eksperti-banner

Belgjika dhe Egjipti kanë ndarë pikët në ndeshjen e Kupës së Botës 2026, e cila u mbyll me rezultat 1-1 pas një përballjeje të luftuar deri në minutat e fundit.

Egjiptianët kaluan në epërsi në minutën e 19-të falë një aksioni të bukur të ndërtuar nga Mohamed Salah.


Sulmuesi egjiptian asistoi për Emam Ashour, i cili kontrolloi topin në hyrje të zonës dhe goditi fuqishëm në këndin e poshtëm të portës për rezultatin 1-0.

Belgjika tentoi të reagojë gjatë gjithë ndeshjes dhe krijoi disa raste të mira shënimi.

Në minutën e 53-të, Kevin De Bruyne ishte shumë pranë golit nga një goditje dënimi, por topi u përplas në shtyllën e majtë.

Egjipti pati mundësinë të dyfishonte epërsinë në minutën e 55-të. Mohamed Salah rrezikoi me kokë, por portieri belg bëri një pritje vendimtare, ndërsa në vazhdim Emam Ashour nuk arriti të shfrytëzonte topin e kthyer.

Barazimi erdhi në minutën e 66-të në mënyrën më të pafat për Egjiptin. Pas një aksioni të Belgjikës, Mohamed Hany devijoi topin në portën e tij, duke realizuar autogol për rezultatin 1-1, pas presionit nga Romelu Lukaku i sapo futur në lojë.

Pas golit të barazimit, belgët shtuan presionin në kërkim të përmbysjes. Youri Tielemans rrezikoi me një goditje të fortë nga distanca, ndërsa Thomas Meunier dhe Brandon Mechele u ndalën nga portieri i shkëlqyer Oufa Shobeir, i cili ishte një nga më meritorët që Egjipti ruajti barazimin.

Në minutën e 83-të, Shobeir realizoi pritjen e ndeshjes, duke ndalur një goditje me kokë të Brandon Mechele që po shkonte në këndin e sipërm të portës.

Në fund, Belgjika vazhdoi të sulmonte dhe Romelu Lukaku humbi një mundësi të mirë me kokë në minutën e 87-të, ndërsa në anën tjetër egjiptianët kërkuan penallti në minutën e 89-të pas rrëzimit të Zizos në zonë, por gjyqtari Ramon Abatti urdhëroi vazhdimin e lojës.

Pas 90 minutave, sfida u mbyll me rezultatin 1-1, një pikë e rëndësishme për dy ekipet. /Telegrafi/

telegrafi sport app