për të gjitha iniciativat tona të përbashkëta. Këto janë iniciativat për të cilat Republika e Kosovës është krenare që është pjesë aktive, produktive dhe konstruktive.

Të nderuar pjesëmarrës, në të ardhmen ne presim të jemi pjesë e këtyre iniciativave si anëtar i Bashkimit Evropian dhe si anëtar i NATO-s, duke e transformuar për të mirë Evropën Juglindore, Evropën dhe botën.