ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur që të rihapë shqyrtimin gjyqësor në rastin ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj, të cilët akuzohen për vrasjen e trefishtë që ndodhi në Gllogjan në vitin 2021.

Vendimi u mor në seancën e së premtes, në të cilën ishte paraparë shpallja e aktgjykimit.


Sipas aktakuzës së Prokurorisë, tre të akuzuarit dyshohet se kanë organizuar dhe kryer sulmin në bashkëpunim me njëri tjetrin, me motiv hakmarrjen.

Avokati i familjes së dëmtuar, Arianit Koci, tha se në seancën e sotme pritej shpallja e aktgjykimit, por gjykata vendosi ta rihapë gjykimin për administrimin e një prove shtesë.

“Sot e kemi pritur vendimin. Sidoqoftë, gjykata ka vlerësuar se duhet të vërtetohet edhe një provë, prandaj e ka rihapur gjykimin. Deri më tash, kryetari i trupit gjykues e ka udhëhequr proceduralisht shumë mirë. Unë, si përfaqësues i familjes së dëmtuar, jam i kënaqur dhe besoj se pas seancës së radhës do të merret vendimi dhe personat e akuzuar do të dënohen”, deklaroi Koci.

I pyetur nga gazetarët nëse ka dijeni për provën që ka ndikuar në rihapjen e gjykimit, avokati Arianit Koci tha se bëhet fjalë për një video.

“Gjykata e ka arsyetuar sot vendimin e vet. Bëhet fjalë për një video dhe për fjalën përfundimtare të prokurores. Sidoqoftë, do ta shqyrtojmë dhe do të përfundojë edhe ky proces”, tha Koci.

Aktakuza thekson se objektiv i sulmit ishte shoferi i autobusit, tashmë i ndjeri Gani Gjokaj. Sipas Prokurorisë, familja Mehmetaj e konsideronte atë përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj, çka pretendohet se ka qenë motivi i krimit.

Në dosjen e rastit thuhet se Halil Mehmetaj ishte zotuar për hakmarrje ndaj Gjokajt dhe se gjatë ceremonisë së varrimit të vajzës së tij kishte vendosur orën e dorës në arkovin e saj.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit paraprakisht kishin vëzhguar zonën ku ndodhi ngjarja, duke zgjedhur një vend pa kamera sigurie dhe larg banesave. Prokuroria pretendon se ata i kishin zënë pritë autobusit që qarkullonte në linjën Gjakovë, Gllogjan, ndërsa gjatë sulmit mbetën të vrarë tre persona.

Organi i akuzës pretendon se Kastriot Mehmetaj, i armatosur me një pushkë automatike AK-47, kishte shkuar në këmbë deri në vendin e ngjarjes. Me afrimin e autobusit, ai kishte dalë në mes të rrugës duke u shtirur si i dehur për ta detyruar shoferin të ngadalësonte ose të ndalonte. Pasi autobusi uli shpejtësinë, sipas aktakuzës, ai qëlloi në drejtim të shoferit Gani Gjokaj, duke e lënë të vdekur, ndërsa nga të shtënat humbën jetën edhe dy nxënës 17 vjeçarë, L.H. dhe G.M., si dhe u plagos rëndë F.T.

Më tej, sipas aktakuzës, pas kryerjes së sulmit Kastriot Mehmetaj ishte larguar në drejtim të fshatit Shaptej, ku e priste me veturë Kreshnik Mehmetaj. Prokuroria pretendon se pas kthimit në shtëpi arma e përdorur në krim ishte shkatërruar.

Aktakuza ngarkon edhe Halil Mehmetajn se, në periudhën nga 14 qershori 2020 deri më 26 nëntor 2021, kishte nxitur Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajn për vrasjen e Gani Gjokajt, duke e fajësuar vazhdimisht atë për vetëvrasjen e vajzës së tij, Heroina Mehmetaj. /kp/