Barça nuk rrezikon me Yamalin: Plan i veçantë i klubit për rikuperim për ta pasur gati Spanja për Kupën e Botës

Barcelona po i balancon festimet për titullin me një shqetësim të madh, pasi Lamine Yamal ka pësuar një dëmtim në kofshë, që pritet ta mbajë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit në La Liga.
Edhe pse klubi është pranë mbrojtjes së tiutllit, vëmendja tani është zhvendosur te menaxhimi i kujdesshëm i rikuperimit të adoleshentit, me sinjale të para që sugjerojnë se ai mund të jetë ende i gatshëm për Kupën e Botës me Spanjën.
Së fundmi është mbajtur një takim i rëndësishëm mes stafit sportiv të Barcelonës dhe fizioterapistëve specialistë, ku kanë qenë të përfshirë edhe profesionistë të lidhur me përfaqësuesen spanjolle.

Qëllimi i këtij koordinimi ishte hartimi i planit të rehabilitimit, përcaktimi i afatit të rikuperimit, si dhe mënyra se si Yamal do të riintegrohet gradualisht në momentin që t’i bashkohet skuadrës së Luis de la Fuentes.
Barcelona është e vendosur të mos e nxitojë kthimin e tij, duke pasur parasysh se dëmtimet e këtij lloji bartin rrezik të lartë për ri-dëmtim.
Sipas raportimeve, klubi është i gatshëm që Yamal të mos jetë në dispozicion për ndeshjet e para të Spanjës në Botëror, nëse kjo shihet si e nevojshme, duke i dhënë përparësi gjendjes së tij afatgjatë dhe mundësisë për të qenë i gatshëm për fazat vendimtare të turneut.

Me sytë tashmë nga sezoni i ardhshëm dhe një tentativë e re për sukses në Ligën e Kampionëve, Barcelona po fokusohet që Yamal të rikthehet plotësisht i shëndetshëm dhe në formën më të mirë, pa marrë rreziqe të panevojshme. /Telegrafi/





















































