LAJMI I FUNDIT:

Azemi: Nuk mjafton Pakoja Fiskale Emergjente, shumë kompani po i largojnë punëtorët nga puna

Azemi: Nuk mjafton Pakoja Fiskale Emergjente, shumë kompani po i largojnë punëtorët nga puna

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës përmes një konference për media, ka bërë të ditur se shumë kompani janë duke larguar punëtorët nga puna më këtë periudhë të gjendjes emergjente në këtë periudhë.

Sipas sindikatës, Pakoja Fiskale Emergjente e miratuar nga qeveria në detyrë nuk është e mjaftueshme.


Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi tha se punëtorët e sektorit privat po ballafaqohen me shumë probleme qysh në ditët e para të fillimit të pandemisë.

“Ende shumë punëtorë ballafaqohen me problemet e masave mbrojtëse. Gjatë kësaj periudhe kemi vërejtur se shumë kompani janë duke i larguar punëtorët. Largimi po ndodh në mënyrë individuale dhe grupore për të cilat kemi raste në shumë kompani dhe komuna, ku këto po ndodhin qysh në ditët e para të fillimit të pandemisë. Përveç largimit nga punë, pronarët e kompanive po i ulin edhe pozitat e punëtorëve duke iu ofruar kontrata të tjera gjatë kësaj periudhe ku gjendemi. Edhe pse shumë punëtorë kanë mundësi t’i kryejnë punët nga shtëpia, pronarët e kompanive këtë nuk e ka lejuar. Ne kemi vendime, ku pronarët e kompanive i kanë larguar nga puna”, tha Azemi, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se qeveria duhet të nxjerr vendim që të ndëshkoj të gjitha ato kompani që shkelin Ligjin e Punës.

“Për shkeljet e të drejtave të punëtorëve që po bëhet në këtë periudhë, ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nxjerr një vendim që ato kompani që shkelin Ligjin e Punës të marrin masa ndëshkuese”, thotë ai.

Mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e dyqaneve disa nga përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale
Lexo po ashtu Mjekët, infermierët, policët, zjarrfikësit dhe punëtorët e dyqaneve disa nga përfituesit e Pakos Emergjente Fiskale

Azemi thotë se qeveria nga pakoja e miratuar të ndaj një fond rezervë me qëllim që të mbulohen ato kategori të punëtorëve që nuk janë paraparë.

“Për deri sa janë ndarë 40 milionë euro për muajin prill dhe muajin maj, ka mundësi që të paguhen vetëm 200 mijë punëtorë. Njoftoj opinionin se ne kemi rreth 150 mijë punëtorë pa kontrata, për të cilin ne shtetin me kohë e kemi njoftuar, por tani pres që të ketë një përplasje ndërmjet sindikatës dhe qeverisë por edhe të punëtorëve, sepse këta janë njerëz të barabartë. Thërras Qeverinë e Kosovës dhe organet kompetente që pa sindikatën nuk mund të bëhet asnjë ndarje dhe nuk do të jetë një shumë e mjaftueshme për këtë kategori të punëtorëve. Nga fondi i miratuar, i propozoj Qeverisë së Kosovës që 20 për qind e tij apo 36 milionë euro të mbetet kategori e rezervuar, sepse do të dalin kategori e punëtorëve që Ministria e Financave nuk i ka paraparë farë. Andaj, që të mos ketë lëvizje, apo pakënaqësi të mëdha, thërras që kjo pjesë të mbetet rezervë”, përfundoi Azemi.

Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, qeveria në detyrë ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale për shkak të situatës së emergjencës së shëndetit publik nga përhapja e pandemisë së Coronavirusit në vend. /Telegrafi/