LAJMI I FUNDIT:

Avokati Haxhi Çekaj arrestohet gjatë pauzës së seancës

Avokati Haxhi Çekaj arrestohet gjatë pauzës së seancës

Haxhi Çekaj, avokat i të akuzuarit Shefqet Kameraj, nuk është kthyer në seancë pas pauzës në shqyrtimin gjyqësor që është duke u mbajtur lidhur me vrasjen e Ilmi Lufajt.

Sipas burimeve të KALLXO.com avokati Çekaj gjatë pauzës është arrestuar nga Policia e Kosovës.


I pyetur rreth arrestimit të mundshëm të avokatit Çekaj, zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani konfirmoi arrestimin e një të dyshuari rreth orës 13:10 por nuk dha emrin e të arrestuarit.

“Mund të ju konfirmoj se sot rreth orës 13:10, zyrtarë policorë nga Departamenti Special Anti-Korrupsion kanë zbatuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Krime të Rënda, për Simulimin e Veprës së Korrupsionit, gjegjësisht veprës: Mashtrim sipas nenit 442 të KPK-së. Lidhur me këtë rast është arrestuar një person i dyshuar dhe të gjitha veprimet e mëtutjeshme do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent”, tha Kelani për KALLXO.com.

Në këto rrethana, trupi gjykues i Gjykatës së Pejës mori vendim që seanca të ndërpritet deri nesër.

Kryetari i trupit gjykues, Kreshnik Radoniqi, pas kthimit nga pauza tha se në seancë mungon avokatit i të akuzuarit, Shefqet Kameraj, Haxhi Çekaj.

Radoniqi tha së Çekaj është kontaktuar përmes telefonit dhe i njëjti ka thënë së nuk mund të jetë i pranishëm në vazhdimin e seancës për shkak të “krijimit të rrethanave të papritura”.

“Pas kontaktimit përmes telefonit me avokatin Çekaj i njëjti e njoftoi trupin gjykues se për shkak të disa rrethanave të papritura e të cilat nuk mund t’i shpjegojë përmes telefonit theksoi se i pamundësohet pjesëmarrja në ketë seancë”, tha Radoniqi, kryetar i trupit gjykues.

Kreshnik Radoniqi tha se avokati është pyetur se a do të marrë pjesë në seancën e nesërme por Çekaj i ka thënë së një gjë e tillë nuk varet nga ai.

Kryetar i trupit gjykues tha se nuk ka kushte të vazhdohet me seancë dhe për ketë arsye ajo duhet të ndërpritet.

Paraprakisht, gjatë seancë së sotme në gjykimin e zyrtarit policor, Shefqet Kameraj, i cili akuzohet për vrasjen në Deçan të Ilmi Lufajt, në cilësinë e dëshmitarëve u dëgjuan polici Tahir Mazrekaj dhe dëshmitari Besfort Elshani. /Kallxo.com/