Atletico Madrid “shpërthen” në afatin kalimtar, ylli i Man Cityt objektivi kryesor për sulmin e ri


Atletico Madridi ka riaktivizuar interesimin për sulmuesin egjiptian Omar Marmoush, një nga emrat që klubi spanjoll po shqyrton për të përforcuar repartin ofensiv gjatë afatit kalimtar të verës.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit “rojiblanco” po përgatiten për ndryshime të mëdha në sulm, me largimet e mundshme të Alexander Sorloth dhe Julian Alvarez që kanë detyruar stafin sportiv të kërkojë një zgjidhje të menjëhershme dhe cilësore në majë të sulmit.

Marmoush, aktualisht pjesë e Manchester Cityt dhe i angazhuar në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut me Egjiptin, është kthyer në prioritet për skuadrën e Diego Pablo Simeones.
Sulmuesi 27-vjeçar ka kontratë me klubin anglez deri në verën e vitit 2029, por situata e tij sportive në Angli nuk ka qenë optimale, duke e shtyrë të kërkojë më shumë hapësira në një skuadër tjetër.

Burime pranë klubit madrilen bëjnë të ditur se profili i Marmoush pëlqehet shumë nga Simeone, falë fleksibilitetit të tij në sulm, pasi mund të luajë si qendërsulmues klasik, ashtu edhe si partner në një dyshe ofensive.
Karakteristikat e tij si shpejtësia, forca fizike dhe finalizimi konsiderohen të përshtatshme për skemat taktike të Atleticos.
Nga ana tjetër, sipas raportimeve, trajneri i ri i Manchester Cityt, Enzo Maresca, nuk e konsideron egjiptianin si pjesë të lojtarëve të pashitshëm, duke i hapur rrugë një transferimi të mundshëm gjatë verës.

Çmimi i kartonit të tij vlerësohet rreth 60 milionë euro, një shifër që Atletico është i gatshëm ta shqyrtojë, duke shpresuar të mbyllë marrëveshjen para përfundimit të Kupës së Botës, për të shmangur rritjen e konkurrencës nga klubet e tjera të Ligës Premier.
Ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit egjiptian, me Atletico Madridin që synon të forcojë repartin ofensiv për sezonin e ardhshëm dhe të rikthehet fuqishëm në garën për trofe. /Telegrafi/















































