Ambasada Gjermane në Prishtinë ka vlerësuar bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke veçuar historitë e suksesit të kompanive “Baki Automobile” dhe “Relux” si shembuj të fuqishëm të sipërmarrjes dhe partneritetit biznesor gjermano-kosovar.

Përmes një postimi publik, ambasada theksoi se këto kompani dëshmojnë se si investimet, lidhjet ekonomike dhe bashkëpunimi ndërkombëtar mund të përkthehen në ndikim të vërtetë ekonomik dhe zhvillim të qëndrueshëm.


Gjatë vizitave të tij në këto biznese, ambasadori Rainer Rudolph u njoh nga afër me rrugëtimin, arritjet, planet për të ardhmen dhe sfidat me të cilat përballen kompanitë kosovare në treg.



Ambasadori vlerësoi potencialin që ka Kosova për zhvillim ekonomik, duke theksuar se vendi posedon talent, energji dhe kapacitet për t’u forcuar edhe më shumë në aspektin ekonomik dhe investues.

Sipas Ambasadës Gjermane, përmirësimi i klimës së biznesit, ulja e barrierave administrative dhe shfrytëzimi më efikas i burimeve vendore do të ndihmonin Kosovën të tërhiqte më shumë investime, të krijonte mundësi të reja pune dhe të rriste standardin e jetesës për qytetarët. /Telegrafi/